Lajme
Ana Bërnabiq pas takimit në Tiranë: Ballkani i Hapur vazhdon të ekzistojë
Demokracia
18:06 | 17 Korrik 2023

Share:

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq tha sot pas takimit në Tiranë se “Ballkani i Hapur” vazhdon të ekzistojë dhe vazhdon me iniciativa brenda tij.

“Vetëm tri ditë më parë hapëm ekspozitën e përbashkët “Open Balkans” në qendrën kulturore serbe në Paris, kështu që po vazhdojmë me këto iniciativa”, tha Bërnabiq, transmeton Demokracia.com.

Ajo deklaroi se ka diskutuar për “Ballkanin e Hapur” dhe samitin e Procesit të Berlinit me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili do të mbahet në Shqipëri në tetor të këtij viti.

Bërnabiq tha se Shqipëria aktualisht është plotësisht e fokusuar në samitin e procesit të Berlinit dhe se çfarë mund të bëhet shtesë pas samitit të fundit që u mbajt në Berlin.

Ajo shtoi se me Ramën ka biseduar për Ballkanin e Hapur dhe iniciativat brenda tij, “të cilat janë mjaft komplementare me samitin e Procesit të Berlinit”.

Bërnabiq theksoi se gjatë drekës së punës, ku morën pjesë kryeministrat e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut Dritan Abazoviq dhe Dimitar Kovaçevski dhe Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelji, u bë plani i zhvillimit për Ballkanin Perëndimor, i cili u shpall nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe për draftet dhe projektet e para që duhet të përgatisin vendet e Ballkanit Perëndimor. /Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme