Lajme
Dështimi i regjistrimit të popullsisë më 2023: Qeveria ia hedh përgjegjësinë ASK-së, opozita e bën fajtore pushtetin
Demokracia
13:14 | 11 Nëntor 2023

Share:

Fillimisht u tha për shtator, më pas u shtye për nëntor, e tashmë nuk dihet se kur do të ndodhë realisht. Bëhet fjalë për procesin e regjistrimit të popullsisë, proces ky që tashmë do të ishte i përfunduar, por që ende nuk ka filluar. Nga ana tjetër institucionet gjegjëse ia hedhin fajin njëra-tjetrës, kështu duke mos e mbajt asnjëra topin se pse ka ndodhur një gjë e tillë.

Për reagim, radha i erdhi edhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili ka deklaruar se nuk ka përgjegjësi për këtë shtyrje të dytë.

Murati ka vlerësuar se përgjegjësia për shtyrjen e censusit qëndron tek Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Ministria e Financave ka ofruar ndihmë dhe mbështetje për t’i kryer disa punë që ata (ASK) nuk kanë pasur resurse t’i përfundojnë…Ne e kemi marrë atë vendim dhe i kemi ndihmuar ASK-së…Është problem kur dikujt i ndihmon, mundohet t’i fajësoj atë që po e ndihmon. Ministria e Financave nuk e ka përgjegjësi regjistrimin e popullsisë, e ka ASK-ja.” – deklaroi Murati për Kosovapress.

Ndërsa, dy javë më parë kishte reaguar edhe zëvëndëskryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha, ku kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyhet sërish procesit i regjistrimit të popullsisë.

Berisha ka njoftuar se shtyrja ka të bëj me mossigurimin me kohë të tabletëve të nevojshme.

Për shkak të procedurave të prokurimit, Agjencia Qendrore e Prokurimit nuk ka arritur të sigurojë me kohë tabletët e nevojshëm. Ajo që ishte kontraktuar në shtator të ishin prezent tabletët dhe që sipas planit të aktiviteteve të zhvillohen të gjitha procedurat, duke filluar nga instalimi i gjitha aplikacioneve në këto tabletë, pastaj të bëhet një test pilot dhe të fillojnë trajnimet para datës 1 nëntor. Ne me fillim të tetorit dërguam kërkesë zyrtare tek kryeministri për një rishikim të datës përsëri për shkak se jemi vonë me këto aktivitete që ndërlidhen me mungesë të tabletëve dhe me mosrekurtimin e 3500 regjistrueseve dhe rreth 900 mbikëqyrëseve, kushtëzojnë patjetër që të shtyhet regjistrimi i popullsisë.” – ka deklaruar Berisha.

Ndër të tjera, Berisha ka rekomanduar që procesi i regjistrimit të shtyhet për vitin e ardhshëm, ku ka treguar se ky proces nuk mund të mbahet në çdo kohë.

Për vonesat në prokurim, Berisha fajtore e ka bërë Ministrinë e Financave, e cila drejtohet nga Hekuran Murati.

Jemi në pritje të vendimit. Qeveria është duke shqyrtuar, operatori i dytë ekonomik që ka fituar tenderin me tabletë, sipas kontratës, do t’i liferojë me datën 2 nëntor. Mirëpo edhe në këtë datë kërkohet që të jetë një periudhë për instalimin e atyre programeve dhe të fillojnë trajnimin. Në anën tjetër, ende nuk i kemi siguruar mbikëqyrësit dhe regjistruesit për t’i angazhuar në projektin e regjistrimit të popullsisë. Konkursi është ende i hapur për shkak se nuk është numri i mjaftueshëm i të aplikuarve, nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e tyre dhe për intervista, vlerësimin e tyre që ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave që t’i bëjë këto komisione.” – ka thënë Berisha.

Nga ana tjetër, zyrtari i Lidhjes Demokratike Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili ka fajësuar Agjencinë e Statistikave të Kosovës për dështimin e procesit të regjistrimit të popullsisë për këtë vit.

Në profilin e tij në “Facebook”, Rukiqi ka shkruar se adresa e dështimit të këtij procesi është Qeveria.

Ndoshta është mire me ja rikujtu Ministrit, qe Agjencia e Statistikave te Kosovës, nuk është krijuar, e as nuk vepron, në një “univers paralel”. Agjencia e Statistikave te Kosovës, është pjese e Zyrës se Kryeministrit, rrjedhimisht përgjegjësia direkte për dështimin e regjistrimit te popullsisë, ka adrese: Është Kryeministri dhe Qeveria.” – ka shkruar Rukiqi.

Të ngjashme