Lifestyle
Stili juaj i jetës: Cilat janë rreziqet?
Demokracia
15:33 | 07 Maj 2024

Share:

NË SHUMË aspekte, treguesit e shëndetit nuk kanë qenë kurrë më shumë premtues. Një raport i vitit 1998 i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thotë: «Më shumë njerëz se kurrë më parë, tani kanë mundësi për të pasur të paktën një kujdes minimal shëndetësor, furnizim me ujë të pijshëm dhe banesa me kushte sanitare.» Sigurisht, pjesa më e madhe e popullsisë së botës gjendet ende në kushte të vështira jetese, por siç raportonte British Broadcasting Corporation, «në mbarë botën varfëria është ulur më shumë gjatë 50 vjetëve të fundit, sesa gjatë 500 vjetëve të kaluar».

Përmirësimet në sistemet shëndetësore kanë bërë që jetëgjatësia mesatare e pritshme e njeriut në shkallë botërore të rritet. Në vitin 1955 jetëgjatësia mesatare e njeriut ishte 48 vjeç. Aty nga viti 1995 ajo ishte rritur në 65 vjeç. Një nga arsyet e kësaj rritjeje kanë qenë përparimet e bëra kundër sëmundjeve të fëmijëve.

Vetëm 40 vjet më parë, vdekjet e fëmijëve nën moshën pesë vjeç përbënin 40 për qind të të gjitha vdekjeve. Megjithatë, në vitin 1998, falë vaksinave shumica e fëmijëve të botës ishin të imunizuar kundër sëmundjeve më të rënda të fëmijëve. Kështu, numri i vdekjeve të fëmijëve nën moshën pesë vjeç ka rënë në 21 për qind të të gjitha vdekjeve. Sipas OBSH-së ka pasur «një prirje të dukshme drejt një jete më të shëndetshme e më të gjatë».

Sigurisht, një jetë më e gjatë, por me pak përmirësim në cilësi do të ishte një fitore e rremë. Në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, shumë njerëz u japin tepër rëndësi kënaqësive materiale. Megjithatë, një mënyrë e tillë të jetuari mund të mbartë rreziqet e veta.

Një stil më i mirë jete?

Zhvillimet e fundit social-ekonomike kanë sjellë ndryshime të jashtëzakonshme në stilin e jetës së njerëzve. Tani, për shumë njerëz në vendet e zhvilluara është e mundur të blejnë gjëra dhe të sigurojnë shërbime, të cilat më parë vetëm më të pasurit mund t’ia lejonin vetes. Por, ndërsa disa nga këto përparime e kanë rritur mundësinë e një jete më të gjatë, shumë njerëz janë tërhequr në një stil jete vetëshkatërruese.

Për shembull, miliona njerëz e kanë përdorur fuqinë e tyre më të madhe blerëse për të siguruar gjëra të tilla të panevojshme, si: droga robëruese, alkooli dhe duhani. Mjerisht, rezultatet kanë qenë ato që priteshin. «Rreziku i shëndetit publik që ka rritjen më të shpejtë në botë nuk është ndonjë sëmundje,—thotë revista World Watch,—është një produkt.» Revista shton: «Brenda 25 vjetësh, pritet që sëmundjet e shkaktuara nga duhani t’ua kalojnë sëmundjeve infektive, duke u bërë kërcënimi numër një i shëndetit të njeriut në mbarë botën.» Veç kësaj, Scientific American thotë: «Për një përqindje të habitshme prej 30 për qind të sëmundjeve vdekjeprurëse kanceroze mund të fajësohet kryesisht pirja e duhanit dhe për një numër të barabartë me këtë, stili i jetës, sidomos praktikat dietike dhe mungesa e ushtrimeve fizike.»

Pa dyshim, zgjedhjet që bëjmë në lidhje me stilin tonë të jetës kanë një ndikim të fuqishëm mbi shëndetin tonë. Atëherë, si mund ta ruajmë dhe ta përmirësojmë shëndetin tonë? A mjaftojnë dieta dhe ushtrimet? Për më tepër, ç’rol luajnë faktorët mendorë dhe shpirtërorë në një stil të shëndetshëm jete?

Të ngjashme