Lajme
Berisha kërkon 40 ditë diskutime për humbjen në zgjedhjet vendore
Demokracia
21:25 | 04 Gusht 2023

Share:

Ish-kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht drejtues politik i një prej fraksioneve të Partisë Demokratike, ka thirrur një mbledhje të Këshillit Kombëtar demokrat, ku ka kërkuar të nisë prej 12 gushtit një analizë për humbjen e thellë të pësuar në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Këto diskutime dhe analiza në rang degësh, pritet të zgjasin 40 ditë, deri në fund të muajit shtator.

Me përmbylljen e procesit, të gjitha degëve ndërkaq do t’u kërkohet të dërgojnë përfundimet e analizës, sipas një formati të përcaktuar, pranë sekretariatit organizativ.

Pak ditë më parë, ishte Kryesia, ajo e cila mori një vendim për nisjen e analizës së brendshme dhe thirrjen e Këshillit Kombëtar të fraksionit Berisha.

Nga ana tjetër, kreu i rizgjedhur i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha, ka thirrur Kuvendin Kombëtar demokrat më 2 shtator, ku pritet të merren vendime me rëndësi.

Lajmin e ka bërë të ditur gjatë një takimi me strukturat drejtuese të Qarkut Fier, ku në një fjalë të rastit, Basha theksoi se po nisin hapat e radhës për ta kthyer PD-në në zërin e qytetarëve dhe në sfidën e vërtetë për “Qeverinë e korruptuar të Edi Ramës”.

“Partia Demokratike mundet dhe do ta bëjë këtë, duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve, në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet së cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetuese që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve”, shton më tej ai.

Teksa, pesë shtyllat e projektit politik, mbeten po ato: Listat e hapura, vettingu në politikë, kufizimi i mandateve, vota e diasporës dhe zgjedhja e Presidentit nga populli.

“Përmes këtyre propozimeve, të mbështetura gjerësisht nga qytetarët, ne mund ta ndryshojmë rrënjësisht sistemin politik, duke bërë të mundur që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë thjesht rotacion, por një ndryshim të vërtetë, ashtu siç shqiptarët presin e meritojnë”, pretendon Basha në fjalën e tij.

Pavarësisht kësaj mbledhjeje të lajmëruar, situata në PD vijon të mbetet e përçarë, në tre kampe tashmë: Atë të Bashës, Berishës dhe të Gazment Bardhit.

Ky i fundit ishte kundër mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme demokrate ku kryetar u zgjodh Basha.

Teksa, Berisha, i cili drejton politikisht edhe fraksionin më të mbështetur të PD-së, nuk e njeh lëvizjen e Bashës dhe vijon mbledhjet strukturore të fraksionit të tij.

Më 30 korrik ndërkaq, mbledhja e Kryesisë së PD-së, pas zgjedhjes së Bashës, pa një bojkot masiv të gjysmës së anëtarëve.

Të pranishëm ishin Fitim Zekthi, Taulanda Jupi, Arbi Agalliu, Gazmend Koduzi, Mirela Karabina, Oriola Pampuri, Gentian Gaba, Kreshnik Çollaku, Flutura Açka, Merita Bakiu, Xhemal Gjunkshi dhe Enkelejd Alibeajt dhe Indrit Sefa.

Ndërsa, mbështetësit e Bardhit brenda PD-së zyrtare, e bojkotuan atë, një tregues se edhe Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Basha tashmë më 2 shtator, do të ketë firo të tilla./AP

Të ngjashme