Lajme
Çfarë tregon historia për bumet post-pandemike
Demokracia
11:44 | 20 Maj 2021

Share:

The Economist shkruan se studimet tregojnë se pas pandemive “njerëzit shpenzojnë më shumë, rrezikojnë më shumë por edhe kërkojnë më shumë nga politikanët”

Pandemia e Kolerës, në fillimin e viteve 1830 goditi Francën fuqishëm. Mori jetën e gati 3 për qind të parisianëve brenda një muaji ndërsa spitalet u mbingarkuan nga pacientët me simptoma që mjekët nuk mund t’i shpjegonin. Por, fundi i murtajës nxiti një ringjallje ekonomike, me Francën që ndoqi Britaninë në një revolucion industrial. Por siç e di kushdo që ka lexuar “Les Misérables”, pandemia gjithashtu kontribuoi në një lloj tjetër revolucioni. Zemërimi dhe mllefi i të varfërve të qytetit, të goditur më rëndë nga sëmundja, kundër të pasurve, të cilët kishin ikur në shtëpitë e tyre jashtë qytetit për të shmangur sëmundjen, kulmoi në këtë fazë. Si rrjedhim, Franca pa paqëndrueshmëri politike për vite të tëra.

The Economist, në një shkrim që studion parashikimet e ekonomistëve, thotë se edhe pse Covid-19 vazhdon të dërmojë vendet e varfra, bota e pasur është në prag të një bumi post-pandemik, përcjell Demokracia.com.

Qeveritë po heqin kufizimet pasi vaksinimet vazhdojnë të zvogëlojnë hospitalizimet dhe vdekjet nga virusi. Shumë ekspertë mendojnë se ekonomia e Amerikës do të rritet për më shumë se 6 për qind këtë vit. Vendet e tjera gjithashtu parashihet të kenë zhvillim jashtëzakonisht të shpejtë (shih grafikun). Analiza e “Economist” e të dhënave të PBB-së për ekonomitë e vendeve të G7 që nga viti 1820 tregon se një rritje e këtillë e sinkronizuar është fenomen i rrallë. Nuk ka ndodhur që nga bumi i pasluftës në vitet 1950.

Situata është aq e panjohur sa që ekonomistët po shikojnë prapa në histori për të provuar të kuptojnë se çfarë mund të ndodh. Historia tregon që pas periudhave të ndërprerjeve masive jo-financiare të tilla si luftërat dhe pandemitë, PBB-ja rimëkëmbet. Por jep edhe tri mësime tjera. Së pari, ndërsa njerëzit janë të etur të dalin dhe të shpenzojnë, pasiguria mbetet. Së dyti, krizat inkurajojnë njerëzit dhe bizneset të provojnë mënyra të reja për t’i bërë gjërat, duke avancuar strukturën e ekonomisë. Së treti, siç tregon “Les Misérables”, shpesh këto pasohen me trazira politike, me pasoja të paparashikueshme ekonomike.

Të nisemi nga e para, shpenzimet e konsumatorëve. Dëshmitë nga pandemitë e mëparshme tregojnë që gjatë fazës akute njerëzit sillen ashtu siç kanë janë sjellë gjatë vitit të kaluar të covid-19, duke akumuluar kursime pasi mundësitë për shpenzime u pakësuan. Në gjysmën e parë të viteve 1870, pas shpërthimit të Lisë, norma e kursimit të familjeve në Britani u dyfishua. Shkalla e kursimit në Japoni është dyfishuar gjatë Luftës së Parë Botërore. Në vitet 1919-20, ndërsa Gripi Spanjoll përhapej, amerikanët grumbulluan më shumë para se në çdo vit tjetër deri në Luftën e Dytë Botërore. Kur goditi lufta, kursimet u rritën përsëri dhe familjet, mes viteve 1941-1945, grumbulluan kursime me vlerë rreth 40 për qind të PBB-së.

Historia gjithashtu tregon edhe se çfarë bëjnë njerëzit sapo jeta të kthehet në normalitet. Shpenzimet rriten, duke nxitur ekonominë dhe punësimin të rimëkëmbet, por nuk ka prova që tregojnë se ka pasur teprim. Mendimi se njerëzit festuan fundin e Vdekjes së Zezë me “shfrenim të egër” dhe “gëzim histerik”, siç supozojnë disa historianë, është (ndoshta) i tepruar. Vitet 1920 nuk ishin “shpërthyese”, të paktën jo në fillim. Në prag të Vitit të Ri 1920, pasi kërcënimi i Gripit Spanjoll kishte kaluar, Broadway dhe Times Square në New York dukeshin “si në kohën e kaluara”, sipas një studimi, dhe Amerika megjithatë dukej “një komb i sëmurë dhe i lodhur”. Një studim i fundit nga banka Goldman Sachs vlerëson se në vitet 1946-49 konsumatorët amerikanë shpenzuan vetëm rreth 20 për qind të kursimeve të tyre të grumbulluara gjatë luftës. Këto shpenzime shtesë sigurisht ndihmuan bumin e pasluftës, megjithëse raportet mujore të qeverisë për “situatën e biznesit” në fund të viteve 1940 ishin gjithsesi përplot shqetësime për një ngadalësim të rritjes ekonomike (dhe vërtetë ekonomia shënoi recesion në vitet 1948-49). Vet-përmbajtja e konsumatorëve mund të jetë një arsye pse ka pak të dhëna për rritje të inflacionit të shkaktuara nga pandemia.

