Lajme
BE e SHBA njëzëri nga Shkupi, Koopman tregoi rrugën përpara, O’Brien përmendi pasoja për të padëgjueshmit
Demokracia
11:23 | 23 Janar 2024

Share:

Uashingtoni dhe Brukseli qysh prej ardhjes së Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë flasin me një zë sa i përket zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Express.

Drejtuesit e politikës amerikane në secilin prononcim për media theksojnë përkrahjen e tyre për procesin e ndërmjetësimit që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian dhe mbështesin punën e Miroslav Lajcak.

BE dhe SHBA kanë çuar sinjal të njëjtë për rajonin edhe nga Samiti i djeshëm në Shkup, ku është folur për miliardat që Unioni planifikon t’i japë për shtetet e rajonit në mënyrë që ato të ecin përpara drejt integrimit dhe që të zhvillohen ekonomikisht. BE ka treguar se cila është rruga përpara, ndërkohë SHBA ka theksuar se cili është ndëshkimi nëse nuk ndiqet kërkesa e aleatëve evropianë.

Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, ka thënë se sa i përket “Planit të Rritjes”, asnjë prej shteteve s’duhet të bllokojë fqinjët, meqë pastaj s’do të mund të qasen në tregjet e brendshme.

“Ne kemi përfshirë një kusht në këtë Plan të Rritjes e që është se ju nuk duhet të bllokoni fqinjët tuaj. Ne duam që ju të bashkoheni, ju vetëm mund të bllokoni vetën tuaj, por nëse bllokoni fqinjët tuaj qasja në tregjet e brendshme do të jetë e pamundur” , ka thënë Koopman, duke theksuar për mundësinë e madhe që ofron “Plani i Rritjes”, shkruan Gazeta Express

Ndërkohë Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, në përkrahje të deklaratave të zyrtarit të BE-së, ka shtuar edhe paralajmërimin e ashpër, se kushdo nga vendet që provon të bllokojë një vend tjetër për shkak të problemeve të pazgjidhura që kanë, do të ketë pasoja.

O’Brien ka thënë se secili shtet punon për veten e vetë por edhe në grupe të vogla më ndonjë shtet tjetër.

“Secili vend punon për veten, ndoshta në grupe të vogla më të tjerat. Por askush s’ka të drejtë që ta pengojë dikë që të ecë përpara për shkak se kanë çështje dypalëshe të pazgjidhur. Çdo vend që provon do të përballet me pasoja vetë”, ka thënë O’Brien të hënën nga Shkupi.

Kur është pyetur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit ka thënë se SHBA përkrah fuqishëm Marrëveshjen e Ohrit dhe ka bërë thirrje për Kosovën dhe Serbinë që të veprojnë në kuadër të dialogut dhe ta zbatojnë plotësisht marrëveshjen.

Të ngjashme