Lajme
Ambasadori portugez në KiE thotë se Portugalia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatë
Demokracia
22:35 | 26 Prill 2023

Share:

Portugalia e sheh të natyrshme dhe e mbështet avancimin e procesit të integrimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, deklaroi sot Gilberto Jerónimo, ambasador i misionit të përhershëm portugez në organizatë.

Jerónimo konsideron se zhvillimi i procesit është i natyrshëm, pavarësisht se pranon se do të dëshironte që hyrja e Kosovës “të ishte element i unitetit më të madh”, duke pasur parasysh kundërshtimin e Serbisë ndaj procesit, raporton gazeta portugeze ‘Noticiasominuto’, përcjell Demokracia.com.

“Ne jemi të sigurt se në të ardhmen, në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, sigurisht që do të jetë kështu”, theksoi ai.

Ambasadori i misionit të përhershëm në Këshillin e Evropës, i cili fliste para gazetarëve portugez në Strasburg, kujtoi se Portugalia është shtet që njeh Kosovën dhe mbron anëtarësimin në një organizatë “që synon të bashkojë të gjitha vendet që i përkasin Evropës”.

Ndër arsyet e mbështetjes portugeze, Jerónimo theksoi se nëse procesi i anëtarësimit është i suksesshëm, “do t’u jepet mundësia edhe qytetarëve të Kosovës që të përfitojnë nga ato garanci që mund t’i japë vetë Këshilli i Evropës, përkatësisht qasja në Gjykatën Evropiane e të Drejtave të Njeriut”.

Diplomati portugez theksoi gjithashtu se Kosova “është pjesë e një liste shumë të vogël të vendeve që nuk janë pjesë e Këshillit të Evropës”. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 06 Dhjetor 2024