Lajme
Çitaku e konsideron papërgjegjësi e injorancë deklaratën e Gërvallës për BE-në
Demokracia
22:03 | 08 Korrik 2023

Share:

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka konsideruar “papërgjegjësi, të përzier me megalomani dhe injorancë” deklaratën e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, që të shtunën e quajti Bashkimin Evropian “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë, pa NATO-n e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Evropa tigër prej letre, deklaron Ministrja e Jashtme e Kosovës në një konferencë ndërkombëtare. Çfarë papërgjegjësie, e përzier me megallomani dhe injorancë. Zatën, këto të trija rëndom shkojnë bashkë. Sa për referencë, “ tigër prej letre” i ka quajtur Mao Zedong SHBA-të”, ka shkruar Çitaku në Facebook të shtunën në mbrëmje.

Gërvalla të shtunën në Forumin e Dubrovnikut u shpreh se BE-ja nuk ka vullnet politik për të ofruar siguri si dhe ka shumë mospajtime brenda.

Ndaj saj, patën përgjigje në këtë forum emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që u shpreh se BE-ja mund të mos jetë e përsosur, por shtoi se “është më i miri union që ekziston”, ndërsa Gabriel Escobar, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, u shpreh se “të gjitha zhvillimet pozitive të gjeneratës kanë ndodhur për shkak të bashkëpunimit evropiano-amerikan”.

Të ngjashme