Lajme
“Aleanca e përjetshme” | Kur Osmani kthehet nga Nju Jorku duhet të përballet me Kurtin për Amerikën
Demokracia
10:33 | 23 Shtator 2023

Share:

“Lidhja me ShBA-të është ekzistenciale dhe e pashkëputshme!”, shkruajti më 20 shtator presidentja Osmani, pasi takoi sekretarin amerikan Antony Blinken. Një ditë më vonë, ajo i shtrëngoi duart edhe me presidentin Biden, takim të cilin e vlerësoi me fjalë të mëdha “Aleanca e lirisë. Aleanca e përjetshme”.

Këto mesazhe të presidentes Osmani u shfaqën në një kohë kur prej disa muajsh, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti është në përplasje të drejtpërdrejtë me bashkësinë ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Osmani kur nga Nju Jorku do të kthehet në Kosovë, duhet të përballet me realitetin politik të cilin e la këtu, por që si zakonisht e kaloi në heshtje, duke mos shprehur qëndrimet e saj, shkruan Demokracia.com.

Kur ajo të kthehet nga Nju Jorku, duhet të tregojë nëse beson në mesazhet që përcolli nga duarshtrëngimi me Biden e Blinken apo janë thjesht tekste për të cilat ajo nuk punon, por vetëm i deklaron.

Presidentja Osmani duhet të shpreh qartë pozicionin e saj dhe të tregojë nëse mbështet politikën e përplasjes së Kurtit apo të dalë shprehimisht kundër sjelljes së tij konfliktuoze, e cila po rrënon raportet e Republikës së Kosovës me aleatët e saj, ShBA-në dhe BE-në?

Nëse Presidentja e Kosovës vazhdon heshtjen e saj të gjatë, padyshim kjo tregon se ajo nuk ka një qëndrim tjetër nga kryeministri Kurti.

Nëse Osmani do të shkruante “Lidhja me ShBA-të është ekzistenciale dhe e pashkëputshme!” në ditën kur Kurti sulmoi ashpër sekretarin Blinken, ky do të ishte një pozicionim i qartë i presidentes Osmani, por ajo ka heshtur dhe në një moment krize të raporteve Kosovë – ShBA, e para e vendit që sipas Kushtetutës ka rolin e unifikueses, nuk është kujdesur për të ruajtur publikisht këtë lidhje.

Për sekretarin Blinken, që e takoi Osmani, kryeministri Kurti nuk ka qenë aspak i kujdesshëm në gjuhën që ka përdorur kundër tij, në një intervistë për gazetën brianike, Guardian. Kurti e kishte cilësuar si deklaratë naive, qëndrimin e sekretarit Blinken, i cili hapur shprehu qëndrimin e ShBA-së: “Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në dialogun e lehtësuar nga BE.

Kurti kalon kufijtë e normales, e godet sekretarin Blinken në gazetën britanike: Dha deklaratë të padrejtë, të gabuar dhe naive

Prej kohësh, zyrtarët e lartë të ShBA-së janë ndodhur nën deklaratat e rënda të kryeministrit Kurti, të cilat janë pasuar nga një fushatë linçuese në rrjetet sociale të zyrtarëve të partisë në pushtet, Lëvzjes Vetëvendosje.

Grenelli, Blinkeni, Eskobari, Lajçaku | Si i sulmoi Albin Kurti me radhë përfaqësuesit e ShBA-së dhe BE-së?

Së fundmi, i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i është drejtuar me një kërkesë publike presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, që t’i dënojnë sulmet mbi ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, por kërkesa amerikane nuk është dëgjuar as nga e para e vendit.

“Dënoni sulmet mbi Lajçakun” | Osmani dhe Kurti nuk përfillin kërkesën e ShBA-së

Kryeministri Kurti ka shpeshtuar sulmet mbi ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë – Serbi, emisarin evropian, Lajçak, të cilin e ka akuzuar se po punon për interesa të Serbisë dhe kundër Kosovës. Kjo akuzë e Kurtit ka ardhur pas dështimit të takimit të 14 shtatorit në Bruksel, në të cilin ai nuk pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt 2023) dhe pjesës integrale të saj, Aneksin e Ohrit (18 mars 2023), të cilat janë pranuar prej tij, ndonëse askund nuk flitet për njohjen reciproke ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në propozimin e BE-së, një nga hapat e parë të zbatimit të këtyre marrëveshjeve është edhe themelimi i Zajednicës / Asociacionit. /Demokracia.com/

Zajednica, kryefjalë e marrëveshjes pa njohje me Serbinë | Si e ringjalli fuqishëm kryeministri Albin Kurti?

Të ngjashme
Lajme • 26 Qershor 2024