Arte
Arti në pasqyra: Intervistë me vajzën që i modifikon gjësendet e vjetra dhe i kthen në perfeksion
Demokracia
14:22 | 04 Prill 2021

Share:

Të gjithë e kemi një moment në jetë kur duam të marrim në dorë jetën tonë dhe t’i japim një drejtim. Mundohemi të sfidojmë vetën në fusha të ndryshme që në fund të gjejmë vetveten dhe atë se për çfarë jemi të aftë.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Elsa Selimi, themeluesja e brendit “Znj.Hudson”, e cila po sjell në tregun tonë pasqyra të veçanta të cilat nuk i kemi parë deri më tani.

Me detaje të kuruara deri në maksimum “Znj.Hudson” karakterizohet për shkak të procesit të riciklimit. Gjësendet e vjetra ajo nuk i hedh në plehra por i modifikon ato duke i perfeksionuar pasqyrat e saj.

Elsa për Demokracia.com tregon gjithçka, që nga fillimet, vështirësitë për të realizuar punimet e saj e deri tek planet e së ardhmes.

Demokracia: Çka do të thotë znj. Hudson?

Znj.Hudson: Sfida më e madhe e çdo njërit prej nesh të cilët kemi fillu veç me e kriju një brend është emri, e po në këtë fazë kam kalu edhe unë. Emri dhe idea e zonjës Hudson ka ardhur krejtësisht papritë, në atë kulmin e dilemës se për cilin me vendosë dhe cili po e prezanton punën time më së miri e në mesin e një grumbulli të madh emrash e propozimesh, krejt pa mendu me është kujtuar karakteri i zonjës Hudson tek Sherlock Holmes, nji karakter i fortë, e thjeshtë dhe e lezetshme. E këto kanë qenë edhe disa nga karakteristikat qe e kanë kriju identitetin e çdo produkti deri tani.

Demokracia: Prej nga të erdhi ideja dhe kur ke filluar të merresh me pasqyre?

Znj. Hudson: Përgjatë kohës së studimeve kam kaluar në faza të ndryshme si çdo student tjetër por ajo për të cilën kam pas fokus dhe jam munduar çdoherë që të luftoj drejt saj ka qenë njohja e vetvetes, njohja e të gjitha forcave të mia, njohja e të panjohurës që në këmbim të arrij të kuptoj atë se çka jam e gatshme në të vërtetë të krijojë.

Kam qenë në kërkim gjithmonë të asaj qe kishte me qenë fillim i një krijimtarie momentalisht të vogël që në vitet pasuese të rritet dhe të zhvillohet edhe më gjerë.

Pandemia nuk ka sjellë të mira që nga fillimi po nga të gjitha këto që na i ka sjellë, më ka sjellë një pikë guximi ma tepër me të cilin kam filluar menjëherë në muajin prill me punu.

Demokracia: A ke ndonjë atele të veçantë ku punon apo i punon ato në shtëpi?

Znj Hudson: Gjatë kohës së verës kam shfrytëzuar një atele të cilën e kam improvizuar në garazhin e shtepisë mirëpo gjatë dimrit kam punu kryesisht në dhomën time.

Demokracia: Çka të inspiron në krijimin e pasqyrave?

Znj.Hudson: Inspirohem lehtë, prej gjërave të thjeshta të cilat kanë nevojë me u vu në pah të cilave ju mungon vetëm një dorë për t’i shkundur pluhurin e me I shfaqë vlerat e vërteta në pah. Më inspiron qetë0sia po edhe kaosi, më inspirojnë njerëzit më së shumti se vetëm ne këtë mënyrë marrim veti të cilat na shërbejnë herë mirë e herë jo, nga artistët qe më inspirojnë janë: Amelia Briggs, Gustaf Westman, Maarten de Ceulaer.

Demokracia: Çka është e veçanta e pasqyrave të znj.Hudson?

Znj.Hudson: E veçantë do të thoja që është procesi i krijimit dhe realizimit. Mbi të gjitha znj.Hudson është nisur me idenë e modifikimit të elementeve shtepiake të cilat vetëm e kanë zënë një vend e që nuk janë më funksionale, pra me një fjalë reciklimi është ai që i bën të veçantë pasqyrat.

Demokracia: Sa është e vështirë të gjesh material për punimin e këtyre pasqyrave në Kosovë?

Znj.Hudson: E vështirë është shumë, në fillim më është dashtë me bo përpunime mes materialeve të ndryshme, por tash e një kohë materialet kryesisht më imponohet me i porositë jashtë vendit.

Demokracia: A punon me porosi apo vetëm me modelet që i dizajnon vetë?

Znj.Hudson: Po, qe nga fillimi deri me tash kam punu në dy format. Mundohem që gjithmonë të balancoj punën time mes dëshirave të klientit.

Demokracia: Për të gjithë të interesuar, si mund të blejnë një pasqyre nga znj.Hudson dhe cili është çmimi mesatar për një pasqyre?

Znj.Hudson: Sot tregu po funksionon shumë lehtë, përmes rrjeteve sociale. Ne ende jemi duke punuar përmes rrjeteve sociale dhe çdo porosi është duke u bërë përmes faqes zyrtare të cilën e kemi në instagram znj.Hudson, momentalisht kufizimi i pandeminë nuk më ka lënë me marr një hap më të madh, pas përfundimit të pandemisë planifikojmë që të zhvendosemi në dyqanet tona.

Për të gjithë të interesuarit çmimet janë standarde dhe i përshtaten çdo herë tregut tonë dhe për çdo detaj munden të ndjehen të lirë të na kontaktojnë në faqen tonë për të cilën sigurohemi që të jemi në shërbim të shpejtë.

Demokracia: Çfarë plane ke për znj Hudson për të ardhmen?

Znj.Hudson: Planet tona kanë qenë që nga fillimi që znj.Hudson të mos jetë vetëm prezantim i punës me pasqyra, mirëpo në vazhdimësi ne të sjellim edhe elemente të tjera të interierit dhe në këtë mënyrë të shndërrohemi në një kompani apo fabrikë prodhimi.

Këto janë disa nga pasqyrat e “znj.Hudson”.

No description available.

No description available.

No description available.

No description available.

 

Të ngjashme
Intervista • 24 Prill 2024