Lajme
“Budallaki”| Marshimi i FSK-së në jug të Mitrovicës dërgon drejt “Republikës së KFOR-it”
Demokracia
10:01 | 24 Qershor 2023

Share:

Marshimi kondicional i Regjimentit të Tretë të Forcave Tokësore të FSK-së në jug të Mitrovicës ka nxitur reagime vendore dhe ndërkombëtare. Parakalimi i FSK-së në Mitrovicë në këtë situatë është vlerësuar si veprim i dëmshëm për Kosovën nga njohësit e rrethanave politike në vend.

Ata kanë bërë me dije se veprimet e tilla si rezultat kanë forcimin e autoritetit të KFOR-it në atë pjesë të vendi.

Drejtuesi i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, parakalimin e djeshëm të FSK-së e ka quajtur budallaki.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se nuk ka besuar se që do shkohet deri në këtë nivel të budallakisë.

“E kam ditur qe nuk jeni fort te mencur, por qe jeni aq budalle sa me e derguar FSK-ne ne Mitrovice ne kete situate nen pretendimin se keto jane ushtrime te rregullta nuk ma ka marrur mendja. Si jeni duke i grahur punes, “zajednicen” keni me e lype, por nuk keni me e gjete! Po ju nje dite do te shkoni, por ketij vendi do i mbetet kopili ne dere! Apo ndoshta edhe ne do te fillojme t’i festojme humbjet”, ka shkruar ai.

Edhe politologu Agon Maliqi, është shprehur kritik ndaj marshimit të FSK-së në jug të Mitrovicës.

Ai ka thënë së një veprim i tillë për rezultat ka vetëm forcimin e Republikës së KFOR-it.

Sipas tij, me veprimet e fundit në veri janë të kënaqur edhe serbët e veriut.

“Isha në veri pardje me gazetarë të huaj dhe ironia më e madhe e kësaj situate është se nuk janë vetëm militantët e pushtetit tonë të kënaqur me zhvillimet. Mund t’ju them me bindje se perceptimi i serbëve atje është se, përveç acarimit me prezencën e policisë dhe me arrestimet, rrethanat po shkojnë në favor të tyrin me çdo përshkallëzim që e fuqizon rolin e KFOR-it”, ka shkruar ai.

Ai ka treguar se cili mund të jetë rezultati përfundimtar i këtyre veprimeve.

“Në veri nuk gjen njeri sinqerisht të interesuar për asociacion, i cili do të nënkuptonte integrim në Kosovë, por vetëm për ndarje, dhe ideja se asociacioni po shkon drejt dështimit përjetohet si njëfarë lehtësimi. ‘Serbët e çliruar prej bandave’, e të cilëve po u flitet në serbisht përmes media sociale, janë një produkt i imagjinatës së pushtetit si dikur “pošteni Albanci”. Të tillë mund të ketë në jug por jo në veri. Nuk e di ku e ka fundin logjik kjo qasje por sikur jemi një shkallë pranë humbjes së ndonjë jete. Parakalimi i FSK-së në jug në rrethanat e sotme, njësoj si pozicionimi i ushtrisë serbe rreth kufirit, e kanë si rezultat përfundimtar veç Republikën e KFOR-it”, ka shkruar ai.

Kritika e Borellit

Parakalimi i FSK-së në veri nuk i ka pëlqyer as krediplomatit evropian, Josep Borrell.

Ai ka kritikuar ashpër Kosovën për këtë veprim dhe arrestimet e serbëve në veri.

Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se BE-ja nuk do t`i tolerojë këto gjera.

“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të menaxhimit të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë.” – ka shkruar ai, përcjell Nacionale.

Ndaj këtyre fjalëve të rënda, ka reaguar kryeministri Albin Kurti.

Kurti ka bërë me dije se ushtrimet e FSK-së në Mitrovicë të Jugut ishin të planifikuar, dhe KFOR-i ishte i informuar. “Ushtrimet e sotme të FSK-së në Mitrovicë të Jugut janë një aktivitet i planifikuar, për të cilin KFOR-i ishte i informuar. Kishte 215 ushtarë nga garnizoni “Minatori” deri në Frashër dhe pas. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm.” – u shpreh ai.

Ai ka thënë se në këtë situatë nuk duhet të shpërndahet panik.

“Duke shpërndarë panikë dhe pretendime të rrejshme, vetëm nxiten tensione dhe ndihmojnë ata që tentojnë të ekskalojnë ato. Një thirrje për të gjithë: ju lutem konfirmoni burimet tuaja dhe prisni për informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës, para se të vendosni që të përfshiheni në transmetim të lajmeve apo të parashikoni ngjarjes”, ka shkruar Kurti.

Të ngjashme