Lajme
BE arrin akord në parim për të mbrojtur anijet tregtare nga grupimi Houthi në Detin e Kuq
Demokracia
19:27 | 22 Janar 2024

Share:

Vendet e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje në parim, sa i takon nisjes së operacioneve për të siguruar anijet tregtare në Detin e Kuq, nga sulmet e grupimit Houthi, i cili mbështetet nga Irani.

Lajmin e bëri me dije kryediplomati evropian, Josep Borrell, pas një takimi me ministrat e Jashtëm të vendeve të Unionit.

Ky do të ishte edhe hapi më madhor që BE-ja ndërmerr në këtë çështje, duke parë problematikat që Houthit kanë shkaktuar në Detin e Kuq, duke sulmuar anijet e huaja tregtare, për shkak të situatës në Gaza.

SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe pjesa tjetër e botës perëndimore kanë mbështetur Izraelin në fushatën e tyre kundër militantëve të Hamasit. Por, kjo është një padrejtësi sipas Houthi-ve të Jemenit dhe ndaj janë ndërmarrë këto sulme ndaj anijeve tregtare amerikane, izraelite, apo edhe evropiane.

Këtij aksioni të përbashkët pritet t’i bashkohen edhe Italia me Francën, pavarësisht skepticizmit të tyre dhe hezitimit fillestar për t’u përgjigjur ushtarakisht.

Por, duke parë situatën e ndërlikuar, është bërë e qartë se Unioni do të jetë i plotë në bllok për këtë hap të ndërmarrë dhe nëse anijet tregtare cenohen në punën e tyre, atëherë Parisi dhe Roma do të godasin edhe ushtarakisht.

SHBA-të dhe Britania e Madhe ishin dy vendet e para, të cilat ndërmorën sulme ndaj Houthi-ve, duke goditur dhjetëra vendodhje të bazave të tyre në Jemen dhe duke i shpallur luftë të hapur militantëve të mbështetur nga Irani.

Kjo gjithsesi nuk i sprapsi Houthit të kryenin manovra të tjera në det, duke sulmuar anijet tregtare.

Krerët ushtarakë të tyre e shohin çështjen si jetike dhe parimore, duke garantuar se as goditjet amerikane dhe as ato britanike, nuk do të arrijnë t’i ndalin aksionet e tyre, për t’i treguar botës të vërtetën mbi Gazën.

Të ngjashme