Lajme
Arifi ngjall dyshime: Pse Kurti i ndau 3 milionë për Preshevën menjëherë pasi u pranua “Zajednica”?
Demokracia
15:26 | 04 Nëntor 2023

Share:

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ka ngritur dyshime për ndarjen e vijës buxhetore nga kryeministri Albin Kurti për Preshevën.

Ndonëse e ka falënderuar për ndarjen e 3 milionë eurove për Preshevën, Arifi e ka kritikuar kryeministrin Kurti për veprimet e vitit të kaluar, teksa ka ngritur edhe dyshime se pse ky veprim është marrë pikërisht në këtë kohë.

Sipas Arifit, Kurti detyrohet të japë një sqarim “se pse vendim u mor menjëherë pasi u pranua ‘Zajednica’”.

“E falenderojmë Kryeminstrin e Kosovës për vendosjen e vijës buxhetore 3 milion € për Preshevën për vitet në vijim. Ky është hapi i parë i ndërmarrë, pas shumë viteve kërkesë, për themelimin e FONDIT të Solidaritetit për Luginën e Preshevës! Ndërkohë, ne ende presim që qeveria të dalë me një qëndrim në lidhje me 2 milion € e vitit të kaluar, të zhvatura nga doraputhësit e PVD-së, Shaip Kamberi, Ardita Sinani dhe Ragmi Mustafi.
Poashtu, të sqarohet opinioni se pse në vitin 2023 nuk u parapanë 3 milion € për Preshevën?!

Sakaq, një sqarim i domosdoshëm për popullin e Preshevës do të ishte, pse ky vendim u mor menjëherë pasi u pranua “Zajednica” (“qoftë asi, qoftë ksi”), duke e shkelur premtimin kryesorë, parimin e RECIPROCITETIT? Gjithashtu duam të dimë, a do të jetë populli i Preshevës sërish i mashtruar nga malverzimet e Ardita Sinanit e Shaip Kamberit?
Dhe në fund, me çfarë masa sigurie, këto 3 milion € nuk do të plaçkiten dhe nuk do të përfundojnë sërish në xhepat e funksionerëve të PVD-së!?”, thuhet në postimin e Arifit.

Kryeministri Kurti kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës ka paraparë tre milionë euro për Luginën e Preshevës për vitin 2024.

“Mbështetja financiare vitin e ardhshëm përveçse do të vazhdojë, ajo do jetë më e madhe për 50%. Në buxhetin e vitit 2024 kemi paraparë tre milionë euro për Luginën e Preshevës, një milion më shumë sesa sivjet”- ka thënë Kurti.

Të ngjashme
Lajme • 06 Maj 2024