Lajme
Çfarë do ndryshojë konkretisht kur Rumania dhe Bullgaria t’i bashkohen zonës Shengen?
Demokracia
11:47 | 20 Janar 2024

Share:

Që nga 31 marsi i këtij viti, Rumania dhe Bullgaria do t’i bashkohen zonës Shengen, e cila lejon lëvizjen e lirë midis vendeve anëtare për 400 milionë qytetarë. Të dy vendet kanë qenë anëtare të Bashkimit Europian (BE) që nga viti 2007, por duke qenë se nuk ishin pjesë e zonës pa kufij, udhëtarëve u kërkohej ende të tregonin pasaportat gjatë hyrjes.

Në vitin 2024, kontrollet kufitare për të dy vendet do të thjeshtohen. Kur Rumania dhe Bullgaria t’i bashkohen zonës Shengen këtë vit, udhëtarët do ta kenë më të lehtë të vizitojnë të dy vendet.

Dy ministritë e brendshme njoftuan në dhjetor se do të hiqen disa kontrolle kufitare. Udhëtarët që vijnë nga ajri ose deti nga vendet e tjera të zonës Shengen nuk do të duhet të tregojnë më pasaporta pas mbërritjes. Kjo do të thotë se pasagjerët në fluturime, lundrime dhe tragete nuk do t’i nënshtrohen kontrolleve.

Megjithatë, nëse jeni duke vozitur ose duke mbërritur me tren ose autobus në Rumani dhe Bullgari, do t’ju duhet ende të mbani letërnjoftim pasi rregullat që rregullojnë kufijtë tokësorë nuk janë vendosur ende. Kjo për shkak të vetos së ushtruar nga Austria.

“Do të duhet të merret një vendim i ri për të caktuar një datë për heqjen e kontrolleve në kufijtë tokësorë”, thekson Këshilli Europian në faqen e tij të internetit. Vendi i fundit që iu bashkua zonës Shengen ishte Kroacia në vitin 2022.

Çdo vit, 1.25 miliardë udhëtime zhvillohen brenda kësaj zone dhe 3.5 milionë njerëz kalojnë çdo ditë kufijtë e vendeve anëtare të saj.

Pa llogaritur Rumaninë dhe Bullgarinë, zona Shengen përfshin 27 shtete. Njëzet e tre i përkasin BE-së dhe katër janë shtete të lidhura me Shoqatën Evropiane të Tregtisë së Lirë: Norvegjia, Islanda, Zvicra dhe Lihtenshtajni. Zona Shengen u krijua në 1995 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Shengenit 10 vjet më parë midis pesë vendeve anëtare të Komunitetit Ekonomik Eropian: Gjermanisë, Belgjikës, Francës, Luksemburgut dhe Holandës.

Disa marrëveshje të tjera pasuan deri në zgjerimin e vitit 2007, duke integruar nëntë vende të tjera në zonën e lëvizjes së lirë. Udhëtarët pa shtetësi të BE-së këshillohen të mbajnë mend se qëndrimi në Bullgari dhe Rumani llogaritet në kohën e kaluar në zonën Shengen, e cila nuk mund të jetë më e gjatë se 90 ditë në 180 ditë.

Të ngjashme