Lajme
Deputeti i VV-së për fotografinë e Kurtit me Vuçiq: Çka ka të keqe këtu?
Demokracia
23:27 | 04 Maj 2022

Share:

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj ka folur për fotografinë e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ku shihen së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçakun.

Rexhaj në emisionin ‘dPt te Fidani’ në T7 tha se fotografia ishte publike, nuk ishte sekrete e që sipas tij, nuk ka asgjë të keqe këtu.

“Fotografia ishte publike, nuk ishte sekret. Këta kanë dalë në fotografi. Çka ka të keqe këtu. Pyetja themelore duhet të bëhet çka realisht është biseduar në atë darkë dhe në fakt cilat janë qëndrimet e qeverisë Kurti për dialogun”, tha Rexhaj.

Tutje ai tha se e rëndësishme është që Qeveria Kurti nuk i pranon koncesionet që janë të dëmshme apo ato të paraardhësve të Kurtit.

“Në fakt është pyetja retorike: A e pranon qeveria Kurti koncesionet të cilat janë të dëmshme apo ato që janë të paraardhësve të Kurtit dhe padyshim që përgjigja është JO. A duhet të vazhdojë dialogu, patjetër që duhet”, shtoi Rexhaj.

Ndryshe, përdoruesit e rrjeteve sociale, i kanë kujtuar Kurtit momente të ndryshme nga historia e tij opozitare, kur kundërshtonte dialogun Kosovë-Serbi dhe i sulmonte pjesëmarrësit e palës kosovare me etiketa të ndryshme.

Të ngjashme