Lajme
Azemi kritikon ekzekutivin për 100 eurot: Dyshoj për vendim mediatik dhe fryrje liste
Demokracia
16:47 | 17 Maj 2022

Share:

Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat (SPSPK) dyshon se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shtesa prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat mund të ketë qenë mediatik. Madje, dyshon se numri i aplikuesve, prej 290 mijë punëtorësh, mund të jetë i fryrë.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, deklaroi se Ministria e Financave duhet të dalë dhe të sqarojë të gjithë punëtorët e sektorit privat se pse ende nuk janë shpërndarë bonuset e premtuara ndërkohë që sektori publik i ka marrë menjëherë.

Azemi ka kërkuar nga ministri Hekuran Murati të sqarojë nëse ka ndonjë problem tjetër për mospagesën e shtesave, pasi kanë kaluar një muaj që prej kur u njoftua se punëtorët e sektorit privat dhe publik do të merrnin nga 100 euro më shumë.

“Kemi dyshuar dhe dyshojmë prapë se ka qenë një vendim mediatik, pasi që kanë kaluar më shumë se një muaj dhe punëtorët e sektorit privat të Kosovës nuk i kanë marrë bonuset nga 100 euro dhe kemi kërkuar zyrtarisht nga ministri i Financave që të dalë dhe të njoftojë opinionin. Ai ka për obligim që punëtorëve të sektorit privat të Kosovës t’u tregojë pse po çalon pagesa e këtyre 100 euro. A ka qenë një vendim si lojë mediatike apo ka ndonjë telashe të brendshme. Ai ka obligim zyrtarë të dalë t’i njoftojë se pse po vonohen këto 100 eurot dhe me të vërtetë nuk ia vlen që edhe të paguhen 1000 euro për shqetësimet, pritjet e gjata nuk janë të vlefshme për sektorin privat. Vet shteti po i dënon punëtorët e sektorit privat, sepse të sektorit publik i kanë marrë që të gjithë”, tha Azemi.

Azemi ka thënë për KosovaPress, se punëtorët kanë pritur që këto shtesa t’iu dalin për festën e Bajramit.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës konfirmoi se për shtesën prej 100 eurosh kanë aplikuar rreth 290 mijë punëtorë. Azemi mendon se kjo shifër mund të jetë e fryrë.

“Unë mendoj që diçka nuk është në rregull dhe jam shumë i bindur se nuk është e vërtetë që kanë aplikuar 290 mijë punëtorë të sektorit privat të Kosovës, këto janë vetëm shifra sepse, unë mendoj që ky numër është më i vogël nuk është kaq i madh. Me të vërtetë punëtorët duan të dinë se çfarë po ndodhë me këto mjete, apo ka qenë një propagandë për punën e tyre që e bëjnë, jemi shumë të zhgënjyer” deklaroi Azemi.

Më 12 prill, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një konference për media kishin njoftuar për vendimin për t’i ndarë nga 100 euro shtesë si ndihmë për, studentët, punëtorët e sektorit publik e privat e pensionistët.

KosovaPress ka pyetur edhe zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në lidhje me datën se kur pritet të ekzekutohen mjetet shtesë, por i njëjti, deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk është përgjigjur.

Të ngjashme