Lajme
Aventurat e rrezikshme të Albin Kurtit që nëpërkëmbën Republikën dhe e gjunjëzuan para Dejan Pantiqit
Demokracia
13:40 | 03 Janar 2023

Share:

Pas 20 ditëve, rrugët e barikaduara nga serbët në veri të Kosovës u zhbllokuan.

Serbët i braktisën barrikadat, pas urdhrave nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq, shkruan Demokracia.com.

Kjo erdhi pasi pushteti i Albin Kurtit, ish-policit serb në Kosovë, Dejan Pantiq, ia zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Kjo tërheqje e institucioneve të Kosovës, tregoi se Albin Kurti dinjitetin e Republikës e ka vetëm pjesë të fjalimeve. Ai lejoi një grup serbësh që ta nëpërkëmbin dinjitetin e shtetit.

Ndonëse çdo ditë deklaronte se forcat e Policisë së Kosovës janë të gatshme që të mbrojnë sovranitetin e vendit, pushteti i Kurtit nuk bëri as hapin më të vogël për t’i hequr barrikadat dhe policët kosovarë qëndruan me javë të tëra në kushte të vështira e orare të stërzgjatura në veri të vendit.

Pas lirimit të Pantiqit, ishte presidenti serb Aleksandar Vuçiq që vendosi se çfarë do të ndodhte brenda territorit të Kosovës. Ai pas një mbledhjeje në Rashkë njoftoi se barrikadat do të hiqen.

E ndonëse e poshtëroi shtetin, Albin Kurti pas heqjes së barrikadave përmes një videoje në Facebook u vetëlavdërua se ai e kishte paralajmëruar heqjen e barrikadave qysh katër ditë më herët.

Tensionet në veri të vendit nisën pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të mos lejohen të qarkullojnë veturat me targa serbe.

Ky vendim shkaktoi pakënaqësi tek serbët lokalë që jetojnë në katër komunat veriore të vendit, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS, Republika e Kosovës.

Pas tërheqjes së tyre, presidentja Vjosa Osmani i shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.

Por, në ditën kur anëtarët e KQZ-së nisën punën, objekti i Komisionit Komunal Zgjedhor u sulmua.

Ky sulm që u quajt terrorist nga institucionet e Kosovës dyshohet se u organizua nga ish-polici Pantiq, para të cilit u dorëzua shteti i Kosovës.

Pas arrestimit të tij, serbët vendosën rreth 13 barrikada duke e bllokuar plotësisht lëvizjen e lirë.

Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

Për këto zhvillime është raportuar pak orë pas arrestimit të ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiq është arrestuar, pasi ka dëshmi se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”.

Policia e Kosovës e shtoi prezencën në këtë pjesë të Kosovës për “sigurimin e qytetarëve”.

Por, ata shpesh gjatë këtyre ditëve ishin cak i sulmeve të grupeve kriminale serbe.

Edhe presidentja Osmani u detyrua që të dorëzohet para grupeve kriminale serbe, duke shtyrë datën e zgjedhjeve për në prill të vitit 2023.

Madje, Serbia shkoi aq larg sa rreth kufirit me Kosovën solli shumë forca ushtarake të cilat qëndruan në gjendje gatishmërie.

Serbia, po ashtu, dërgoi një kërkesë në KFOR për të kërkuar vendosjen e disa të forcave të saj të sigurisë në Kosovë.

Por, KFOR qëndroi goxha indiferent ndaj zhvillimeve në veri.

Ata nuk bënë asnjë hap për largimin e barrikadave, gjë që nxiti edhe sulmet e eksponentëve të Vetëvendosjes ndaj paqeruajtësve ndërkombëtarë.

Pas 20 ditësh bllokim të rrugëve që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, ato u zhbllokuan, u hapën edhe pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, por Albin Kurti më nuk foli për dinjitet.

Më të humburit nga kjo aventurë e Kurtit dolën Kosova, policët e gazetarët që u sulmuan shpeshherë gjatë këtyre ditëve me shock-bomba, gurë e molotov.

Aventurieri që rrezikoi sigurinë e Kosovës vazhdon të mburret për heqjen e barrikadave, ndërsa ministri i tij Xhelal Sveçla që bënte “be e rrëfe” se lirimi i Pantiqit nuk do të ndodhte, nga ajo kohë heshti./ Demokracia.com/

Të ngjashme