Lajme
Cili është qëllimi i sulmeve të ministrave të Qeverisë Kurti drejt Prokurorisë Speciale?
Demokracia
13:30 | 27 Gusht 2023

Share:

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë javës që po e lëmë pas, prodhuan dy video-mesazhe në të cilat drejtonin akuza nga Prokurorisë Speciale. Haxhiu ka deklaruar se auditori i brendshëm i Ministrisë së Drejtësisë ka gjetur keqpërdorim në dhënien e një prone në Vushtrri te një person fizik dhe sipas saj, Prokuroria nuk po lëvizë në këtë drejt.

Haxhiu ka shtruar edhe një pyetje në fund të video: “Për çfarë dhe për kë po punon Prokuroria Speciale?”Njëjtë ka vepruar edhe ministri Peci. Ai ka bërë dy video lidhje me disa keqpërdorime e që sipas tij, Prokuroria nuk po merret me këto raste.

Këto reagime të pushtetit po bëhen në kohën pasi Prokuroria Speciale ka arrestuar tre persona të dyshuar për aferën e vajit dhe grurit. Këto sulme të ministrave të Qeverisë Kurti ndaj Prokurorisë Speciale u kritikuan nga njohësit e çështjeve juridike, ku thanë se janë të papranueshme dhe po cenojnë rendin e ligjin në Kosovë.

Avokati kosovar, Ardian Bajraktari thotë se deklaratat e ministrave të Qeverisë Kurti karshi Prokurorisë Speciale janë të papranueshme dhe sipas tij, janë sulm i drejtpërdrejtë në punën e sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Bajraktari në një prononcim për GazetaBlic thekson se, e gjitha çfarë duhet bërë është ndjekja e procedurave të përcaktuara me legjislacionin përkatës, kur palët janë të pakënaqura me vendimet, apo kanë fakte se organet ligjzbatuese duhet të veprojnë ndryshe, pra, sipas tij, çdo qytetarë në çfarëdo cilësie dhe funksioni që ka, si dhe çfarëdo statusi apo cilësie në procedurë, duhet të bashkëpunoj me organet e drejtësisë e në asnjë mënyrë t’i sulmojë ato.

“Deklaratat e ministrave, të natyrës dhe përmasave të papara që nga ekzistenca dhe funksionimi i shtetit tonë, janë ta pa pranueshme, pavarësisht nëse janë të bëra me koordinim apo jo, janë sulm i drejtpërdrejtë në punën e sistemit gjyqësor dhe prokurorial”, tha Bajraktari. Sipas tij, me deklarata të tilla dëmtohet sundimi i rendit dhe ligjit. “Në rastin kur eksponentët e pushtetit, bëjnë sulme apo lënë të nënkuptohet, nëpërmjet deklaratave të ndikojnë në sistemin e drejtësisë, për ta dëmtuar imazhin apo perceptimin ndaj tyre, dëmtojnë seriozisht sundimin e rendit dhe të ligjit, minojnë besimin e publikut në drejtësi. Ulja e besimit në drejtësi, sjell pasoja afatgjata në të gjitha fushat e jetës, prandaj duhen ndaluar sa më parë”, tha Bajraktari.

Jeton Halimi Drejtor Ekzekutiv në Institutin për Studime Evropiane dhe Globale thotë se sulmet nga ana e Qeverisë drejt Prokurorisë Speciale e cenojnë rëndë sistemin Prokurorial të Kosovës. Halimi foli edhe për kryeprokurorin, Blerim Isufaj, ku thotë se këto sulme po bëhen veçanërisht ndaj tij. “Sulmet nga ana e ministrave të qeverisë Kurti ndaj Prokurorisë Speciale veçanërisht kundër Keyprokurorit, Blerim Isufaj janë të papranueshme dhe cenon rëndë sistemin Prokurorial Kosovës”, tha ai.

Sipas Halimit, me veprimet e fundit po vërtetohet se ministrja Haxhiu nuk  është e aftë në profesionin e saj.“Me Kushtetutën Republikës Kosovës, pushtet jonë të ndara shumë mirë ligjërisht. Nuk e di pse marrin guximin të sulmohet Prokuroria e Shtetit, më çudit fakti që ministrja e Drejtësisë vetë është juriste dhe bënë kësi gabime të qëllimshme. Dita ditës po vërtetohet se Haxhiu është shumë e dobët në profesionin e saj”, tha Halimi.

Halimi thotë se ky sulm drejt Prokurorisë, vjen pas arrestimeve të fundit për aferën e grurit dhe vajit. “Ky sulm vjen si pasojë e arrestimeve të fundit në lidhje me aferën e grurit dhe vajit në Ministrinë ku drejtohet nga Rozeta Hajdari”, tha ai.

“Blerim Isufaj është sulmuar edhe herëve të tjera nga kryeministri Kurti. I gjithë ky sulm bëhet vetëm për njollosjen e Isufajt. Kryeministri nuk e lë presidenten Osmani që ta dekretojë.” “Ministrat e Kurtit e kanë të kotë, Isufaj është shumë profesional në punën e tij dhe nuk e ka as më të voglën afër apo korrupsion prej momentin të parë ku ka filluar punën si Kryeprokuror i shtetit”, tha Halimi

Të ngjashme