Intervista
Begolli flet për sfidën me Vushtrrinë, gjasat e Lirisë dhe mesazhi për tifozët prizrenas
Demokracia
16:25 | 17 Maj 2022

Share:

Qyteti i Prizrenit është mobilizuar si asnjëherë më parë. Klubi me nam në futbollin e Kosovës që vije nga ky qytet i madh, Liria, është afër rikthimit në elitën e futbollit kosovar. “Bardhezinjtë” deri në arritjen e objektivit kanë para vetes dy “pengesa”.

Autor: Amir RAMA

Liria ka përmbyllur edicionin në Grupin B të Ligës së Parë në vendin e dytë, pozitë kjo që e dërgon në barazh të Ligës së Parë, e në rast të triumfit luan në barazhin e dytë me ekipin që pozicionohet në vendin e 8-të në Superligë për “biletën” e kampionatit elitar në edicionin e ri që nis në muajin gusht.

“Pengesa” e parë është Vushtrria, skuadra që përfundoi edicionin në vendin e dytë në Grupin B të Ligës së Parë. Liria dhe Vushtrria do të sfidohen më 21 maj në stadiumin “18 Qershori” në qytetin e Klinës.

Trajneri i Lirisë së Prizrenit, Granit Begolli në një intervistë për Demokracia.com vlerëson kundërshtarët vushtrrias, ndërsa thotë se ekipi i tij është i përgatitur ngase e njohin skuadrën rivale.

Po sigurisht që kemi pa ndeshjet e Vushtrrisë. Kemi pas kohën e mjaftushme sepse ka kohë që e dinim që kundërshtari jonë do të jetë Vushtrria. Kemi përgatitur ekipin se do të përballemi me një skuadër mjaft të fortë, ku shumica e futbollistëve që paraqiten aty janë po ajo gjeneratë që kanë dalur kampion në Superligën e Kosovës para disa vjetësh. Mendoj që është një ndeshje shumë e vështirë, sepse dihet që te Vushtrria ka futbollistë me shumë përvojë e cilësor”, tha të martën për Demokracia.com trajneri Begolli.

Ish-futbollisti me përvojë dhe tani trajneri Begolli tregoi gjasat që kanë dyja skuadrat në këtë duel.

Gjasat që të kalojmë tutje besoj që janë 50-50 për të dy skuadrat. Kemi zhvilluar një kampionat mjaftë të fortë. Është një ndeshje dhe asgjë nuk mund të parashikohet, por sigurisht ne do të tentojmë shancet tona në këtë ndeshje mjaftë interesante”, shtoi trajneri Begolli.

Liria njihet si skuadër që gëzon shumë mbështetës nga Prizreni, duke ditur se kanë edhe një tifozeri të zjarrtë si “Arpagjikt”.

Begolli u ka bërë thirrje tifozëve t’ia mësyejnë Klinës në një numër sa më të madh për ta përkrahur ekipin, ndërsa i ka premtuar atyre se skuadra që ai drejton do ta bëjë të pamundurën që t’i gëzojë në fund.

Ka kohë që në Prizren tifozët tanë “Arpagjikt” dhe i gjithë qyteti janë duke pritur me padurim ndeshjen. Unë i ftojë që të marrin pjesë në numër sa më të madh sepse do të jetë një përkrahje e madhe për ne. Unë ju sigurojë që ekipi do të jap maksimumin që të shkojmë në finale të barazhit”, theksoi për fund Granit Begolli për portalin.

Granit Begolli iu bashkua klubit të Lirisë më 8 dhjetor të vitit 2021 dhe që nga ajo kohë skuadra prizrenase me paraqitje të mira dhe me rezultate pozitive arriti të bëjë përvete edhe shumë futbolldashës.

Liria kishte rënë nga elita e futbollit kosovar në edicionin 2018/19 kur kishte mbyllur edicionin në pozitën e parafundit./Demokracia.com/

Të ngjashme