Lajme
Data e zgjedhjeve në Shqipëri, presidenti Begaj mbyll konsultat me partitë
Demokracia
18:57 | 06 Tetor 2022

Share:

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pas konsultimit të zhvilluar në presidencë me kreun e shtetit Bajram Begaj, ka deklaruar se Partia Socialiste nuk ka ndonjë preferencë për një datë se kur do të mbahen zgjedhjet për pushtetin lokal në Shqipëri.

“Partia Socialiste e Shqipërisë është gjithmonë e gatshme të marrë pjesë në zgjedhje dhe natyrshëm edhe t’i fitojë ato në secilën prej datave që do të dekretonte presidenti i Republikës”, është shprehur ai.

Caktimi i datës së zgjedhjeve duket se do të ndikohet dhe nga punimet për reformën territoriale, për të cilën Balla u shpreh se politika duhet të dëgjojë ekspertët, shkruan KlanTV.

“Kërkesa ime edhe për kolegët e opozitës që insistojnë në propozimet është që në demokraci asnjë prej palëve nuk mund të imponohet”, shtoi ai.

Për dy ditë me radhë presidenti Bajram Begaj, zhvilloi konsultime me përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik me qëllim marrjen e propozimeve për caktimin e datës zgjedhjeve vendore që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.

16 prill është data e parë dhe 14 maji i vitit 2023 është data e fundit si hapësirë ligjore që kreu i shtetit të caktojë me dekret ditën se kur shqiptarët do të zgjedhin kryetarët e ri të bashkive.

Gjatë konsultime me partitë, aleatët e Partisë Demokratike kanë hedhur si tezë që këto votime të mbahen më 14 maj.

Të ngjashme