Lajme
Ambasadori amerikan kundër modelit gjermano-francez: Presim marrëveshje me njohjen reciproke në qendër
Demokracia
21:23 | 12 Tetor 2022

Share:

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke komentuar ‘modelin gjerman—francez”, që po diskutohet si një propozim i Gjermanisë dhe Francës në dialogun Kosovë-Serbi, është shprehur se SHBA-ja pret që të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër.

Ai është pyetur nëse do ta mbështeste SHBA-ja një marrëveshje që nuk do të ketë në qendër njohjen reciproke.

“Si pikë e parë, do të them se është e vështirë për mua të flas për propozime specifike që janë bërë publike apo thuhet se janë publike. Por, do të përmendja dy gjëra. E para: administrata Biden ka qenë mjaft e qartë sesi e shohim përfundimin e këtij procesi. Ne presim që të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër. Kjo është komunikuar në vazhdimësi nga kjo administratë. Kjo mbetet gjendja përfundimtare, të cilën ne e dëshirojmë dhe për këtë jemi të përkushtuar”, ka thënë ambasadori Hovenier në emisionin “Contex” të ATV-së.

Ambasadori amerikan ka theksuar se as Bashkimi Evropian nuk është i gatshëm t’i pranojë dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën.

“Megjithatë, do të thosha se nuk është e sigurt sesi saktë kjo do të arrihet, në çfarë kohe apo radhitje. Kështu që, çfarëdo që do të ishte një hap para në dialog, që do ta ndihmonte Kosovën të kuptonte ambiciet e saj që të bëhet pjesë familjes së institucioneve evropiane dhe euroatlantike, ne do ta mirëprisnim, do ta mbështesnim dhe do të synonim ta avanconim. Por, të mos ketë keqkuptime në fund të procesit, ashtu siç ka thënë kolegu im, ambasadori gjerman këtu në Kosovë, Jorn Rohde, e vetmja gjendje përfundimtare e mundshme është njohja e ndërsjellë, sepse gjendja përfundimtare do të jetë anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe Bashkimi Evropian nuk është i gatshëm të pranojë dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën”, shtoi ai në Context, përcjell Demokracia.com.

Ditëve të fundit po diskutohet për një propozim gjermano-francez në dialogun Kosovë-Serbi. Ndonëse ky propozim ende nuk është parë në letër, palët kanë pranuar se Franca dhe Gjermania kanë paraqitur një dokument me të cilin kërkojnë që Serbia nuk e pengon Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, përfshirë (ndoshta) edhe OKB-në. Sipas raportimeve, ky propozim nuk e detyron Serbinë ta njoh Kosovën./Demokracia.com/

Të ngjashme