Lajme
Dioqeza e Rashkës falënderon ish-ministren greke për kthimin e tokave të Manastirit të Deçanit: A e ndërmjetësoi Greqia këtë proces me Kurtin?
Demokracia
18:15 | 20 Mars 2024

Share:

Marrëdhëniet e Albin Kurtit me Greqinë duket se dhanë “rezultatin” e parë, vendimin për dhënien e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit.

Ish-ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakoyannis, duket se ishte angazhuar fshehtas në kontestin e pronave të Manastirit të Deçanit, shkruan Demokracia.com.

Kjo vërehet edhe nga një falenderim që ka bërë Dioqeza Rashkë – Prizren e Kishës Ortodokse Serbe.

“Dioqeza dhe Manastiri i Deçanit falënderojnë në mënyrë të veçantë Raportuesen Speciale znj. Dora Bakoyannis dhe të gjithë ata që kontribuan në zgjidhjen me sukses të kësaj mosmarrëveshjeje shumëvjeçare”, thuhet në njoftimin e tyre, përcjell Demokracia.com.

Ndryshe, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë konfirmoi se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 20 hektarë tokë në Kadastrën Qendrore të Kosovës në Prishtinë.

“Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë që është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët. Me këtë ne mundemi të konkludojmë se procesi i kahershëm ligjor që është zhvilluar rreth 24 hektarëve tokë të Manastirit të Deçanit më në fund është zgjidhur”, thuhet në njoftimin e tyre më 20 mars.

Më 13 mars, kryeministri Albin Kurti njoftoi se i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që të transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Ai tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni që do të mbahet në prill.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës ishte kritikuar nga zyrtarët lokalë në Deçan dhe një shoqatë e historianëve në këtë komunë, që e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të padrejtë.

Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht i kishte kërkuar Kosovës që të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me 24 hektarë tokë të Manastirit të Deçanit.

Pasi Qeveria Kurti lëshoi pe për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit tanimë në Këshill të Evropës do të ketë një lëvizje në drejtim të aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Raportuesja greke, Dora Bakoyannis, më 27 mars do të paraqesë raportin e saj për Kosovën në një mbledhje urgjente të Komitetit për Çështje Politike në Paris.

Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës në një përgjigje për Gazetën Express ka konfirmuar që më 27 mars do të prezantohet raporti për Kosovën që përmban një draft-opinion.

“Në të vërtetë një mbledhje e Çështjeve Politike të Asamblesë do të zhvillohet më 27 mars në Paris, në të cilën zonja Bakoyannis synon të paraqesë raportin e saj që përmban një draft-opinion”, tha Divizioni për Komunikim i PACE.

”Pasi Kosova ia regjistroi pronën Manastirit të Deçanit, sot u caktua një takim urgjent”, ka thënë për mediat përfaqësuesja e Serbisë atje.

 

Raporti i raportueses do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare. Më pas, do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KiE.

Kosova shpreson ta ketë anëtarësimin më të shpejtë në këtë organizatë, pasi shumë vendeve që janë anëtarësuar u janë nevojitur shumë më shumë kohë. Sipas praktikës, Komiteti i Ministrave mblidhet një herë në vit.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj 2022. Ndërkaq, më 24 prill u shënua hapi i parë i suksesshëm për Kosovën me vendimin e Komitetit Ministror të Këshillit të Europës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Për raportin e raportueses greke, kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ku tregoi për kërkesën ndaj Agjencionit të Kadastrit tregoi që zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit ka qenë kusht për Kosovën për t’u anëtarësuar në KiE.

“Raporti i ka listuar disa kushte ndër të cilat ka qenë edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Manastirin e Deçanit, të vitit 2016. Raporti është publik dhe mbetet një dokument që nuk mund të ndryshohet apo përjashtohet nga rruga jonë për në KiE; do mbetej aty si listë kushtesh sot, pas një viti, pas dhjetë vitesh. Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve, na është bërë e qartë që nga shumë kushte që i kemi pasur për anëtarësim në Këshillin e Evropës, disa janë konstatuar që janë plotësuar e disa janë listuar si çështje jo-urgjente, por njëri mbetet dhe nuk do të hiqet: zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit. Qeverisë i është bërë e qartë nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare, nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e QUINT-it, që ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve: të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në KiE këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit dhe rrjedhimisht heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtetndërtues i Republikës sonë”, tha Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme