Lajme
Ambasadori Hoxha konfirmon praninë e Zelenskyt në takimin e KS-së që do të drejtohet nga Rama
Demokracia
20:31 | 01 Shtator 2023

Share:

Presidenti i Ukrainës, Volodmyr Zelensky, pritet të marrë pjesë në mbledhjen vjetore të liderëve botërorë në Kombet e Bashkuara në New York këtë muaj duke marrë pjesë në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën.

Kështu u tha gazetarëve të premten ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha.

Shqipëria është presidente e këshillit 15 anëtarësh për muajin shtator.

Udhëheqësit botërorë do të fillojnë të mblidhen në New York nga 18 shtatori për takimin e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Ukrainën do të mbahet më 20 shtator.

Kryeministri shqiptar Edi Rama pritet të drejtojë takimin, i cili do të mbahet në segmentin e nivelit të lartë të Asamblesë.

Ndërkaq, përfaqësuesja amerikane në Këshillin e Sigurimit, ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, në emër të Këshillit i ka uruar delegacionit të Shqipërisë fat të mbarë.

Ajo u shpreh se gushti ishte një muaj i ngarkuar dhe një muaj në të cilin u mblodhën për konsensus për disa çështje të rëndësishme brenda fushës sonë.

Nga ana tjetër, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka zbuloi gjatë një deklarate për mediat prioritetet e Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Bëhet fjalë për një platformë bashkëpunimi, që garanton shpërndarjen e ndihmave humanitare kudo në botë dhe për një aktivitet kushtuar agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës.

Sipas saj, Shqipëria ka akumuluar gjatë 20 muajve të fundit një eksperience të vyer në tryezën e KS-së.

“Janë dy momente të rëndësishme të kësaj Presidence. Bëhet fjalë për një platformë bashkëpunimi, që garanton shpërndarjen e ndihmave humanitare kudo në botë, në kohë krizash. Aktiviteti tjetër shënjues i presidencës tonë i kushtohet agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës”, theksoi ndër të tjera Xhaçka.

Shefja e diplomacisë shqiptare vërejti se ideja e parë është pritur mjaft mirë dhe ka gjetur mbështetje nga aktorë e grupe interesi.

Ndërsa sa i takon luftës në Ukrainë, si bashkëpenëmbajtëse me SHBA-të, kjo është një nga çështjet që ka shënjuar mandatin tonë, tha ministrja e MEPJ-së.

Në përmbyllje, ajo u angazhua se diplomacia shqiptare do të organizojë një Debat të Hapur të nivelit të lartë në KS, e cila do të fokusohet në pasojat e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës./AP

Të ngjashme