Lajme
Bislimi ha 30 fjalët e veta për dinarin: Takon Lajçakun
Demokracia
10:44 | 05 Mars 2024

Share:

Me rreth 30 fjalë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pati refuzuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur në Bruksel për çështjen e dinarit. Por, sot, ani pse jo në Bruksel, por në Prishtinë, Bislimi detyrohet t’ia hapë derën Ndërmjetësit Miroslav Lajçak për dinarin.

“Por, ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike. Kështu që do të shohim se kush do të shkojë që të bisedojë për dinarin, por nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, pati deklaruar Bislimi më 21 shkurt 2024.

Pas afro 10 ditësh mes kësaj deklarate, Lajçaku dje paralajmëroi ‘hapa të menjëhershëm’ për dinarin dhe i pari, ishte një takim me Bislimin.

Lajçak pasi njoftoi dje në Facebook (si më poshtë) sot ndodhet në Prishtinë.

“Pika kryesore e agjendës sime në Bruksel javën e kaluar ishte takimi ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e përgjigjeve për pyetjet e hapura për vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për operimin me para të gatshme – më konkretisht çështjen e ndihmës së Serbisë për njerëzit që jetojnë. në Kosovë. Përshëndeta angazhimin e të dy delegacioneve për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për komunitetet e prekura. Takimi ishte një hap i parë i rëndësishëm; megjithatë, mbeten shumë pyetje politike dhe do të nevojiten bisedime shtesë në ditët në vijim. Kjo është arsyeja pse si hap i menjëhershëm i ardhshëm do të kem një diskutim vijues me zëvendëskryeministrin e parë dhe kryenegociator të Kosovës Besnik Bislimi”, ka shkruar Lajçak në Facebook.

Para shtatë ditësh, një delegacion nga Kosova i kryesuar nga guvernatori i BQK-së ka zhvilluar bisedime në Bruksel për dinarin.

Siç ka njoftuar BQK, kanë informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila u publikua më 17 janar dhe hyri në fuqi më 1 shkurt, e bën euron valutë të vetme për pagesa në Kosovë.

Ajo nxiti reagime nga komuniteti serb që pranon pagesa në dinarë nga Serbia që nga paslufta më 1999.

Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta tërheqë këtë vendim, ndërsa një pjesë tjetër kërkoi që ta shtyjë, derisa qytetarët të informohen më mirë.

BQK-ja tha se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.

Të ngjashme