Lajme
Baraliu: Vendimi i PZAP-së plotësisht i drejtë dhe kushtetues
Demokracia
20:21 | 08 Mars 2021

Share:

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka anuluar 4 mijë e 205 vota të cilat i kishte siguruar subjekti politik boshnjak, i udhëhequr nga Adrijana Hoxhiq, në komunat e banuara me shumicë serbe dhe ky vendim po shihet i drejtë nga Mazllum Baraliu, profesori i çështjeve juridike kushtetuese.

Gjatë së hënës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka anuluar në tërësi votat në zgjedhjet e 14 shkurtit, për subjektet politike boshnjake në komunat të banuara me shumicë serbe, siç janë Zubin Potoku, Shtërpca, Ranillugu, Graçanica, Parteshi, Kllokoti, Novobërda, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Leposaviqi.

Lexo edhe:

Anulohen të gjitha votat e partive boshnjake dhe rome në komunat serbe

Në arsyetimin e vendimit, PZAP-ja thotë se votat e përgjithshme të partive boshnjake u rritën për 49 për qind, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019 dhe sipas këtij paneli, kjo rritje erdhi për “një arsye të vetme, ku si asnjëherë më parë, mijëra votues të komunitetit serb në Kosovë votuan për përfaqësuesit boshnjak”.

E vendimin për anulimin e votave të Adrijana Hoxhiqit, Mazllum Baraliu, profesori i çështjeve juridike kushtetuese po e cilëson si legjitim dhe kushtetues.

Baraliu ka thënë për Demokracia.com se i gjithë vendimi i PZAP-it është brenda kornizave ligjore dhe kushtetuese.

“Nuk është shkelje, përkundrazi është vendim mendoj unë legjitim dhe i ligjshëm, do me thënë legal, i bazuar në dispozitat kushtetuese në parimet kushtetuese dhe dispozitat ligjore të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Sepse, pikërisht e kundërta e kësaj, do me thënë veprimet që janë bërë pa marrë parasysh dhe pa mohuar faktin dhe legjitimitetin të së drejtës së votës të qytetarit si e drejtë themelore demokratike, megjithatë janë vënë kornizat parimore, pra parimet në kushtetutë, saktësisht në nenin 64 të Kushtetutës së Kosovës, për shkak se ky shtet është dizajnuar si shtet multietnik, ani pse shumica e këtij shteti janë shqiptarë dhe është vendi ndër më homogjenët në Europë. Është dashur të jetë shtet i shqiptarëve dhe të tjerëve, këta e kanë mbështetur multietnik, janë të barabarta komunitetet dhe përfaqësimi në kuvend është i dizajnuar i tillë, i caktuar i tillë që do të thotë nga 120 deputetë 10+10 janë të komunisteve”, është shprehur Baraliu për Demokracia.com.

Sipas tij, qytetarët e komuniteteve të caktuara, në këtë rast të komunitetit boshnjak, duhet të përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës nga përfaqësuesi i tyre dhe ai të vijë në atë pozitë nga votat e qytetarëve që i përfaqëson dhe të mbrojë interesat e tyre në kuvend.

“Dhe ato komunitete rrjedhimisht dhe logjikisht por edhe në frymën e kushtetutës edhe sipas shkronjës së kushtetutës, dispozitat që përmenda edhe dispozitat e tjera, qytetarët e komunitetit përkatës në këtë rast boshnjak duhet të përfaqësohen nga përfaqësuesit boshnjak të cilët janë atje dhe qytetarët boshnjak ish dashur të votojnë qytetarë tjerë pa mohuar po e them përsëri që të mos keqkuptohem, të drejtën e secilit për të votuar këndo”, theksoi Baraliu.

Sipas tij, me votat e komunitetit boshnjak është bërë shkelje flagrante, pasi që siç u shpreh ai për Demokracia.com, nuk kanë votuar qytetarët boshnjak.

Baraliu thotë se e tërë kjo që ka ndodhur është makineri e Beogradit e organizuar përmes Listës Serbe, në mënyrë që kjo e fundit të këtë më shumë fuqi politike.

