Lajme
Albin Kurti, njeriu që premtoi bashkim kombëtar e po merret me shaminë e vajzave në shkolla
Demokracia
12:36 | 13 Gusht 2022

Share:

 “Kundër bashkimit kombëtar është elita provincialiste, njerëz të vegjël që duan të duken të mëdhenj, njerëz që për t’u rritur vetë duan ta zvogëlojnë atdheun tonë”, bërtiste me gjithë fuqinë e zërit opozitari Albin Kurti, më 28 nëntor 2016.

Por, kur u bë kryeministër, sikur mos ta kishte lexuar kurrë më parë Kushtetutën e Kosovës, ai me qetësi filloi të tregonte për nenin 1.3 të saj, që na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër.

Kurti, njeriu që më zë të lartë premtonte bashkimin kombëtar, sot i ka përvjelur mëngët seriozisht për të mbajtur një “premtim” të dhënë në të shumtën e rasteve larg syrit të medieve dhe që nuk ka të bëjë aspak me kombin shqiptar, shkruan Demokracia.com.

Si ndodhi kështu?

Mund të shkruhet një libër me qindra faqe vetëm për premtimin e Albin Kurtit për bashkimin kombëtar gjatë aktivitetit të tij politik opozitar. Natyrisht se kapitulli i fundit i atij libri do të ishte zhgënjyes për të gjithë ata që do ta merrnin mundimin për ta lexuar deri në fund, sepse do të përfundonte duke e parë Kurtin të dorëzohet jo përballë një neni të plotë, por vetëm para pikës 3 të nenit 1 të Kushtetutës së Kosovës, që thotë se “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.”

Por, Kurti nuk po tregohet “i pafuqishëm” edhe përballë përkufizimit tjetër të Kushtetutës së Kosovës, nenit 8, i cili e përcakton Kosovën si një shtet laik: “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështjet e besimeve fetare”.

Laiciteti i shtetit nuk është i vjetër 14 vjet, prej kur Kosova shpalli pavarësinë dhe miratoi Kushtetutën e saj.

Kjo është një çështje qindra vjeçare, mbi të cilën, popujt perëndimor kanë ndërtuar shtetet e tyre moderne, duke i ndarë ato nga kisha apo feja. Pra, duke ndaluar ndikimin fetar në përcaktimin e politikave shtetërore dhe gjithashtu duke evituar përfshirjen e qeverisë në çështjet fetare. Republika e Kosovës, si një shtet i ri, i themeluar me mbështetjen e botës perëndimore, është ndërtuar pikërisht mbi shtyllat, mbi të cilat janë ndërtuar edhe vetë ato shtete. Pra, neni 8 është edhe një premtim që themeluesit e shtetit të Kosovës dhe shoqëria kosovare e ka bërë para mbështetësve të krijimit të shtetit të Kosovës.

Megjithëkëtë, Kurti ka vendosur të ndryshojë përcaktimet që dalin nga neni 8 i Kushtetutës së Kosovës.

“Qëndrimin tim e kam thënë para shumë viteve, ai është se nuk duhet të ketë ndalim të shamisë në jetën publike të qytetarëve, duhet të jenë të lirë, por gjithashtu kam thënë se mosha 16 vjeçare është pragu”, deklaroi kryeministri Kurti, të premten e 12 gushtit 2022, vetëm pak ditë pas fushatës që nisi ish-këshilltari i tij.

Edhe pse përgjigjja e Kurtit nuk ishte plotësisht në përputhje me kërkesën e paraqitur në MASHT për anulimin e plotë të “ndalimit të bartjes së uniformës fetare” për nxënësit e të gjitha moshave, rruga për të mundësuar lejimin e vajzave të reja që të mbulohen me shaminë islame, i ka kthyer kundër kryeministrit Albin Kurti, botën akademike brenda dhe jashtë vendit.

I ashpër ka qenë profesori nga Parisi dhe njëherësh mbështetës i zëshëm që Kurti të vijë në pushtet.

Ai e ka akuzuar Kurtin se këtë po e bënë për një grusht votash mesjetare. “Ka gabu atëherë dhe gabon edhe sot kur deklaron se maturiteti fillon në moshën 16 vjeçare… Mosha 18 vjeçare duhet të mbetet kufiri që ndan fëmijën nga i rrituri. Ne shoqëritë normale e gjithë jeta sociopolitike është e organizuar rreth këtij parimi. Raportet familjare, përgjegjësitë civile e penale, ndalesat dhe autorizimet…. Natyrisht rregulla edhe mund të ndryshojnë me kohën, pse jo, por për momentin ne Evropën ku duam të shkojmë, mosha madhore është 18 vjeç. Dhe do të ishte tepër zhgënjyese nëse Albini bën lëshime te tilla për një grusht vota mesjetare”, ka shkruar Kraki në profilin e tij në “Facebook”, më 12 gusht 2022. “

Edhe bashkimi kombëtar është premtu, janë premtu shumë gjera utopike kur VV e kishte lluksin e vrojtimit. Tash është në realitetin e veprimit dhe vendimit por nuk guxon as VV te marrë vendime me parapavijë elektoraliste se nuk është votu për shami por për qeverisje të mirë”, ka shkruar më tej ai. Edhe profesori tjetër universitar, Blerim Latifi, e ka kundërshtuar ashpër këtë fushatë, e cila, sipas tij, ka synime kundër shtetit të Kosovës.

“(Çikat e Kosovës)… dikur nuk i lejonin me shku në shkollë, pastaj, në një kohë tjetër, i helmonin në shkolla, pastaj erdhi një kohë kur i vrisnin, i masakronin e i përdhunonin, e sot, sot në liri, po duan t’i zezojnë, t’i mbulojnë, t’i arabizojnë, t’u vënë në ballë shenjën e të qenit pronë e burrave primitivë… Kështu çikat e Kosovës po bëhen viktimat e para të projektit perfid të Serbisë për t’i bindë ata që e mbajnë gjallë shtetin e Kosovës, botën perëndimore, se ky shtet nuk bëhet dot, sepse njerëzit e tij kulturalisht na qenkan anadollakë, e jo evropianë, prandaj, rrjedhimisht, çështja e statusit të Kosovës duhet të rihapet! Sepse një gjë dihet shumë mirë, prej kohësh: pas çdo “rizgjimi fetar” gjithmonë fshihen plane e synime politike”, shkruante Latifi më 10 gusht 2022.

Reagime të shumta të natyrës së tillë janë bërë këto ditë nga profesorë të ndryshëm, të cilët e kanë parë këtë si një lëvizje që minon shtetin laik të Kosovës dhe që e largon atë nga ideja e të qenit një shtet perëndimor. Por, pavarësisht shqetësimeve të tilla të shprehura nga njerëz profesionistë, Kurti nuk duket se do t’i dëgjojë.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për këtë çështje e ri-tematizuar vetëm pak ditë para një takimi të rëndësishëm mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, që do të mbahet në Bruksel më 18 gusht 2022.

Reagimi, si çdoherë mungon edhe nga presidentja Vjosa Osmani, e cila pavarësisht se ka doktoruar për drejtësi në SHBA, në debate të nxehta e që mund t’i kushtojnë në mbështetje, zgjedh rrugën e heshtjes dhe qëndrimit nën hije. /Demokracia.com/

Të ngjashme