OpEd
Analiza frojdiane për dhunën ekstreme të Rusisë
Demokracia
13:26 | 11 Qershor 2023

Share:

Nga: Peter Pomerantsev

Nën mbulesën e “taktikave” ushtarake ruse, e sheh lakminë torollake për të shkatërruar për hir të luftës. Kremlini nuk mund të krijojë, kështu që gjithçka që i mbeti është të shkatërrojë. Përmes ndonjë vetëflijimi pseudo të lavdishëm, njerëzit që qëndrojnë prapa mizorive nuk janë frikacakë të mjerë, por më shumë janë si humbës që me jashtëqitjet e veta njollosin jetën. Në luftërat e Rusisë, mungesa e arsyes është ajo që duket të jetë arsye.

Pas ekzekutimeve masive dhe pa asnjë brengë në Buçë; pas bombardimeve të materniteteve në Mariupol; pas shkatërrimit të qyteteve të tëra në Donbas; pas dhomave të torturimit të fëmijëve, pas raketave që në fund të dimrit synonin ngrirjen e civilëve deri në vdekje, tani e kemi pamjen apokaliptike të ujërave të Dniprosit masiv, të lumit që kur je në të mund të ndihet se është i gjerë sa një det, e që tash shpërthen nëpër digën e shkatërruar në Kahovkë. Rezervuari mbante ujë po aq sa Liqeni i Kripur i Madh në Jutah. Shkatërrimi i tij tashmë ka përmbytur vendbanimet ku jetojnë më shumë se 40 mijë njerëz. Tashmë janë zhdukur strehët e kafshëve dhe rezervatet natyrore. Kjo do të asgjësojë hapësirat bujqësore të grurit të Ukrainës, që ushqejnë kaq shumë vende në botë – veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë. Gjenocidit rus i shtohet edhe ekocidi.

Për më shumë se një vit, diga është kontrolluar nga Rusia. Qeveria ukrainase që nga tetori ka paralajmëruar se Rusia ka plane për ta shpërthyer.

Në natën e shkatërrimit, sizmologët në Norvegji kanë konfirmuar se shpërthimet masive, të llojit që kanë të bëjnë me eksplozivët e jo me ndonjë çarje aksidentale, vinin nga rezervuari. Disa – përfshirë personalitetin mediatik amerikan që është pro-Putinit, Tucker Carlson – pohojnë se Rusia nuk ka mundësi të qëndrojë prapa shkatërrimit, duke pasur parasysh se dëmi është përhapur në territoret e kontrolluara nga Rusia, duke e kufizuar kështu furnizimin potencial të Krimesë me ujë. Por, nëse argumenti yt është “Rusia nuk do ta dëmtonte popullin e vet”, atëherë, më fal nëse luaj me fjalët, por ky është një argument që nuk pi këtë ujë. Një nga thëniet më pak të sakta për Rusinë, është vargu i Winston Churchillit se është “një enigmë e mbështjellë me një mister brenda një enigme, por ndoshta aty është një çelës. E, ky çelës është interesi kombëtar rus”. Kjo fjali tingëllon thuajse Rusia udhëhiqet nga ndonjë teori e zgjedhjes racionale, teksa shekull pas shekulli na del të jetë e kundërta.

