Lajme
Çollaku: Kurti dhe Osmani nuk interesohen për procesin në Hagë
Demokracia
22:22 | 05 Shkurt 2024

Share:

Analisti Bekim Çollaku ka thënë që ndihma e kryeministrit Albin Kurti në gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, nuk është reflektuar në praktikë.

“Kryeministri e ka dhënë atë gatishmërinë e tij për t’u ndihmuar, mirëpo nuk është reflektuar në praktikë dhe vetëm vullneti në një takim virtual nuk është i mjaftueshëm”, ka thënë Çollaku në Rubikon të Klan Kosovës.

“Mendoj që kryeministri dhe institucionet tona shtetërore, e kam thënë disa herë, kanë mundur të bëjnë shumë më tepër se që kanë bërë”.

“Faktikisht nuk kanë bërë asgjë përveç kësaj ndihmës simbolike financiare në aspektin politik, sepse mos të harrojmë, ky gjykim që është duke ndodhur, që nga ideja për themelimin e tij e deri më sot edhe deri në verdikt është njëri nga proceset më komplekse, mirëpo më të politizuara që Kosova është përballur ndonjëherë, dhe prandaj kur them unë që pse presidentja jonë ose kryeministri ynë nuk e diskutojnë çështjen e gjykimit të stërzgjatur dhe maratonik të Hagës me asnjërin nga homologët e tyre, kjo është me të vërtetë dëshpëruese”.

Sipas Çollakut, asnjëri prej dy liderëve kryesorë në vend nuk po interesohet sa duhet për procesin në Hagë e që ai thotë lidhet me trashëgiminë historike të shtetit të Kosovës.

“Secili lider shtetëror ka hapësirë të mjaftueshme politike dhe ligjore që të interesohet për një proces i cili ka të bëjë me trashëgiminë politike dhe historike të shtetit tonë që e kemi ndërtuar me kaq mund dhe sakrificë, dhe këtë gjë nuk po e bën as presidentja, dhe as kryeministri”.

Të ngjashme