Lajme
AUDIOINCIZIM | Gërvalla – diplomatëve kosovarë: Lufta nga Rusia e Serbia ka filluar dhe ne jemi në mes të saj
Demokracia
13:42 | 22 Janar 2024

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i kishte alarmuar para një viti diplomatët e Kosovës për luftë mediale e kibernetike kundër Kosovës.

Në një takim që kishte zhvilluar në vitin 2023, audioincizimin e të cilit e ka siguruar Demokracia.com, Gërvalla u ka kërkuar diplomatëve të Kosovës që t’i përcjellin informacionet më shpejtë, në mënyrë që të reagohej me kohë.

“Ju lus që të jeni më të kujdesshëm sa i përket sigurisë fizike dhe kibernetike, sepse lufta ka filluar dhe ne jemi në mes të saj. Për fat të mirë, ende nuk ndodhemi në një luftë ushtarake, por jemi në qendër të luftës mediale që zhvillohet nga Rusia e Serbia dhe duhet të kemi mekanizmat tanë që t’u bëjmë ballë”, dëgjohet duke iu thënë atyre Gërvalla.

“Duhet të llogaritni që gjatë ditëve të ardhshme do të shtohet lufta mediatike kundër Kosovës dhe prandaj do të ishim shumë mirënjohës që informacionet të na përcillni më shpejtë dhe në një formë që ne të reagojmë ndaj tyre, sepse lufta mediale ka për t’u ashpërsuar shumë. Nuk përjashtoj mundësinë që të krijohen incidente të qëllimshme në Kosovë për të argumentuar një prezencë të shtuar të Serbisë në vendin tonë. Prandaj, të gjitha këto fillojnë Fake News, dezinformata, me luftë mediatike, të cilave ne nuk e di sa jemi të përgatitur t’iu bëjmë ballë, por që duhet të përgatitemi shumë shpejtë dhe duhet të reagojmë”, thotë ministrja Gërvalla në këtë takim me diplomatë, përcjell Demokracia.com.

“Ne do të sigurojmë nivelin e sigurisë në institucionet e vendit dhe të njëjtën lutje e kam edhe për ju në misionet diplomatike të Kosovës. Pra, ju lus që të jeni më të kujdesshëm sa i përket sigurisë fizike dhe kibernetike, sepse lufta ka filluar dhe ne jemi në mes të saj. Për fat të mirë, ende nuk ndodhemi në një luftë ushtarake, por jemi në qendër të luftës mediale që zhvillohet nga Rusia e Serbia dhe duhet të kemi mekanizmat tanë që t’u bëjmë ballë”, shton Gërvalla.

Kryediplomatja e Kosovës u kishte kërkuar ambasadorëve dhe gjithë stafit diplomatik një shërbim më intensiv të informacioneve, të analizave, të informimit të mirëfilltë për të mësuar se çfarë po ndodhte në vendet përgjegjëse, ku ata ishin të akredituar si diplomatë.

Ky audioincizim, sipas burimeve të Demokracia.com, është i para një viti në ditët kur ishte mbajtur edhe Konferenca e Ambasadorëve të Kosovës në Prishtinë. /Demokracia.com/

Të ngjashme