Pakkush e ka kuptuar ciklin rus të vetëshkatërrimit dhe të shkatërrimit të të tjerëve, siç ka bërë kritikja ukrainase Tetyana Ogarkova. Në riformulimin e saj të romanit klasik rus të Fjodor Dostojevskit, Krimi dhe Ndëshkimi – një roman për një vrasës që thjesht vret sepse mundet – Ogarkova e quan Rusinë si një kulturë ku ka “krim pa ndëshkim dhe dënim pa krim”.  Vrasja e të fuqishmëve kalon pa u ndëshkuar; viktimat dënohen pa arsye. Në kohën kur nuk dërgojnë ndihma humanitare në vijën e parë të frontit, Ogarkova – së bashku me bashkëshortin e saj, filozofin Volodymyr Yermolenko – mban një podkast. Është gjë e jashtëzakonshme të hasësh në dy njerëz që mendojnë me kthjelltësi, teksa janë nën bombardimet e përditshme. M’i kujtojnë filozofët gjermano-hebrenj, si Walter Benjamin, të cilët vazhduan të shkruanin kthjelltë edhe kur iknin nga nazistët. Teksa përpiqen ta kuptojnë të keqen që godet vendin e tyre, Ogarkova dhe Yermolenko theksojnë dallimin mes Hitlerit dhe Stalinit: teksa nazistët kishin disa rregulla se kë do ta ndëshkonin (ata që nuk ishin arianë; komunistët), në terrorin e Stalinit çdokush mund të ishte viktimë, në çdo moment. Dhuna pa takt e përshkon historinë ruse. Duke reaguar ndaj mënyrës se si Rusia e Vladimir Putinit vazhdimisht i ndryshon arsyet e veta për pushtimin e Ukrainës – nga “denazifikimi” në “rikthimin e tokave historike” e deri te “zgjerimi i NATO-s” – Ogarkova dhe Yermolenko thonë se vet natyra brutale e pushtimit është thelbi i luftës: krimet e luftës janë thelbi. Rusia pretendon të jetë një “pol” i fuqishëm në botë, për ta balancuar Perëndimin – por nuk ka arritur ta krijojë modelin e suksesshëm politik përmes të cilit të tjerët do të donin të bashkoheshin. Pra, nuk ka asgjë tjetër për të ofruar, përveçse t’i tërheq poshtë gjithë të tjerët në humnerat e veta. “Si guxon të jetosh kështu”, thuhej në një grafit mllefi të ushtarëve rusë në Buçë. “Çfarë kuptimi ka bota kur nuk ka vend për Rusinë në të”, ankohet Putini. Pasi u shkatërrua diga në Kahovkë, gjenerali Dobruzhinsky shkretoi në një emision të famshëm rus: “Duhet ta hedhim në erë edhe rezervuarin e ujit të Kievit”. “Pse?”, pyeti nikoqiri. “Veç për t’u treguar atyre qejfin”. Por, teksa Ogarkova dhe Yermolenko analizojnë, rusët gjithashtu i dërgojnë ushtarët e vet të vdesin pa kuptim në kasaphanën e Donbasit, ku trupat e tyre kanë mbetur të shtrirë në fushën e betejës dhe të afërmit e tyre nuk u informuan për vdekjen – në mënyrë që të mos i paguajnë. Në TV, prezantuesit lavdërohen se si “askush nuk di të vdesë si ne”. Ndërkohë, fshatarët në anën të lumit të pushtuar nga Rusia, po braktisen nga autoritetet. Të jesh i “çliruar” nga Rusia do të thotë të bashkohesh me perandorinë e saj të poshtërimit.

Prej nga vjen kjo shtysë drejt asgjësimit? Në vitin 1912, psikanalistja ruso-hebraike Sabina Spielrein – e cila u vra nga nazistët, ndërsa tre vëllezërit e saj u vranë nga terrori i Stalinit – së pari e parashtroi idenë se njerëzit tërhiqen nga vdekja po aq sa nga jeta. Për teorinë e saj të shtytjes drejt vdekjes, u zhyt në temat e letërsisë dhe të folklorit rus, por themeluesi i psikanalizës, Sigmund Freud, idetë e saj fillimisht i cilësoi si shumë morbide. Pas Luftës së Parë Botërore, u pajtua me të. Dëshira për vdekje ishte dëshira për të hequr dorë nga përgjegjësia, nga barra e individualitetit, e zgjedhjes, lirisë – dhe të zhytesh sërish në lëndë inorganike. Thjesht, të heqësh dorë. Në një kulturë si ajo e Rusisë, ku është gjë e zakonshme të shmangesh nga përballja me të kaluarën e errët të saj, me të gjitha rrjetat komplekse të fajit dhe të përgjegjësisë, harresa e tillë mund të jetë goxha joshëse. Por, përmes këtyre akte të shkatërrimit biblik, skajshmërish të dhunshëm,

Rusia gjithashtu ia dërgon një mesazh të ngjashëm ukrainasve dhe aleatët të tyre: dorëzohuni ndaj pafundësisë sonë, dorëzoni në luftën tuaj. Dhe, me gjithë humbjet ushtarake të Rusisë dhe të brishtësisë aktuale socio-ekonomike, ende mund të funksionojë kjo propagandë e veprimit.

Reagimi i Perëndimit ndaj shpërthimit të digës ka qenë çuditërisht i heshtur. Ukrainasit po kryejnë operacione të jashtëzakonshme shpëtimi, teksa Rusia vazhdon të bombardojë qytetet gjysmë të zhytura, por ata pak a shumë të vetëm po e bëjnë këtë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, është hutuar nga “mbështetja zero” nga organizatat ndërkombëtare, si OKB-ja dhe Kryqi i Kuq.

Ndoshta mungesa relative e mbështetjes vjen pjesërisht për shkak se njerëzit ndihen të pafuqishëm përballë një gjëje kaq të madhe, që ngjan me skenat të regjisorit Cecil B DeMille me lumenjtë gjigantë që shpërthejnë. Është e njëjta pafuqi që disa ndiejnë kur përballen me krizën klimatike. Në këto rrethana, është gjë me vend që përgjigja më e fortë ndaj ekocidit të Rusisë nuk erdhi nga qeveritë, por nga aktivistja e klimës Greta Thunberg, e cila qartazi ia hodhi fajin Rusisë për atë që ndodhi dhe kërkoi që ajo të mbahej përgjegjëse. Por, pothuajse nuk ka pasur një pipëtimë nga qeveritë perëndimore ose nga OKB-ja.

Të shtysh joshjen e çuditshme ndaj vdekjes, ndaj harresës dhe thjesht të heqësh dorë nga taktika ruse. Sa jetë kanë mbetur përbrenda nesh?/Përkthimi: Telegrafi.com

Të ngjashme