Sport
Daja thotë se Ballkani s’e meritoi fitoren, Dallku flet për kacafytjet pas ndeshjes
Demokracia
15:25 | 26 Shkurt 2023

Share:

Ballkani ka barazuar 1:1 me Dukagjinin në stadiumin e qytetit në Suharekë, shkruan Demokracia.com.

Kampionët në fuqi u gjendën në disavantazh në minutën e 18-të kur Oto John realizoi për Dukagjini. Lojtari më në formë kohëve të fundit për suharekasit, Albion Rrahmani barazoi rezultatin në minutën e 55-të dhe njëherit vulosi epilogun final.

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja pas ndeshjes tha se Dukagjini me meritë mori një pikë në Suharekë.

“Kemi shkuar në barazim, por nuk është rezultat i papranueshëm. Kemi katër pikë diferencë nga përcjellësi i parë. Natyrisht që do të kemi një barazim, larg qoftë edhe një humbje, që uroj të vijë sa më larg. Kemi pasur disa situata para, por nuk kemi qenë të qetë në pjesën e ndërtimit të aksioneve dhe ruajtjes së qetësisë para portës. Sot duhet të kishim bërë më shumë për ta kërkuar fitoren. Kemi përdorur një pjesë të mirë të futbollistëve në fund, por me meritë edhe të kundërshtarit shkoi drejt barazimit”, ka thënë Daja për Art Sport.

Ndërkaq, shefi i shtabit teknik te Dukagjini, Armend Dallku foli edhe për kacafytjet pas ndeshjes mes ekipeve.

“Nuk e kuptoj gjithë këtë presion, gjithë këtë pakënaqësi. Kur përfundon ndeshja nuk mund të kthehet asgjë prapa. Edhe ne kishim pakënaqësitë tona. Këto kacafytjet mes ekipeve nuk janë të mira. Futbolli nuk përfundon sot, do të luajmë prapë me Ballkanin, do të luajmë edhe me skuadra tjera. Nuk është gjë e mirë, por ndoshta në emocion e sipër mund të kuptohen lojtarët, por ne jemi për të qetësuar situatën”, deklaroi Dallku pas ndeshjes./Demokracia.com/

Të ngjashme