OpEd
Çfarë kanë të përbashkët princi Andrew, Kim Jong-uni dhe një gjeneral i Ugandës?
Demokracia
09:12 | 20 Shkurt 2023

Share:

Nga: Simon Tisdall / The Guardian

Si gjeneral i lartë nga Uganda, që është trajnuar nga ushtria britanike në “Sandhurst”, Muhoozi Kainerugaba del të jetë tip i pazakonshëm. Tetorin e kaluar ofroi 100 lopë si çmim për ta bërë nuse kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni. Në një tjetër aventurë për të cilën thuhej se ishte i dehur, në Twitter Muhoozi kërcënoi se do ta pushtojë Kenian dhe se do ta pushtojë Nairobin, gjë që çoi në largimin e tij si komandant i Forcave të Mbrojtjes Popullore të Ugandës. Çuditërisht, në të njëjtën kohë u promovua në gradën me katër yje.

Në ndërhyrjet e tjera të vona të natës, nëpër internet, Muhoozi e ka mbështetur pushtimin rus të Ukrainës dhe e ka lavdëruar Donald Trumpin si “të vetmin burrë të bardhë që ndonjëherë e kam respektuar”. Ai gjithashtu ka një anë shumë më të errët. Ndërkohë që drejtonte Komandën e Forcave Speciale, u implikua në rrëmbimin dhe torturimin e kundërshtarëve politikë. Në vitin 2021, në një si jehonë rrëqethëse të Idi Aminit, e mbrojti të drejtën e tij për të marrë vendime kur “zgjohet nga trullosja e dehjes”.

Siç e dinë ugandasit me lëkurën e vet, Muhoozi ia del mbanë sepse është djali dhe trashëgimtari i supozuar i Yoweri Musevenit, presidentit autoritar të Ugandës. Museveni më së largu mund të tërhiqet në vitin 2026, pas 40 vjetëve në pushtet. Duke e krijuar një dinasti politike dhe duke e siguruar trashëgiminë përpara se të largohet, ai mund të argumentojë se “vazhdimësia” shërben më së miri për interesat e Ugandës, ndërkohë që merr sigurinë për të ardhmen e vet.

Dinastitë politike, në përgjithësi, vijnë në tri forma kryesore – diktatoriale, demokratike dhe mbretërore – dhe ka shenja për ringjallje të tyre. Në fillim të këtij muaji, Kim Jong-uni, diktatori i Koresë së Veriut, përdori paradën e përvitshme të raketave balistike me rreze të gjatë veprimi, si skenar frikësues për një lloj feste për vajzën e tij Kim Ju-ae, e cila mendohet të jetë 10 vjeçe.

Kush e di se çfarë bëri vajza e vogël nga gjithë kjo? Nga ana e vet, babai i saj i gazmor dhe i keq, i quajtur nga Trumpi “njeriu i vogël raketë”, ia dërgoi botës vigjilente një mesazh: domethënë, “ka shumë Kima tjerë që do të vijnë”. Djali i Udhëheqësit të Dashur, Kim Jong-ilit, dhe nipi i atit themeltar të Koresë së Veriut, Kim Il-sungut, tregonte qartë se janë të kota bisedat për ndryshimin e regjimit. Perëndimi do të duhej të merrej pafundësisht me të dhe me të afërmit e tij,.

Hun Seni, njeriu i fortë i Kamboxhias i mbështetur nga Pekini, ka ide të ngjashme për trashëgiminë. Javën e kaluar mbylli një nga platformat e fundit mediatike të pavarura në vend, Zërin e Demokracisë, pasi supozohet se e kritikoi djalin e tij. Në detyrë për 35 vjet, Hun Seni, 70 vjeç, mund të jetë nervoz për atë që do të vijë më pas. Sipas tij, trashëgimtar duhet të jetë Hun Maneti, djali i favorizuar të cilin e ka bërë zëvendëskomandant të forcave të armatosura. Amnesty International thotë se kushdo që nga distanca kritikon familjen e Hun Senit, përballet me “represion të vazhdueshëm”.

Qëndrueshmëria dhe përhapja e dinastive diktatoriale pasqyron si pasiguritë familjare ashtu edhe prirjen globale drejt autoritarizmit. Në Iran, sistemi demokratik i të cilit – i pas vitit 1979 – po shkatërrohet, Mojtaba Khamenei, djali i liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei, përmendet si pasardhës i mundshëm. Në Nikaragua, presidenti Daniel Ortega dhe gruaja e tij nënpresidente, Rosario Murillo – apostatët më famëkeq revolucionarë në botë – thuhet se për postin e lartë po përgatisin djalin e tyre Laureano Ortega,.

