Lajme
Denoncimi për fëmijën me sindromën Down ndaj të cilit u ushtrua dhunë dhe u hodh në ujë, Prokuroria e Pejës nis hetimet
Demokracia
13:54 | 10 Korrik 2023

Share:

“Down Syndrome Kosova” me anë të një postimi në profilin e tyre në Facebook raporton se ndaj një fëmijë me këtë sindrom është ushtruar dhunë dhe i njëjti më pas është hedhur në ujë në Velipojë, duke ia rrezikuar jetën.

“Down Syndorme Kosova” informon se përmes medias sociale, facebook kanë pranuar raport dhune ndaj “një fëmije me sindromë Down të ushtruar nga përfaqësuesi i qendrës së OPFAKOS në Pejë, me inicialet I.B, në praninë e stafit të OJQ-së në fjalë dhe pjesëmarrësve të tjerë. Dëshmitari i pranishëm M.M (i gatshëm të dëshmoj para organeve kompetente) raportoj se me datë 6 korrik 2023 në hapësirë publike, plazh në Velipojë, Republika e Shqipërisë, i lartë cekuri ka ushtruar dhunë fizike dhe më pas e ka hedhur në ujë fëmijën duke ia rrezikuar jetën”.

Lidhur me këtë rast, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi tha se është autorizuar policia për të ndërmarrë veprimet e nevojshme.

“Me të parë reagimin publik të këtij rasti, Prokurori i Shtetit ka autorizuar menjëherë Policinë e Kosovës për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, tha Nikçi për Express.

Organizata thekson se dhuna është e papranueshme dhe u bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese që rasti në fjalë të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe profesionale.

“Si DSK, kemi kontaktuar prindin e fëmijës i cili e ka konfirmuar që personi në fjalë ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës së tij, por për arsye të panjohura për ne (DSK), prindi nuk ka pranuar të denoncoj rastin. Megjithatë për DSK-ën, çdo formë e dhunës është e papranushme dhe ne ndjejmë obligim ligjor dhe konform misionit tonë t’i marrim masat e nevojshme për trajtim të rastit”, thuhet tutje në postimin e organizatës.

Të ngjashme