“ Në këtë rast është bërë shkelje flagrante edhe e parimit të një vote të qytetarit, edhe parimit të përfaqësimit, edhe parimit të kushtetutës edhe parimit ligjor të përfaqësimit ligjor në kuvend nga qytetarët e komunitetit, pra edhe votuesit e një komuniteti për përfaqësuesit e tyre. Dhe në këtë rast aty nuk kanë votuar përfaqësuesit e komunitetit boshnjak për përfaqësuesen e tyre, t’kishin votuar ata (boshnjakët) nuk do të kishte problem, por në këtë rast kanë votuar përfaqësuesit e një komuniteti tjetër që në fakt është një trend vulgar, është një makineri e Beogradit e organizuar përmes Listës Serbe dhe si duket edhe përmes dikujt tjetër disa qendrave vendimmarrëse politike që kanë pasur interes për ta dizajnuar në këtë mënyrë që ta marrin fuqinë politike të komuniteteve dhe ta koncentrojnë te komuniteti serb dhe për t’i bërë 15 dhe jo 10 sa i kanë të garantuara”, ka potencuar Baraliu për Demokracia.com.

I pyetur nëse në të kaluarën ka pasur ndonjë rast të tillë e në veçanti gjatë kohës sa ai ka qenë kryeshef i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Baraliu ka thënë se kjo nuk ka ndodhur dhe se në kohën sa ai ka qenë në krye të KQZ-së nuk ka qenë kjo kushtetutë.

Sipas tij, kjo që ka ndodhur me komunitetin boshnjak, është shkelje e parimit kushtetues.

“Në asnjë mënyrë. Por atëherë kur unë kam qenë kryeshef i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ne nuk kemi pasur këtë kushtetutë, por është shkelje e parimit kushtetues sepse nëse dizajnohet në këtë mënyrë që komunitetet për shkaqe specifike bëhet diskriminimi pozitiv, duhet përfaqësuar nga komunitetet dhe ky parim është shkelur dhe kjo është një precedent i rrezikshëm i cili është bërë mirë dhe është bërë drejt. Dhe absolutisht është vendim i drejtë, mendoj unë, dhe është vepruar drejtë nga PZAP-ja me këtë vendim dhe ato vota duhet domosdoshmërisht të anulohen dhe nga subjekti përkatës i përfaqësuesit përkatës që ka marrë më shumë prej komunitetit boshnjakë, atij i takojnë votat përkatëse, pa dashur në asnjë mënyrë të referohem sepse nuk jam kundër askujt, sepse e drejta e përfaqësimit iu takon, por në frymën e kushtetutës dhe ligjit dhe jo në kundërshtim me ato parime.  Dhe lë të mësohen të gjithë që të veprojnë me mençuri dhe korrektësi ndaj qytetarit dhe jo në këtë mënyrë të përpiqen të bëhen përfaqësues dhe të përfitojnë vota pa marrë parasysh synimet, qëllimet ose ambiciet. Kjo ka qenë thjeshtë shkelje e parimit të kushtetutës dhe një precedent i dëmshëm me pasoja të rrezikshme që në raste të tjera do të mund ta bënin edhe partitë e tjera, qoftë të shumicës shqiptare apo të komuniteteve joshumicë”, u shpreh Baraliu për Demokracia.com.

Në anën tjetër, vetë Adrijana Hoxhiq ka deklaruar se do të ankohet në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-it, duke e quajtur vendim skandaloz dhe të ndikuar politikisht.

Me këtë vendim, PZAP-ja ka anuluar 4 mijë e 205 vota të cilat i kishte siguruar subjekti politik boshnjak, i udhëhequr nga Adrijana Hoxhiq, në komunat e banuara me shumicë serbe. Hoxhiq, sipas rezultatit përfundimtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kishte fituar 6 mijë e 422 vota apo një ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ndërkaq, koalicionit Vakat, i janë anuluar 583 vota, të cilat i ka fituar në këto komuna. Unioni Socialdemorkat i Duda Baljes, me këtë vendim të PZAP-së ka mbetur pa 165 vota si dhe “Iniciativa Jonë” ka humbur 9 vota, kurse Partia e Re Demokratike, 14 vota.

Theksojmë se, sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti boshnjak i ka të garantuara tri ulëse në Kuvendin e Kosovës. Komuniteti turk ka të garantuara dy ulëse, ndërkaq për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas janë të garantuara nga një ulëse si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto komunitete, që fiton më së shumti vota. Një ulëse e garantuar i takon edhe komunitetit goran. /Demokracia.com/

Të ngjashme