Duket skandaloze, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte prezantuar idenë e “mosnjohjes së Kosovës nga Serbia”.
Kjo gjë bëhet edhe më tronditëse kur merret parasysh fakti se kjo ide e Kurtit vinte në kapacitetin e tij si Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe përfaqësues i saj në dialogun me Serbinë, që zhvillohet në kryeqendrën evropian, në Bruksel, shkruan Demokracia.com.
Kurti duket se ka bërë gabim llogaritjet, pasi njohja e Kosovës nga Serbia nuk është vetëm një raport mes dy vendeve, por parasëgjithash është një detyrim i Serbisë për të qenë pjesë e bashkësisë së shteteve që kultivojnë marrëdhënie ndërfqinjësore.
Kryeministri Kurti është i pari drejtues i Qeverisë së Kosovës, i cili udhëheq dialogun, por që kishte prezantuar një ide të tillë, në të paktën dy raste, më 18 maj 2022 në ShBA dhe 7 qershor 2022 në Britaninë e Madhe.
“Mosnjohja e Kosovës nga Serbia” është kthyer në qendër të dy marrëveshjeve të kryeministrit Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Me Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit të saj [Ohër, 18 mars 2023], është hequr njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si rezultat i mundshëm dhe përfundimtar i dialogut të zhvilluar në Bruksel. Kurti ka reduktuar në maksimum synimet dhe kërkesat e Kosovës, duke u mjaftuar me “normalizim të marrëdhënieve” dhe atë që ai vazhdon të këmbëngulë se këto marrëveshje do të sjellin, njohjen ‘de-facto’ të Kosovës nga Serbia.
Nga 22 prilli 2024, me vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për Kapitullin e 35-të, Serbia ka siguruar rrugën për anëtarësim në Bashkimin Evropian pa u kushtëzuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
18 MAJ 2022 – KURTI NGA ShBA SHTYN NEVOJËN PËR NJOHJEN NGA SERBIA “NËSE NUK ËSHTË E MUNDUR PËR MOMENTIN”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar gjatë një bashkëbisedimi me Këshillin e Atlantikut në Uashington të ShBA-së se Serbia duhet të njohë dokumentet e Kosovës, nëse nuk e njeh shtetin e Kosovës në një kohë të afërt.
Në këtë bashkëbisedim, Kurti kishte “shtyrë” nevojën për njohjen e Kosovës nga Serbia, pa e konsideruar atë si një domosdoshmëri jo vetëm në raport me fqinjin e saj, por edhe si obligim i Serbisë ndaj paqes.
“Duhet që Serbia të njohë dokumentet tona. Presidenti Vuçiq mundet së paku të njohë dokumentet tona. E di që ata thonë se me njohjen e dokumenteve mund të thuhet se ka ndodhur njohja e Kosovës. Do të doja që më të vërtetë të na njohin sa më shpejt. Por nëse nuk është e mundur për momentin, shtete tjera sikur Greqia e të tjera që nuk na njohin, na njohin dokumentet. Kjo do të përshpejtonte lëvizjen e lirë. Por ai nuk e lejon këtë. Qytetarët kosovarë që kalojnë nëpër pikat kufitare me Serbinë, roja kufitare aty ua merr të dhënat biometrike dhe ua dorëzon një letër ku thuhet se karta e identitetit më ka humbur më 1999. Mund edhe të mos kesh lindur në atë vit fare. Kjo është absurditet. Pastaj nëse policia të ndalon brenda Serbisë, e nuk ua tregon atë letër por dokumentet e Kosovës, atëherë arrestohesh”, deklaronte Kurti më 18 maj 2022.
7 QERSHOR 2022 – KURTI NË OXFORD
Në një rast tjetër, vetëm pak ditë më vonë, kryeministri Kurti kishte udhëtuar për në Britaninë e Madhe, ku kishte mbajtur një ligjeratë në universitetin e njohur botëror, në Oxford.
Aty, Kurti kishte shprehur qartë mundësinë që Serbia të mos e njohë shtetin e Kosovës dhe këtë e kishte shtruar në kontekstin e dialogut që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.
“Për të qenë i sigurt, unë mbetem i përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me lidershipin aktual të Serbisë. Njohja nga Serbia është gjithmonë e mirëseardhur dhe sa më shpejt të vijë, aq më mirë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor, por Republika e Kosovës sigurisht që mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa të”, kishte deklaruar Kurti, përcjell Demokracia.com.
VIDEO: https://www.facebook.com/watch/?v=3401203160109586&t=0
22 PRILL 2024 – SERBIA SIGURON RRUGËN PËR ANËTARËSIM NË BE PA U KUSHTËZUAR ME NJOHJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS
Edhe zyrtarisht Serbia mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian duke mos e pasur si kusht njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Më 22 prill 2024, Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian ka marrë vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. /Demokracia.com/