Lajme
Avokati i Thaçit e përballë ish-zyrtaren e OSBE-së me faktet e “Panda”-s, krim i kryer nga Serbia dhe ajo pranon se raporti i saj mund të kishte pasaktësi
Demokracia
10:19 | 07 Dhjetor 2023

Share:

Inskenimi i vrasjes së gjashtë të rinjëve serbë në një kafene në Pejë, i njohur si rasti “Panda”, u diskutua dje edhe në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, gjatë dëshmisë së ish-zyrtares së OSBE-së, Sandra Mitchell.

Për vrasjen e të rinjve serbë atë kohë ishin akuzuar shqiptarët. Lidhur me këtë, Mitchell u mor në pyetje nga avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Keohe, shkruan Demokracia.com.

Për  rastin “Panda” në Pejë, i cili ndodhi më 14 dhjetor 1998, Keohe e pyeti dëshmitaren nëse e dinte që operacioni me vrasje në “Panda” ishte një operacion i rrejshëm me motivin që ky krim t’i atribuohet UÇK-së, mirëpo përgjigja e Mitchell nuk u dëgjua.

“Ka të bëjë me vrasjen e civilëve serbë me një numër të viktimave të paidentifikuara që në fakt duken vrasje të pashpjegueshme. Ekziston dyshim se forcat e UÇK-së vranë jo vetëm shqiptarë të Kosovës të moderuar, por gjithashtu edhe serbë, duheshin nga të dy komunitete. Incidenti në veçanti tërhoqi vëmendjen e ndërkombëtarëve më 14 dhjetor. Kryerës të paidentifikuar kryen vrasjen e 6 serbëve të rinj të Kosovës në kafenenë “Panda” në Pejë”, lexoi raportin Keohe, ndërsa dëshmitarja Mitchell tha se i kujtohet si incident.

Duke iu referuar raportit të OSBE-së, Keohe thotë se aty përmenden motive të hakmarrjes nga ana e shqiptarëve kosovarë lidhur me vrasjen e 30 anëtarëve të UÇK-së.

“Këto ishin vetëm pretendime, por pretendime të mirëbazuara që kërkonin hetim të mëtejshëm”, tha Mitchell.

Keohe ia kujtoi dëshmitares edhe deklaratën e politikanit serb, Vuk Drashkoviq, i cili i kishte thënë një gazete serbe se autoritetet e Serbisë me urdhër të Sllobodan Millosheviqit e kanë orkestruar këtë operacion.

“Ai i ka thënë një gazete serbe se RBB-ja e udhëhequr nga Rade Markoviqi e ka orkestruar këtë masakër nëpërmjet udhëheqësit paramilitar Millorad Ulemek dhe me urdhër të Sllobodan Millosheviqit, a e dini këtë?”, tha Keohe.

Dëshmitarja Mitchell mohoi që të ketë njohuri për një gjë të tillë.

Po ashtu, Mitchell mohoi të ketë pasur njohuri që qëllimi i këtij incidenti ishte që UÇK-ja të portretizohet si organizatë terroriste para komunitetit ndërkombëtar. Ndërsa, për artikullin që iu prezantua, ajo tha se nuk e ka parë më herët.

Avokati Keohe kërkoi që ky dokument të pranohet si provë materiale, por që u kundërshtua nga prokurorja Deborah Mayer, me arsyetimin se dëshmitarja nuk kishte njohuri për këtë dokument. Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, kërkoi që vetëm të identifikohet si dokument për t’u vendosur më vonë.

Pas kësaj, dëshmitares iu prezantua edhe një dokument tjetër nga “Balkan Insight”, i vitit 2018 lidhur me rastin “Panda” në Pejë.

“Aty citohet se Valdimir Vuçiqeviq është një prokuror për krime lufte i Serbisë që: 1 nuk ka pasur shqiptar në atë kohë dhe 2 i gjithë operacioni u krye me synimin e atribuimit të palës tjetër, a e dini këtë fakt se vrasja në kafenë “Panda” ishin me një operacion të tillë, me synimin e atribuimit të fajit UÇK-së”, tha Keohe. Ndërsa, dëshmitarja tha se nuk ka njohuri.

Megjithatë, sa i takon raportit të saj lidhur me këtë ngjarje, dëshmitarja tha se nëse informacionet në artikuj janë të vërtetë, atëherë konludimi që ka nxjerrë del i pasaktë.

Përballjen e Keohes me Mitchel për rastin Panda mund ta ndiqni nga 2:12:00-2:26:00:

Të ngjashme