OpEd
Bota ka nevojë për një NATO ekonomike
Demokracia
14:21 | 23 Maj 2022

Share:

Nga Bruce Stokes “Foreign Policy”

Shefja e diplomacisë britanike, Liz Trus, propozoi në fjalimin e saj në parlament më 27 prill, që G-7 “të veprojë si një NATO ekonomike, duke mbrojtur kolektivisht zhvillim tonë”. “Në rast se ekonomia e një partneri është në shënjestrën e një regjimi agresiv, ne duhet të veprojmë për ta mbështetur atë. Të gjithë për një, dhe një për të gjithë!”- tha ajo.

Synimi i Trus për të krijuar një pakt të sigurisë ekonomike, sipas modelit të aleancës ushtarake të NATO-s është i mirë. Ai ka thjeshte nevojë për të përcaktuar disa detaje. A mjafton vetëm përfshirja në të e vendeve të G-7? Çfarë do të përbënte një sulm? Cila do të ishte përgjigja?

Fuqia dhe besueshmëria e NATO-s, e sanksionuar në nenin 5 të traktatit të saj themeltar, është angazhimi i saj se “një sulm i armatosur kundër një ose më shumë vendeve anëtare në Evropë apo Amerikën e Veriut, do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve”.

Që nga themelimi i NATO-s në vitin 1949, vija e kuqe e përcaktuar nga Neni 5 – dhe e mbështetur nga fuqia ushtarake e SHBA-së, dhe angazhimi i vazhdueshëm i popullit amerikan ndaj aleatëve të tyre evropianë – e ka penguar agresionin ushtarak kundër anëtarëve të NATO-s.

Sot, sanksionet ekonomike janë shndërruar në mjetin kryesor të Perëndimit kundër Rusisë për shkak të pushtimin brutal të Ukrainës, por edhe për veprimet e paligjshme të regjimeve diktatoriale nga Mianmari në Iran. Lista e sanksioneve që po zbatohen ndaj Rusisë është e paprecedentë, gjë që sugjeron se ky mekanizëm po evoluon me shpejtësi në një element shumë të rëndësishëm lufte.

Që t’ua bëjë të qartë vendeve, se mund të përballen me pasoja të ngjashme shkatërruese, nëse përfshihen në veprime brutale, ai që nevojitet është “Neni 5 i natyrës ekonomike”. Si një paralajmërim për vendet diktatoriale dhe agresore, vendet demokratike duhet të përcaktojnë paraprakisht se cilat do të jenë veprimet e të parëve, që do të shkaktonin vendosjen e sanksione ekonomike nga aleatët.

Në të kaluarën, sanksionet ekonomike nuk i kanë penguar domosdoshmërisht vendet nga sjellja e tyre e keqe. Por vitet e fundit, sanksionet janë bërë gjithnjë e më të sofistikuara dhe dëmtuese. Në rastin e Ukrainës, ato kanë përfshirë ngrirjen e paprecedentë të rezervave valutore të Bankës Qendrore ruse, sekuestrimin e aseteve të oligarkëve, dhe izolimin e  ekonomisë ruse nga pjesa më e madhe e botës.

Shtrirja e sanksioneve është këtë herë e paprecedentë, dhe e ka shqetësuar shumë Kinën dhe vendet e tjera problematike. Kur Shtetet e Bashkuara, anëtarët e Bashkimit Evropian ose Japonia nuk janë të gatshme të hyjnë në luftë – si për Ukrainën apo programet e armëve bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut – sanksionet u mundësojnë të paktën aleatëve që t’ua bëjnë shumë të dhimbshme ato aktivitete keqdashëse, me efekte afatgjata negative mbi ekonominë, prosperitetin dhe nivelin e zhvillimit teknologjik të vendit që shkel ligjet dhe normat ndërkombëtare.

Neni 5 i NATO-s nënkupton se një sulm ndaj një anëtari, do të shkaktonte ose mund të përshkallëzohej me shpejtësi në një luftë bërthamore. Një paqartësi e tillë i ka rezistuar kohës. Ngjashëm, një Nen 5 i natyrës ekonomike nuk duhet të jetë gjithçka ose asgjë, dhe në fakt as që duhet të jetë i tillë.

Hapi i parë do të ishte vendimi për anëtarësimin në këtë strukturë. Propozimi i Trus që G-7 të krijojë një “NATO ekonomike” do të ishte një pikënisje e mirë, sidomos pasi G-7 përfshin tashmë të gjithë BE-në si “anëtare të pa-regjistruar”. Ashtu si NATO, pakti do të ishte i hapur për anëtarë shtesë.

