Lajme
Bisedat e deputetit Thaçi për Nagipin e punësimet – KEK-u ‘çele guri gojën’
Demokracia
13:42 | 26 Dhjetor 2023

Share:

Gazeta Nacionale ditë më parë publikoi disa biseda të deputetit të Vetëvendosjes, Halil Thaçi, me aplikonte në një konkurs në Korporatën Energjetike të Kosovës. Aplikantët i ankoheshin deputetit për pyetjet e testit, e Thaçi ankesat i drejtonte te ministrja e Ekonomisë e anëtarët e bordit të KEK-ut.

Por, kjo nuk ishte e vetmja. Deputeti Thaçi në një bisedë më të hershme me ministren Artane Rizvanolli, i akuzonte Skënder Bucollin e Luigj Imerin që “e kanë dërguar në burg Nagipin”.

Pas kësaj, Nacionale nga burimet e veta mësoi se deputeti Thaçi për këtë deklaratë do të ftohet për intervistim nga Prokuroria Speciale, e cila po vazhdon me mbledhjen e fakteve për rastin e Nagip Krasniqit.

Megjithatë, kur kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga publikimi i kësaj afere e bisedave që u realizuan brenda Kuvendit, KEK-u nuk e ka thënë as edhe një fjalë.

Nacionale ka dërguar pyetje për 3 herë me radhë në adresën e Korporatës Energjetike të Kosovës. Ata nuk kanë kthyer përgjigje. Nacionale ka tentuar të kontaktojë edhe nëpërmjet telefonit me udhëheqësit e Korporatës, por sërish kontakti ka qenë i pamundur.

Asnjë reagim nuk e ka pasur as Luigj Imeri, i cili në fillim i kishte thënë Nacionales se mund të komentojë vetëm pasi t’i sheh bisedat.

Nacionale ka tentuar të kontaktojë në anën tjetër me Prokurorinë e Prishtinës për mundësinë e ndikimit të deputetit Thaçi në punësime, dhe nëse ky rast po hetohet, megjithatë ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Çka raportoi Nacionale?

Në njërën prej komunikimeve, shihet një bisedë më e vjetër e deputetit të VV-së, Halil Thaçi, me ministren Artane Rizvanolli. Aty, Thaçi i akuzon Luigj Imerin, që është i afërt me VV-në, dhe Skënder Bucollin, se janë të përfshirë në arrestimin e Nagip Krasniqit.

“E vërtet, aman mos i qitni ata qe e qun Nagipin në burg si Luigji e Skender Bucolli, se kam friken veq kan me ja rëndu ma shumë”, thuhet në këtë mesazh.

Deputeti Thaçi pasi e kontaktoi Nacionale e ka pranuar që e ka thënë këtë mesazh, edhe pse ai Nacionalen e ka kërcënuar me padi.

Në bisedat që i ka siguruar Nacionale nga pjesa e sipërme e Kuvendit, deputeti Thaçi shihet teksa komunikon me ministren Artane Rizvanolli. Asaj ia shpreh shqetësimin pse pyetjet e testit në këtë konkurs janë të nivelit master, e jo të shkollës e mesme siç kërkohet.

“Përshëndetje ministre! Është e pa drejt me çfar pytje jan tu i testu puntoret me kualifikim te mesëm ne kek sot, nuk eshte as për bahqelor, është master. Krejt këto pyetje…”, thuhet në mesazhin që deputeti Thaçi ia dërgon ministres Rizvanolli, në fotografinë që e ka siguruar Nacionale.

Pyetjen e njëjtë, deputeti i VV-së në një fotografi tjetër duket se ia ka dërguar edhe anëtarit të Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Arton Ahmeti.

Krejt ky shqetësim i Thaçit, erdhi pas disa komunikimeve që ai pati me disa persona. Njëri prej tyre është Bekim Merlaku. Këtë të fundit, deputeti i VV-së e pyet se sa pikë i ka marrë në test, ai ia kthen se ka dështuar, por shpreson që deputeti mund t’i ndihmojë.

“Bek qa bone”, ishte pyetja e Thaçit. “Sen hiq me te vjetra, ti a je mire. Mujsh ti me ba najsen se ktu smujti me kalu hiq”, ia ktheu qytetari Merlaku. “Sa pik i ke ba Bek”, e pyet deputeti sërish. “37” ia kthen ai.

Deputeti Thaçi është parë teksa komunikon me një tjetër aplikues në konkursin në KEK. Avni Bulliqi i ankohet deputetit se gjatë testimit nuk ia kanë lejuar telefonin. “Sja kena nis hala se spo ta lashin telin hiq. Qa bane Halil. Se di Halil qa kishin ba me test, krejt veq me figura testi. Se besoj si ka me kalu…test”

“Ju shkruva krejteve. Edhe Artanes edhe Milotit. Pyetje te masterit pozitave me shkoll të mesme”, i thotë Thaçi një tjetër personi në facebook.

“Poooo, valla. I destinum me i rrxu njerëzit. Qe edhe Behari ra”, ia ktheu ai. Për këtë temë, deputeti shihet të ketë komunikuar në WhatsApp me një qytetar me inicialet B.L.

Bisedat janë zhvilluar gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës. Nacionale për të gjitha këto mesazhe e ka kontaktuar direkt deputetin Halil Thaçi. Ai është arsyetuar se qytetarët po i shkruajnë për t’iu ankuar rreth konkursit.

“Ata qytetarët mu kanë drejtuar mu, që janë banorë të komunës së Obiliqit, dhe sipas tyre testi ka qenë shumë i vështirë. Kuptohet që ata më njohin si deputet, edhe qekjo pyetje ka qenë edhe për mua”, thotë fillimisht deputeti i VV-së.

Kur Nacionale e pyeti pse i është drejtuar me mesazhe ministres Artane Rizvanolli, deputeti fillimisht e mohon. Pasi Nacionale ia lexon komplet bisedën, ai thotë se “ka mundësi”.

“Nuk besoj që i jam drejtuar ministres, nashta kam folur me njerëz të ndryshëm, por jo ministres. Shiqo ti, qysh e pate emrin, se jam tu hangër bukë. Unë nuk po di, nuk besoj që e kam pyet ministren, kam shkruar me njerëz që e kishin hallin ata, edhe nuk iu kam drejtuar, nuk besoj që i jam drejtuar ministres, po e kontrolloj telefonin”, tha deputeti.

E pasi e pranon që i ka shkruar ministres së Ekonomisë, ai thotë se është e padrejtë të mos punësohen qytetarët e Obiliqit.

“Ka mundësi. Shiqo, unë si njoh anëtarët e komisionit, as nuk e njoh menaxhmentin, e njoh ministren. Unë luftoj për të drejtat e banorëve të Obiliqit, është e padrejtë banorët e Obliqit mos me u punësu në KEK, edhe kanë me u punësu në KEK. Kanë me u punësu, por jo me pyetje për pozita me shkollim të mesëm, me pyetje për Master, këtë nuk e fshehi”, tha ai.

 

Të ngjashme