Lajme
Brutaliteti i mendësisë autokratike: Deputetja Doarsa Kicaj numëron disa shembuj të shkeljeve brutale të Kushtetutës
Demokracia
14:26 | 15 Qershor 2023

Share:

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka bërë një status në profilin e saj në Facebook në të cilin ka numërruar disa prej shkeljeve më skandaloze të Kushtetutës.

Kica Xhelil ka përmendur shtatë nene që shkelen si shembuj për të treguar gjendjen alarmante në 15 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës që po shënohet sot.

Ajo përmend shkeljet prej Nenit 4 (që flet për ndarjen e pushteteve) e deri te Neni 42 (që flet për lirinë e mediave), duke thënë madje se ka edhe shumë dispozita tjera që shkelen në vazhdimësi.

“Problemi më i madh, sado skandaloz, nuk kufizohet në shkeljen e dispozitave kushtetuese. Pjesa akoma më skandaloze ka të bëjë me faktin që e bëjnë me një lloj krenarie. Vrazhdësia e brutalitetit të mendësisë autokratike ka të bëjë me normalizimin e idesë së shkeljeve kushtetuese.” – thotë në fund të statusit të saj.

Statusi i plotë:

Më 15 qershor 2008, hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Sot, më datë 15, pas 15 vitesh, kjo Kushtetutë shkelet brutalisht.

Nuk është hera e parë, e as qeveria e parë që e shkel, por nuk mbaj mend të jetë shkelur më shpesh se tani. Po i marr vetëm disa shembuj.
Neni 4, flet për Ndarjen e Pushteteve. Ky nen shkelet secilën herë që qeveritë sillen si eprorë të drejtësisë, SIDOMOS kur publikisht sikurse tani, japin “bekimin” ose jo për emërime të akterëve të drejtësisë. Kjo lidhet edhe me Nenin 109, dhe jo vetëm.

Neni 7, flet për Vlerat kushtetuese, barazinë para ligjit e sundimin e ligjit, që ngërthen parimin e sigurisë juridike. Sot, nxjerren ligje që retroaktivisht prekin mandatet ekzistuese që në çdo praktikë evropiane konsiderohet shkelje e parimit të sigurisë juridike.

Neni 10, flet për Ekonominë e Lirë. Sot, në vazhdimësi ka iniciativa ligjore që synojnë përcaktimin e kufizimeve tregtare në shpërputhje me parimin e konkurrencës dhe ekonomisë së lirë.
Neni 12, flet për Vetëqeverisjen Lokale. Kjo Qeveri mezi pranoi të reflektojë bojkotin tonë kundër centralizimit të buxhetit komunal. U deshën javë të tëra, bojkote të përditshme e deklarime të panumërta që kjo tendencë kundërkushtetuese të sanohet.

Neni 16, Epërsia e Kushtetutës. Ky parim shkelet çdo ditë nga akterë të pushtetit, që si “pishtarë” të fuqive mbikushtetuese, fyejnë e shajnë ata që kërkojnë mbrojtje të kushtetutshmërisë. Nga kryeministri te pjesa dërrmuese e ministrave, bëhej thirrje kundër dërgimit të ligjeve në Gjykatë Kushtetuese, duke nënkuptuar edhe vetëdijën e tyre të rrezikshme që Kushtetuta po shkilet por që ne duhemi mbyllur sytë.

Neni 33, Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit. Ky parim, shkelet secilën herë që Ministria e Drejtësisë në mënyrë të verbër e euforike sjell nisma ligjore në shpërputhje me parimin e proporcionalitetit, që i bën dispozitat e pazbatueshme. Si rezultat, gjithmonë pësojnë viktimat nga dualizmat e kolizionet ligjore kundër praktikës së GJEDNJ, që vetëm efikasitet nuk prodhojnë.

Neni 42, Liria e Mediave ngërthen parimin e ndaljes së cenzurimit përmes veprimeve të ekzekutivit. Gjithmonë ka një pretekst. Gjithmonë ka një shkas. Gjithmonë ka një thirrje. Por asnjë pushtet demokratik nuk lejon cenzurë pa zbardhje faktesh e pa vlerësime ligjore nga ata që kanë tagër t’i bëjnë këto vlerësime, e që nuk e përfshijnë ekzekutivin.

Kjo përmbledhje nuk shterrohet me kaq. Ka edhe shumë dispozita të tjera që shkelen në vazhdimësi.

Problemi më i madh, sado skandaloz, nuk kufizohet në shkeljen e dispozitave kushtetuese. Pjesa akoma më skandaloze ka të bëjë me faktin që e bëjnë me një lloj krenarie. Vrazhdësia e brutalitetit të mendësisë autokratike ka të bëj me normalizimin e idesë së shkeljeve kushtetuese.
Doarsa R. Kica

Të ngjashme