Lajme
Bislimi nuk shkon për të raportuar në Komision, opozita: Kjo qeveri më jo transparentja, të shkojmë në zgjedhje
Demokracia
09:59 | 21 Korrik 2023

Share:

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi nuk ka shkuar sot për të raportuar në Komisionin për Integrim Evropian, ashtu siç ishte caktuar.

Kështu bën të ditur në një konferencë për media anëtarë të Komisionit për Integrim Evropian nga radhët e opozitës.

Kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi të enjten ka konfirmuar ardhjen në Komision dhe se ishte datë e caktuar vet nga zëvendëskryeministri.

“…Por, sot e pamë që kjo mbledhje ka qenë e qëllimshme ku nuk ishin prezentë as deputetët e pozitës. Qëllimi i këtij takimi ka qenë të vijë zëvendëskryeministri dhe të na njoftojë lidhur me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës sepse ne si komision ende nuk e kemi listën e projekteve….”, tha ajo, raporton Telegrafi.

Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu tha se po shpërfaqet marrëzia e pushtetit që po ikë pozitës.

“Sot nuk ishte për të raportuar sepse e gjitha që ka bërë kjo qeveri janë skandalet e panumërta, pozicioni më i keq i Kosovës në raport me partnerët e saj, dëme në kurriz të qytetarëve…”, tha ajo.

Deliu tha se Kosova është më keq se kurrë nga brenda, e më e izoluar se kurrë nga jashtë, raporton Telegrafi.

“Sa më herët ky pushtet e liron detyrën e kemi zgjedhje do të jetë lajm i mirë për Kosovën”, tha ajo.

Ndërkaq, Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se kjo është qeveria më jotransparente në raport me dialogun.

“Mungojnë deputetët e mazhorancës dhe zëvendëskryeministri që vet e ka caktuar orën e datën dhe nuk ka ardhur për të raportuar… Kjo qeveri nuk ka legjitimet dhe duhet të shkojë në shtëpi…”, tha ajo.

Të ngjashme