Kuriozitete
Del dorë për dore me dashnoren, por Partia e pushon nga puna 
Demokracia
20:29 | 12 Qershor 2023

Share:

PEKIN – Le të harrojmë (të paktën për një moment) Tajvanin dhe krizën me Shtetet e Bashkuara: Në ueb-in kryesor në Kinë tema e ditës është shëtitja romantike, dorë për dore, e një zyrtari të lartë të gjigantit shtetëror PetroChina me një grua elegante të re që ka një pamje të jashtëzakonshme.

Çifti ndodhej në një rrugë në qendër të Chengdu, kryeqyteti i Sichuan, me mbi 16 milionë banorë. Por një paparac lokal i modës e dalloi atë nga turma dhe publikoi pamjet e kapjes dorë për dore në Douyin, ekuivalenti kinez i TikTok.

Deri këtu asgjë jo normale, madje edhe për ata kinezë të fiksuar pas kulturës hedoniste.

Por çështja mori tjetër rrjedhë kur dikush në Pekin e njohu çiftin e bukur: ai nuk ishte gjë tjetër veçse Hu Jiyong, drejtor ekzekutiv, si dhe sekretar i seksionit të Partisë Komuniste në kompaninë Huanqiu Construction, një degë e PetroChina; pranë tij është zonjusha Dong, një punonjëse e kompanisë.

Problemi është se drejtori Hu është i martuar dhe sigurisht jo me zonjushën Dong.

Pjesa tjetër pastaj e historisë dihet dhe ajo u raportua nga shtypi kinez: kompania e rëndësishme shtetërore shkarkoi drejtorin kurorëshkelës në vend, Partia e pushoi nga detyra e sekretarit dhe një komision disiplinor do të vlerësojë sanksionet e mëtejshme ndaj tij.

Në atë moment, videoja e shkurtër për Douyin u hodh në Weibo, rrjeti social kryesor i Republikës Popullore, dhe u rendit në krye të listës së shikueshmërisë: 1.2 miliardë klikime në një ditë.

Komenti i Shanghai Daily: “Si anëtar i Partisë Komuniste, Hu kishte detyrime morale të cilat ai i shkeli duke u përfshirë në një lidhje jashtëmartesore…ai u hoq sepse udhëzimet për zyrtarët e ndërmarrjeve shtetërore komuniste vendosnin standarde më të larta sjelljeje sesa qytetarët e zakonshëm”, shkruan gazetasi.al .

Pas nja dy ditësh u mësua se edhe zonja Dong, e cila me sa duket ishte beqare, ka humbur punën.

Partia që i përkiste Mao Ce Dunit dhe që tani drejtohet nga Xi Jinping, mbetet e lidhur me një fasadë respekti.

Por në epokën e internetit, është gjithnjë e më e vështirë të mbash konfidenciale një dalje klandestine, madje edhe në Kinë.

Pekin Daily ishte e shqetësuar për “publicitetin e ekzagjeruar që i është dhënë rastit”, duke vënë në dukje në një koment se historia është kthyer në sensacion, dhe mbi të gjitha është kthyer në formë argëtimi që e vendos çështjen e sjelljes morale të zyrtarëve shtetërorë në plan të dytë.

Njerëzit e rrjeteve sociale nuk u ndalën: u bënë kërkime për fustanin e veshur nga Dong dhe çantën e saj, e cila u shit menjëherë online, ndërsa nuk pushuan memet për çiftin…

Të ngjashme