Mësimi i dytë i madh nga bumet post-pandemike ka të bëjë me “furnizimin” e ekonomisë – si dhe ku prodhohen mallrat dhe shërbimet. Edhe pse, në tërësi, njerëzit duket se janë më pak të prirur për të shpenzuar pa menduar mirë pas një pandemie, disa nga ta megjithatë mund të jenë më të gatshëm të provojnë mënyra të reja për të fituar para. Historianët besojnë se Vdekja e Zezë i bëri evropianët më aventurierë në ekonomi. Të hipësh në anije dhe të nisesh për në toka të reja dukej më pak e rrezikshme tash kur kaq shumë njerëz vdisnin në shtëpi. “Apollo’s Arrow”, një libër i Nicholas Christakis i Universitetit Yale, i botuar tash vonë, tregon se pandemia e Gripit Spanjoll solli “gatishmëri më të madhe për të rrezikuar”. Në të vërtetë një studim për Byronë Kombëtare të Kërkimeve Ekonomike të Amerikës, botuar në 1948, tregon se numri i startup-ve lulëzoi nga viti 1919. Sot hapja e bizneseve të reja përsëri është në rritje, në të gjithë botën e pasur, pasi sipërmarrësit kërkojnë të plotësojnë boshllëqet në treg.

Ekonomistët kanë vërejtur edhe një lidhje tjetër midis pandemive dhe një ndryshimi tjetër në “furnizimin” e ekonomisë: përdorimi i teknologjisë për të kursyer në fuqinë punëtore. Pronarët mund të dëshirojnë të kufizojnë përhapjen e sëmundjes dhe robotët nuk sëmuren. Një studim i FMN-së shikon një numër shpërthimesh të sëmundjeve ngjitëse, përfshirë Ebolën dhe SARS-in, dhe zbulon se “zhvillimet e shkaktuara nga pandemitë përshpejtojnë adoptimin e robotëve, veçanërisht kur ndikimi në shëndet është i rëndë dhe shoqërohet me një rënie të konsiderueshme ekonomike”. Vitet 1920 ishin gjithashtu një epokë e automatizimit të shpejtë në Amerikë. Të tjerët kanë tërhequr një lidhje midis Vdekjes së Zezë dhe shtypshkronjës së Johannes Gutenberg. Ka akoma pak prova të forta të një rritje në automatizëm për shkak të Covid-19, megjithëse kanë filluar të identifikohen të dhëna edhe për këtë.

Është çështje tjetër nëse automatizimi i privon njerëzit nga vendet e punës. Por, disa hulumtime sugjerojnë që punëtorët në të vërtetë kalojnë më mirë si pasojë e pandemive. Një studim i botuar vitin e kaluar nga Banka e Rezervave Federale të San Franciskos zbulon se pagat reale priren të rriten. Në disa raste kjo ndodh përmes një mekanizmi makabër: sëmundja pakëson fuqinë punëtore, duke i lënë të mbijetuarit në një pozicion më të fortë negocimi.

Në raste të tjera, megjithatë, rritja e pagave është produkt i ndryshimeve politike – mësimi i tretë i madh i lulëzimeve historike. Kur njerëzit kanë vuajtur në një numër të madh, qëndrimet mund të zhvendosen në favor të punëtorëve. Kjo duket se po ndodh këtë herë: politikë-bërësit në të gjithë botën janë më pak të interesuar në uljen e borxhit publik ose parandalimin e inflacionit sesa në uljen e papunësisë. Një punim i ri nga tre akademikë në London School of Economics zbulon se Covid-19 i ka bërë njerëzit në të gjithë Evropën të kundërshtojnë më fuqishëm pabarazinë.

Presione të tilla, në disa raste, kanë eskaluar në çrregullime politike. Pandemitë nxjerrin në pah dhe theksojnë pabarazitë e mëparshme, duke i bërë ata që janë në anën “e humbur” të kërkojnë dëmshpërblim. Sipas një studimi, në 2013-16, Ebola rriti dhunën civile në Afrikën perëndimore për 40 për qind. Studimet e fundit të FMN-së shikojnë efektet e pesë pandemive, përfshirë Ebola, SARS dhe Zika, në 133 vende, që nga viti 2001, dhe zbulojnë se ato çuan në një rritje të konsiderueshme të trazirave shoqërore. “Është e arsyeshme të presësh që, ndërsa pandemia zbehet, trazirat mund të rishfaqen në vendet ku ato ekzistonin edhe më parë,” shkruajnë studiuesit në një studim tjetër të FMN-së. Trazirat shoqërore duket se arrijnë kulmin dy vite pasi mbaron pandemia. Prandaj, gëzojeni bumin derisa zgjat. Shumë shpejt mund të ketë një zhvillim tjetër në këtë tregim, shkruan “The Economist”.

Të ngjashme