OpEd
Brenda çdo demokrati fle një diktator
Demokracia
09:17 | 25 Qershor 2023

Share:

Shkruan: Ermal Mulosmani

Javier Marias është (ndoshta) shkrimtari spanjoll më i rëndësishëm i shekullit të fundit. Vdiq vjet në Shtator 71 vjeç. Po lexoj një roman të tij me titull: “Një zemër kaq e bardhë”.

Titulli është marrë nga “Makbethi”, kryevepra e Shekspirit. Pak momente pas vrasjes së mbretit Dunkan, vrasësi Makbeth vjen i tmerruar dhe takohet me të shoqen, nxitësen kryesore për krimin. Fraza që shkrimtarin spanjoll e ka frymëzuar për të shkruar romanin është kjo:

“Si ti i kam edhe unë duart por më vjen turp që kam një zemër kaq të bardhë”.

Persiatjet e Marias për të analizuar sjelljet e gjeneral Makbethit dhe të shoqes pas vrasjes së Dunkanit janë mjaft interesante për tu lexuar por këtu nuk do të merrem me to.

Më poshtë do të shkruaj për një kapitull tjetër, për një situatë që ndodh 10 shekuj më vonë .

*******

Është skena e njohjes së personazhit kryesor të librit, Juan me gruan e tij të ardhshme, Lucinë. Të dy personazhet janë përkthyes (edhe në jetën reale Marias ka qenë përkthyes anglisht-spanjisht). Është një takim i nivelit të lartë mes një funksionareje angleze dhe homologut të saj spanjoll. Në takime të tilla, për sigurinë e përkthimit, caktohen dy përkthyes, njëri përkthen dhe i dyti thjesht kontrollon të parin që të jetë rigoroz. Përkthyes ishte Juan ndërsa dublante Lucia. Ishte takimi i tyre i parë, nuk njiheshin më parë.

Shkrimtari rrëfen me njëfarë përbuzjeje të pafshehur kotësinë e bisedave protokollare mes dy funksionarëve të lartë që nuk njohin gjuhën e njëri tjetrit (çka ndodhte rëndom). Kishte momente pauzash që mbuloheshin me buzëqeshje apo belbëzime të papërkthyeshme të tipit: “Një dy tre katër o sa mirë do t’ia kalojmë” apo “Tweedle tweedle , biddle diddle, twit and fiddle tweedle twang”…

Këto situate të përsëritura takim pas takimi e kishin bezdisur Juanin. Në një moment, zyrtari spanjoll(ministër) e pyet kolegen angleze nëse do çaj. Pyetja është kaq e thjeshtë sa ndoshta edhe mund të kuptohej pa përkthyes.

Juanin e kap një guxim prej të marri që përcakton një rrjedhë bisede mjaft interesante. Ai e përkthen propozimin për çaj kështu:

“A ju duan në vendin tuaj?”

Lucia e dëgjon përkthimin dhe befasohet. Ishte ndoshta një mënyrë e guximshme flirtimi?! Lucia nuk ndërhyn për të korrigjuar dhe biseda futet në një qerthull krejt të papritur: të dy kolegët ngjallen në një bisedë plot dinamikë e interes reciprok. Të dy shfaqin brenga se demokracia ka mjaft kufizime, se njerëzit edhe pse të votojnë nuk tregojnë dashuri për të zgjedhurit. Pak e nga pak i rrrisin dozat e urrejtjes ndaj demokracisë dhe tregojnë një nostalgji për diktaturat.

Ministri spanjoll thotë:

“Shikoni, mendoj se për diktatorët, për pushtetarët që nuk votohen asnjëherë dhe nuk zgjidhen në mënyrë demokratike, ka më shumë dashuri në vendin e tyre. Ka gjithashtu shumë urrejtje, merret vesh, por duhen më fort nga ata që i duan, të cilët, për më tepër, shtohen vazhdimisht”.

Pak më poshtë spanjolli vazhdon duke iu referuar Frankos:

“Unë nuk mund të bëj atë që bënte diktatori ynë Franko, nuk mund t’i mbledh njerëzit për një akt mbështetjeje në sheshin e Orleanit, që të na brohorasin, neve të kabinetit, dua të them neve jemi vetëm pjesëtarë të një kabineti, apo s’është ashtu? Franko e bënte me çfarëdo lloj preteksti dhe thuhej se njerëzit shkonin me detyrim për të brohoritur. Është e vërtetë gjithashtu se e mbushnin sheshin, ka fotografi dhe dokumentarë që nuk gënjejnë, dhe jo të gjithë shkonin nga shtrëngimi, sidomos viteve të fundit, në një kohë që reprezaljet nuk qenë edhe aq të ashpra. Shumë njerëz kanë qenë të bindur se e donin po pse? Sepse më parë kishin qenë të detyruar ta donin, dekada me radhë. Të duash dikë është zakon.”

“Oh, mik i dashur”, ndërhyn anglezja, “sa mirë ju kuptoj, sa do të jepja për një akt mbështetjeje të tillë! Në vendin tim, fatkeqësisht, kjo shfaqje e një kombi të tërë të bashkuar si për festa ndodh vetëm kur protestojnë. Është shumë ligështuese të dëgjosh sesi na shajnë pa na dëgjuar dhe pa i lexuar fare ligjet tona, tërë kabinetin, siç thoni ju, me pankarta fyese, shumë e dëshpërueshme…Vallë asnjëherë nuk mund të na brohorasin?”

Juani tmerrohet tek dëgjon të tilla dialogje. Ja sesi e përshkruan ndjesinë:

“O Zot mendova, këta politikanë demokratë paskan nostalgji diktatoriale.. Për ta çdo arritje dhe çdo konsensus do të jetë gjithmonë vetëm një realizim i zbehtë i një dëshire intime totalitare, dëshira për unanimitet dhe që të jenë të gjithë dakort; sa më shumë t’i afrohej realizimit të kësaj ëndrre aq më i madh do të ishte ngazëllimi i tyre, ndonëse asnjëherë nuk do t’iu mjaftojë, lavdërojnë kundërshtimin, porn ë të vërtetë për ta është një mallkim, një pocaqi”

Persiatja e Juanit (personazhit kryesor) mbaron me tekstin e mëposhtëm që i dedikohet mosndërhyrjes së Lucias:

“Nuk më kallëzoi, nuk më ndërhyri, nuk më përgenjështroi, ndenji në heshtje, dhe mendova se përderisa ma lejoi këtë mund të më lejonte gjtihçka gjatë jetës sime, asaj gjysmë jete që ende s’e kisha jetuar”

Pra, edhe Juani zbulon dëshirën e tij të brendshme për nënshtrim dhe sheh te nënshtrimi i Lucias arsyen pse ajo mund të jetë gruaja e ardhshme. Megjithëse deri në ato momente nuk ka ndërruar asnjë fjalë dhe as nuk e ka idenë më të vogël se kush është ajo….

Prandaj bota ka bërë kufizime, rregulla, dublime, kontrolle pushteti. Sepse brenda çdo “demokrati” fle një diktator.

Të ngjashme
OpEd • 27 Prill 2024