Në Siri, pasojat e keqmenaxhimit të tërmeteve të fundit kanë nënvizuar se sa e dëmshme mund të jetë dinastia e përjetshme familjare, e papërgjegjshme dhe e paaftë për jetën e zakonshme. Presidenti Bashar-al-Assad e trashëgoi detyrën nga babai i vet, Hafez al-Assad, që ishte i famshëm për masakrimin e kundërshtarëve. Duke e drejtuar Luftën Civile të Sirisë, Bashari iu drejtua të njëjtave taktika brutale, të mësuara në prehrin e babait të vet. Ai nuk ka mësuar asgjë që atëherë. Me dëshirë ose jo, djali i tij i madh, Hafezi, mund ta ndjekë pas largimit të tij.

Angola, për dallim, ofron një rast studimi se si dështojnë dinastitë politike. José Eduardo dos Santos e drejtoi vendin për gati katër dekada – si president dhe si udhëheqës partie. Megjithatë, korrupsioni i madh i lidhur me familjen e tij kontribuoi në rënien e tij. Pasardhësi i zgjedhur nga vetë ai, João Lourenço, iu kthye kundër duke nisur hetimet për fëmijët e tij, përfshirë Isabel dos Santosin që përshkruhet si gruaja më e pasur e Afrikës. Ish-presidenti vdiq vitin e kaluar, në mërgim.

Dinastitë politike prej kohësh kanë ekzistuar edhe brenda demokracive funksionale – me rezultate të përziera. Kennedyt janë shembulli më i njohur i ShBA-së, megjithëse rëndësia e tyre është zvogëluar këto ditë. George HW Bushi fatkeqësisht solli George W Bushin. Në një kohë edhe Trumpi foli për vajzën e vet Ivanka, si trashëgimtare presidenciale. Kanadaja ka familjen Trudeaus – Pierre dhe Justin. Në Indi është e vështirë t’i shpëtosh klanit Gandhi, pasardhësi i fundit i të cilit, Rahuli, ka përfituar në mbarë vendin. Në Pakistan janë të shumtë ata nga familja Bhuto. Për fat të mirë për Britaninë, ka qenë vetëm një Boris Johnson.

Kategoria e tretë e dinastisë – familjet mbretërore – është, në një aspekt, më kërcënuesja për shoqërinë e rregulluar si duhet. Anëtarët e familjeve ambicioze politike ngjiten në majë përmes aftësisë dhe energjisë. Sundimtarëve trashëgimtarë dhe pasardhësve të tyre shpeshherë u mungojnë të dy këto. Ata fitojnë menjëherë poste të nderuara publike duke lindur, kryesisht, midis çarçafëve mbretërorë. Më pas, siç zbuloi Princi Charles i Mbretërisë së Bashkuar, si i ri, ata e fillojnë një betejë të përjetshme të parëndësishme.

Mbreti Maha Vajiralongkorn, i cili u ngjit në fronin tajlandez në vitin 2016, është ndër mbretërit më të prirë ndaj skandaleve. I quajtur Kaligula e Siamit, e promovoi qimedredhurin e tij manar, Foo Foo, në postin e kryemarshallit ajror, ndërsa kreu shumë marrëzi të tjera kur ishte princ i kurorës. Maha duket se së voni është qetësuar. Fokusi ndërkombëtar tani është zhvendosur te një përbindësh tjetër monarkik – princi i kurorës saudite dhe vrasësi i supozuar, Mohammed bin Salman.

Ushtrimi arbitrar dhe i pakontrolluar i fuqisë së trashëguar është biznes që lulëzon në Gjirin Persik. Më pak në Evropë dhe gjetkë – siç jemi dëshmitarë të turpit të monarkisë spanjolle. Në Britani, treshja e tmerrshme, Andrew, William dhe Harry, padashur komplotojnë për ta çuar para çështjen republikane. Princat ndërluftues dhe arrogantë ua japin dinastive të gjitha varietetet e namit të keq – dhe potencialisht i shkatërrojnë ato.

Ky është një mendim që duhet përshëndetur. Dinastitë pengojnë zgjedhjen e lirë dhe ndryshimin politik, ndërsa shfytyrojnë shoqëritë e hapura. Duhet rezistuar ndaj tyre. Si rregull i përgjithshëm, votimi është gjithmonë më i preferuar sesa përkulja.

Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Të ngjashme
OpEd • 27 Prill 2024