Lajme
Analistët: Lista Serbe po vepron me direktiva shantazhuese
Demokracia
22:00 | 26 Gusht 2022

Share:

Kërcënimet e Serbisë në Kosovë shpeshherë bëhen edhe përmes Listës Serbe, përkatësisht paralajmërimeve për largimin e saj nga institucionet. Këto veprime nga analistë në Kosovë po shihen si mentalitet shantazhues ndaj Kosovës.

Në një seancë të përbashkët të kuvendeve komunale, katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës miratuan ditë më parë një deklaratë përmes së cilës parashihet largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës, nëse nuk arrihet një kompromis për të gjetur zgjidhje për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje. Udhëheqës të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok paralajmëruan se do të nisin procesin e largimit nga të gjitha institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, duke filluar nga institucionet qendrore dhe lokale, e deri te gjykatat, policia dhe prokuroria. Nëse kjo ndodh, sipas Vullnet Bugaqkut nga Instituti Demokratik i Kosovës, pasojat më të mëdha do të ishin në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk është hera e parë që Lista serbe largohet nga institucionet e Kosovës, ka pas raste edhe në të kaluarën, faktikisht pasoja më e madhe rezulton në punën e Kuvendit të Kosovës, për shkak se Kosova është në proces edhe të draftimit edhe të procesit të hartimit të vettingut për gjyqtar e prokuror në Kosovë, dhe një proces i tillë sipas Komisionit të Venecias duhet të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe këto ndryshime kushtetuese nuk mund të kalojnë në qoftë se Lista Serbe nuk merr pjesë në Kuvendin e Kosovës dhe t’i votojë ato ndryshime”, ka thënë për RTK-në, Vullnet Bugaqku, hulumtues në KDI.

Kjo nuk është hera e parë që serbët paralajmërojnë largimin nga institucionet e Kosovës, thonë analistët, sipas të cilëve Lista Serbe po flet me direktiva të Beogradit.

“Kjo është një sjellje e parashikueshme politike sepse është pjesë e një kulture të përgjithshme politike të serbëve ndaj Kosovës, një mentalitet shantazhues dhe veprimi më i mirë që mund ta bëjë qeveria është që të harmonizohet me aleatët ndërkombëtar dhe ta ruajë maturinë sepse kjo është mënyra më e duhur e të vepruarit. Këto shantazhe janë prezentë që 20 vjet, mirëpo dihet që adresa e tyre është në Beograd, prandaj qeveria e Kosovës duhet që gjithë presionin ta drejtojë nga Beogradi me ndihmën e aleatëve tonë”, ka theksuar Artan Muhaxhiri, analist.

E të njëjtin mendim e ka edhe Fatmir Çollaku, profesor universitar, që sipas tij ky është një paralajmërim i kamotshëm, por ai beson se në fund do të ketë në një marrëveshje reciproke.

“Për çdo pakënaqësi, për çdo kërkesë të tyre, ata në një mënyrë apo tjetër gjithmonë e kanë pasur shantazhin dhe kërcënimin, bojkotin dhe sabotimin, nuk e shoh diçka të re, në anën tjetër, a realizohet kjo apo jo, unë fuqishëm besoj se do të gjendet një zgjidhje paqësore e cila do të rezultojë me marrëveshje reciproke”, ka potencuar Çollaku.

Vendimet e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për targa dhe dokumente për hyrje-dalje në Kosovë kanë ngjallur reagime në Serbi dhe te serbët lokalë në veri të cilët ngritën barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht. Pas heqjes së barrikadave, Qeveria e Kosovës u zotua për shtyrjen e zbatimit të vendimeve deri më 1 shtator.

Të ngjashme