Lajme
“Bërja e Asociacionit pa njohje nga Serbia është tradhti” | Albin Kurti si tradhtar në përkufizimet e Glauk Konjufcës
Demokracia
09:23 | 11 Shtator 2023

Share:

‘Tradhtia’ është fjala e rëndë që është përdorur jashtëzakonisht shumë nga drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë opozitarizmit të tyre të dhunshëm për të përshkruar vendimet e qeverive të kaluara në dialogun me Serbinë.

Kjo fjalë po e shoqëron edhe Vetëvendosjen që tani është në pushtet dhe që dialogu është kryetemë e angazhimit të kryeministrit Kurti. Nuk janë partitë opozitare që kanë përqafuar një diskurs të tillë akuzues, por është pikërisht Vetëvendosje që nuk po arrin të largohet as nga gjuha e dhunshme e kultivuar prej saj, shkruan Demokracia.com.

Më 5 shtator 2023, kryeparlamentari i Kosovës dhe njëkohësisht numri dy në Lëvizjen Vetëvendosje, Glauk Konjufca, e ka rikthyer këtë fjalë në formën e saj të vrazhdë, ashtu si dikur dhe për të njëjtën temë që e përdorte edhe për kundërshtarët politikë: Zajednicën.

Për Konjufcën “… ka me hi si tradhtar në histori të Kosovës kush e bën atë, kushdo, unë nuk po ia di emrin. Kushdo që e merr me e bë Asociacionin pa kurrëfarë njohje prej Serbisë…”.

Një gjuhë të tillë, Konjufca e përdorte edhe për ish-kryeministrin Isa Mustafa, i cili në vitin 2015 kishte nënshkruar marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Në gusht të atij viti, ai e kishte akuzuar për tradhti kombëtare dhe për fuqizim të ndarjes së Kosovës.

“Asociacioni është një autonomi politiko-territoriale e serbëve që jetojnë në komunat me shumicë serbe. Kemi një proces të legalizimit të Beogradit në Kosovë. Autonominë politike të këtij etniteti serb do ta kontrollojë Beogradi. Kuvendi i Asociacionit do ta paralizojë Kuvendin e Kosovës”, thoshte asokohe Konjufca, duke këmbëngulur në rrezikun e saj, duke e quajtur Zajednicën edhe si “bombë e kurdisur nga Serbia”.

Deklarata e Konjufcës dhënë në fillim të këtij shtatori është e çuditshme kur dihet se shefi i tij në parti, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, me Marrëveshjen Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe me pjesën integrale të saj, Aneksin e Ohrit (18 mars 2023), ka pranuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe njëkohësisht ka pranuar që Kosova të mos njihet nga Serbia.

Kryeministri Kurti në disa raste e ka pranuar se në këto marrëveshje që ka pranuar ka Asociacion/Zajednicë.

“Ka Asociacion, neni 10 thotë që të dy palët e konfirmojnë obligimin e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara, të cilat ngelen valide dhe të obligueshme”, e konfirmonte për herë të parë Kurti pranimin e Zajednicës, në një intervistë për RTK-në më 22 mars 2023.

Kurti ndërron, “Zajednicën” e pranon

 

Në atë kohë, Kurti ishte munduar ta paraqes Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit si një njohje de-facto të Kosovës nga Serbia, por së fundmi, zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, e ka nxjerrë zbuluar shefin e tij, duke thënë për mediat serbe se në këto marrëveshje “nuk ka njohje formale dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës”.

Bislimi për Marrëveshjen e Ohrit: S’ka njohje formale, lëshim i madh i Kosovës

Me gjithë orvatjet e mundshme për të arsyetuar se Asociacioni ende nuk është themeluar në terren, kjo do të kishte peshë sikur Kurti të mos pranonte që Marrëveshja Bazë e Brukselit (27 shkurt 2023) dhe Aneksi i Ohrit (18 mars 2023) të bëheshin pjesë integrale e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”, thuhet në nenin 2 të Deklaratës së BE-së e publikuar pas dakordimit të dy palëve në Ohër. /Demokracia.com/

Të ngjashme