Lajme
Detaje dhe pamje nga zjarret “ndoshta më të mëdha ndonjëherë” në Kili, nga ku mbetën të paktën 64 të vdekur
Demokracia
22:28 | 04 Shkurt 2024

Share:

Të paktën 64 persona kanë humbur jetën në Kili pasi zjarret në pyje kanë shpërthyer në të gjithë vendin, me autoritetet që paralajmërojnë se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, atje është shpallur gjendja e jashtëzakonshme pasi qytetet bregdetare janë mbytur nga tymi dhe njerëzit që jetojnë në rajonet qendrore janë të detyruar të lënë shtëpitë e tyre.

Në një konferencë për shtyp të dielën pasi vizitoi zonat e prekura, presidenti Gabriel Boriç tha se numri i të vdekurve “do të rritet ndjeshëm” dhe shpalli të hënën dhe të martën si ditë zie kombëtare për viktimat zjarrit.

Rodrigo Mundaca, guvernatori i rajonit Valparaiso, tha të dielën se autoritetet po mbanin një “shtetrrethim” në qytetet Viña del Mar, Quilpué, Villa Alemana dhe Limache për t’i lejuar autoritetet të përqendrohen në luftimin e flakëve.

Ndërsa kryebashkiaku i Quilpué, Valeria Melipillán, i tha CNN Kili se zjarri ishte “ndoshta më i madhi ndonjëherë” në rajon dhe se rreth 1,400 shtëpi në komunë ishin dëmtuar.

Melipillán shtoi se ndërsa përpjekjet për evakuim kishin qenë efikase, disa njerëz në zonat e prekura nuk donin të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Papa Françesku në një postim në ‘X’ u bëri thirrje njerëzve që të “luten për viktimat dhe të lënduarit nga zjarret shkatërruese që kanë prekur Kilin qendror”.

Në një deklaratë televizive të shtunën, Boriç tha se ministria e mbrojtjes do të vendosë më shumë njësi ushtarake në zonat e prekura, me të gjitha burimet e nevojshme të vëna në dispozicion.

Ndryshe, rreth 92 zjarre aktive janë regjistruar në pjesë të ndryshme të vendit dhe deri më tani kanë prekur rreth 43,000 hektarë, tha Ministrja e Brendshme, Carolina Tohá.

Zjarrfikësit kanë vënë nën kontroll 40 zjarre dhe janë ende duke luftuar me 29 të tjerë, shtoi ajo.

Zjarret vijnë pasi vendi është goditur nga një valë e nxehtë e verës, me kryeqytetin e Kilit, Santiago, i cili ka parë gjatë ditëve të njëpasnjëshme temperatura të nxehta dhe të thata, duke u ngjitur mbi 33 gradë Celsius (91.4 °F).

Të ngjashme