Lajme
Auditori e gjen “llugë” sektorin e pajisjeve në QKUK, plot aparatura të blera që nuk përdoren
Demokracia
14:53 | 29 Mars 2024

Share:

Auditori i Brendshëm ia kryer një auditim në QKUK për pajisjet mjekësore ku ka gjetur mungesë të të dhënave për menaxhimin e tyre, aparatura të blera që nuk përdoren fare ose servisim të aparaturave të cilat nuk janë në regjistrat e pasurisë së QKUK-së.

Zyra e Auditorit të Brendshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar ka kryer një auditim të pajisjeve në njësitë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Në raport, të cilin Gazeta Shneta e ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike, janë evidentuar mungesë e të dhënave për menaxhimin me efikasitet dhe efektivitet të pajisjeve, aparatura të cilat janë të instaluara por nuk përdoren fare dhe aparatura tjera që janë servisuar por të cilat nuk gjenden në regjistrin e pasurisë.

Auditori poashtu ka gjetur parregullësi edhe në prokurimin e pajisjeve. Sipas raportit, nga 9 mostra të blerjes së pajisjeve kanë munguar kërkesat e aprovuara nga ZKA. Poashtu në raport thuhet se pajisjet tenderohen me çmime të kalkuluara sipas tregut por që vlerës i shtohet edhe dogana me 10 për qind si dhe TVSH me 18 për qind. Megjithatë auditori ka gjetur se jo të gjitha pajisjet mjekësore i nënshtrohen njëllojtë obligimeve tatimore.

Auditori ka gjetur se në Klinikën e Pediatrisë ekziston një gastroskop por i cili nuk përdoret për shkak të mungesës së trajnimit të mjekëve për këtë aparaturë. Në Klinikën e ORL-së raportohet për një mikroskop i cili nuk punon që një vit për shkak të mungesës së një llampe. Në raport është arsyetuar se aparatura është e vjetër andaj edhe llampa nuk është arritur ende të gjendet për ta zëvendësuar, shkruan Gazeta Shneta.

Drejtori i Klinikës së Oftalmologjisë në këtë raport citohet se ka deklaruar se ka vonesa në servisime të pajisjeve. Sipas tij këto kërkesa janë bërë qysh në tetor të vitit 2022, mirëpo ato ende nuk janë servisuar.

Në Klinikën e Radiologjisë janë dy pajisje të Fluoroskopisë të cilat nuk përdoren. Njëra është e vendosur në objektin e Pediatrisë dhe arsyeja e mospërdorimit të saj është pothuajse banale. Sipas raportit të auditimit, kjo pajisje nuk përdoret për faktin se një gjenerator i saj është i vendosur në një dhomë ngjitur ku janë të vendosura edhe kamerat e sigurisë. “Kushtimisht dhoma e monitorimit nuk është e qasshme për stafin tjetër përveç atij i cili është i obliguar për mbikëqyrjen e këtyre kamerave”, thuhet ndër të tjera në raport.

Në këtë klinikë ekziston edhe një pajisje Mikrovale me Radio frekuencë funksioni i së cilës është trajtimi i tumoreve të vogla kockore “osteid osetoma”. Sipas raportit kjo pajisje nuk përdoret për shkak se nuk ka staf të trajnuar për të.

Në radiologji nuk është duke funksionuar njëra nga CT-të prej më shumë se pesë muaj meqë nuk ka pasur oferta për servisim. Për shkak të mungesës së ofertave për servisim ka mbetur pa u përdorur edhe një aparaturë tjetër në Institutet Paraklinike.

Auditori në fund ka rekomanduar menaxhmentin e SHSKUK-së që të krijohet një regjistër i pajisjeve mjekësore me të dhëna të detajuara; Të përgatitetet një plan i menaxhimit të pajisjeve, të cilat përfshijnë, të paktën, parashikime 3-vjeçare të kërkesave për financim; Vlerësimi i rregullt për gjendjen e pajisjeve mjekësore duke përdorur një sistem të standardizuar vlerësimi; Trajnimin i Stafit: Përmirësimi i aftësive të personelit mjekësor për të përdorur efektivisht pajisjet e reja është jetësore. Programet e trajnimit duhet të përfshijnë njohuritë teknike dhe procedurat për mirëmbajtjen e pajisjeve, dhe mbajtja evidencave për stafin të cilët kanë njohurit për përdorimin e pajisjeve të caktuara; Monitorimi i Përdorimit dhe Performancës së Pajisjeve: Një program monitorimi duhet të implementohet për të vlerësuar përdorimin dhe performancën e pajisjeve. Kjo do të ndihmonte në identifikimin e pajisjeve të përdorura në mënyrë të kufizuar dhe nevojën për zëvendësim apo trajnim të mëtejshëm për personelin mjekësor.

Të ngjashme