Sport
Bie interesimi për lojtarë të huaj nga klubet e Superligës, nga dhjetë ekipe vetëm pesë zyrtarizime këtë merkato
Demokracia
16:57 | 19 Korrik 2022

Share:

Vite më parë, klubet e Superligës së Kosovës në futboll kanë qenë shumë aktive në tregun e transferimeve nga jashtë vendit. Interesimi për të blerë futbollistë të huaj ka qenë dukshëm i lart, anise në të shumtën e rasteve rezultati nuk ka qenë ai i dëshiruari.

Autor: AMIR RAMA

Ky interesim për futbollistët e huaj ka rënë dukshëm vitet e fundit, përkatësisht këtë afat kalimtar të verës.

Nga dhjetë klube sa janë pjesë e elitës së futbollit kosovar, vetëm disa nga ta kanë zyrtarizuar futbollistë të huaj, të cilët do “shijojnë” për herë të parë futbollin tonë.

Në total, vetëm pesë futbollistë të huaj kanë zbarkuar për herë të parë në klubet e kampionatit elitar të Kosovës.

Lojtarët e huaj të transferuar deri më tani

Vetëm tri klube këtë merkato kanë zyrtarizuar futbollistë të huaj deri më tani, të cilët nuk janë me nacionalitet shqiptarë.

Llapi ka transferuar tre futbollistë të huaj. Brazilianët Robson Da Silva e Fernandinho i janë bashkuar klubit llapjan këtë merkato. I pari erdhi në “Zahir Pajaziti” nga Al-Mesaimeer, klub nga Katari. I dyti te skuadra e Tahir Batatinës është transferuar nga klubi brazilian, Uberaba.

Llapi transferoi në fillim të merkatos edhe sulmuesin malazez, Igor Vukceviq, por i njëjti veçse është larguar nga ekipi, duke mos arritur pritshmërit e klubit.

Drita e angazhoi Ekow Mills, futbollistin e ardhur nga Ghana. 19-vjeçari karrierën kryesisht e ka nisur në vendlindje, ndërsa është aktivizuar për një vit edhe në një klub spanjoll.

Mills fillimisht ishte në prova te tre herë kampionët e Kosovës, ndërkohë që ka fituar besimin e trajnerit Ardian Nuhiu për të qenë pjesë e ekipit, duke nënshkruar kontratën.

Transferim nga jashtë vendit ka kompletuar edhe Dukagjini, klubi nga Klina që së fundmi prezantoi ukrainasin e ardhur nga futbolli sllovak, Vladyslav Khumutov.

Pse ky interesim i vogël?

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me drejtorin sportiv të Dritës, Valon Zymberin i cili ka bërë të ditur se te gjilanasit përparësi kanë lojtarët vendorë për disa arsye.

“Gjithmonë përparësi kanë lojtarët vendor. Kjo për faktin sepse i njohim më mirë cilësitë e tyre dhe ata e njohin ligën më mirë dhe përshtaten më shpejt, ndërsa për lojtarë të huaj duhet me pas parasysh që koha e adaptimit duhet të jetë më e gjatë. Nuk do të thotë që Drita ka heq dorë nga lojtarë të huaj por që ne kemi arritur të ruajmë ekipin që kemi pasur dhe kemi arritur që të sigurojmë lojtarë vendorë që i kemi pas si target”, deklaroi Valon Zymberi të martën për Demokracia.com.

Ardian Llumnica, analisti dhe njohësi i futbollit të Kosovës në një prononcim për Demokracia.com e quajti “vetdijësim” të klubeve kosovare numrin e vogël të transferimeve të futbollistëve të huaj.

“Klubet janë vetdisuar sepse ka dhjetëra raste kur futbollistët e ardhur nga jashtë vendit nuk i kanë arritur pritshmëritë e performancës dhe kjo ka bërë që klubet të jenë të kujdesshme. Një futbollist nga jashtë duhet ta bëjë diferencën për ta bindur klubin. Nëse këtë nuk e bënë natyrisht që s’ja vlen që ta marrin. Kur kësaj ia shtojmë që kanë edhe kosto shtesë të ushqimit e banimit atëherë mund të konkludojmë se bëhet edhe më e vështirë. Skautimi është zhvilluar tek ne, klubet duan të binden me cilësitë e një futbollisti e jo si më parë me një pamje në ‘YouTube’ të marrin futbollist e më pas të marrin përgjegjësi për kontratat e tyre. Këto janë disa nga elementet që ndikojnë në rënjen e përforcimeve me futbollist të huaj”, theksoi Ardian Llumnica./Demokracia.com/

Të ngjashme