Hapi i dytë  që pa dyshim përbën një sfidë diplomatike – do të ishte përcaktimi i veprimeve që do të nxisnin një reagim ekonomik kolektiv. Edhe nëse veprimi i një agresori nuk përfshin një anëtar të ndonjë pakti të tillë në të ardhmen, përpjekja për të ndryshuar kufijtë me forcë – siç ka bërë Rusia me Ukrainën që nga viti 2014 – duhet të jetë një ngjarje që kërkon një përgjigje të menjëhershme.

Aleatët duhet të jenë në gjendje të bien dakord për këtë parim paraprakisht, duke ia bërë të qartë Moskës se pushtimet e mëtejshme territoriale në Gjeorgji ose Moldavi, nuk do të mbeten kurrsesi të pandëshkuara. Kjo do t’i jepte Kinës mesazhin se çdo pushtim i Tajvanit do të përballej me reagimin e unifikuar të SHBA-së dhe aleatëve, përfshirë një përgjigje të ashpër ekonomike dhe financiare, transmeton CNA.

Përtej kësaj, krijimi i një konsensusi aleat do të jetë më i vështirë. Po sikur Kina ta bllokojë ekonomikisht Tajvanin? Varësia e SHBA-së, Evropës dhe Japonisë nga gjysmëpërçuesit e avancuar tajvanezë, duhet të jetë një arsye bindëse për të arritur një marrëveshje midis aleatëve mbi sanksionet, edhe në rastin e një imponimi ekonomik, përveç një sulmi ushtarak.

Vlera e një Neni 5 të natyrës ekonomike, do të t’i jepte mesazhin një dhunuesi të mundshëm, se fuqitë e mëdha ekonomike të bllokut do ta ndëshkonin atë. Një paralajmërim i tillë paraprak, do t’u jepte agresorëve një ide të qartë mbi koston që do të kishte shkelja e ligjit ndërkombëtar apo e normave të të drejtave të njeriut, përpara sesa të përfshihen në këtë gjë.

Po aq e rëndësishme, negocimi i një Neni 5 i natyrës ekonomike, me shkaqe dhe përgjigje të përcaktuara qartë, do të zgjidhte mosmarrëveshjet midis aleatëve mbi natyrën dhe fushëveprimin e sanksioneve që ata janë të gatshëm të vendosin. Kjo do të forcojë efektin parandalues ​​të sanksioneve, dhe do të shmangë vonesat kohore që kanë shoqëruar sanksionet ndaj Rusisë.

Së fundi, një nga pikat e forta të një Neni 5 Ekonomik do të ishte aftësia e tij për të rënë dakord para kohe, për një trajektore përshkallëzuese, në rast se sanksionet fillestare nuk do të pengonin ose modifikonin aktivitetet e shkelësve të ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare.

Ata mund ta mbajnë sekret këtë plan beteje ekonomik, siç po bën aktualisht NATO me planet e saj të reagimit ushtarak. Ose mund ta bëjnë publike në formën:“Nëse ju bëni këtë veprim, ne do të ndërmarrin atë veprim etj.”

Para luftës në Ukrainë, ekzistenca e një Neni 5 i natyrës ekonomike, do të ishte i paimagjinueshëm. Historia e mosmarrëveshjeve midis vendeve aleate mbi sanksionet, ka qenë e gjatë dhe e hidhur, sidomos midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

Por koordinimi i sanksioneve mbi programin bërthamor të Teheranit, dhe tani bashkëpunimi i paprecedentë për vendosjen e sanksioneve të mëdha kundër Rusisë, dëshmon se aleatët mund të punojnë së bashku. Tani ka ardhur koha të përfitohet nga mundësia e krijuar nga kriza e Ukrainës për ta forcuar këtë përvojë duke u koordinuar akoma më mirë mbi sanksionet.

Një front i tillë i përbashkët, mund të sigurojë një burim edhe më efektiv në “kutinë” e mjeteve diplomatike dhe strategjike të demokracive liberale. Marrëveshja se cilat vija të kuqe nuk mund të kapërcehen pa pasur pasoja – siç përshkruhet në Nenin 5 të NATO-s – e ka ruajtur paqen në Evropë për dekada me radhë. Me udhëheqjen e SHBA-së, bashkëpunimin evropian dhe përfshirjen e aleatëve të tjerë kyçë, një Nen 5 i natyrës ekonomike mund të ndihmojë në ruajtjen e paqes shumë përtej kufijve të NATO-s.

Të ngjashme