Lajme
Albin Kurti, njeriu që po e shkatërron bashkëpunimin brendashqiptar
Demokracia
16:05 | 23 Gusht 2023

Share:

Për një lider politik me parime e synime të vërteta kombëtare, do të duhej të ishin pak të rëndësishme dallimet politike e partiake mes shqiptarëve në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi apo edhe në Luginën e Preshevës. Në qendër të angazhimit të tij do të duhej të ishte unifikimi i spektrit politik në mbrojtjen dhe avancimin e interesave kombëtare, sidomos të shqiptarëve që nuk jetojnë në Kosovë e Shqipëri.

Por, ky nuk është rasti me Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Kur përmendet emri i tij, nuk mbetet asgjë nga unifikimi i politikës kombëtare. Në fakt, sa herë që ai shfaqet në skenë, sidomos nga koha kur është bërë kryeministër, spektri politik shqiptar në Ballkan largohet edhe më shumë nga njëri – tjetri.

Pajtimi për përjashtimin e Shqipërisë nga darka greke

Edhe dyshuesi më i madh në identitetin politik të Albin Kurtit vështirë se do të mund ta parashikonte që një ditë ai do të pranonte të shkonte në një darkë greke me liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria ishte e përjashtuar.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, njeriun që për gati dy dekada premtonte bashkimin kombëtar të shqiptarëve, të hënën e 21 gushtit 2023 nuk përbënte kurrfarë problemi që në darkë të ishte edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por jo edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Lexo më shumë:

Mitsotakis e “izolon” Ramën, Kurti sonte për darkë në Athinë me udhëheqës ballkanikë

Kryeministri Kurti duke u munduar ta injorojë përjashtimin e qëllimshëm të Shqipërisë nga kjo darkë, nuk po mbante vetëm një qëndrim ndaj kryeministrit Edi Rama, me të cilin ka kohë që mban raporte të acaruara. Duke injoruar përjashtimin e Tiranës zyrtare nga kjo darkë ballkanike, Kurti nuk po jepte vetëm një qëndrim tashmë të ditur për kryeministrin shqiptar, por edhe ndaj Republikës së Shqipërisë – shtetit amë të Republikës së Kosovës.

Për të dalë kundër Edi Ramës, Kurti është takuar disa herë me kundërshtarët e tij politikë, si Sali Berishën, duke u pozicionuar qartë politikisht. Këto takime me shumë gjasë Kurti do t’i vazhdonte edhe tani, por siç duket i mungon guximi të shfaqet publikisht me Sali Berishën, non grata e dyfishtë, amerikano-britanike.

Edhe ky pozicionim politik, në momente kyçe të politikës së brendshme të Tiranës zyrtare, nuk i ka mjaftuar Kurtit, i cili mori guximin edhe të përfshihet në Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2021, por që doli i poshtëruar dhe i fyer nga elektorati atje.

Përveç poshtërimit spektakolar, Kurtit i mbeti një foto qesharake nga ajo ditë e 25 prillit 2021 kur ishte shfaqur në derën e hyrjes së zyres së Vetëvendosjes në Tiranë. Aty, askush nuk kishte dalur ta shihte, përveç kameramanëve të shumtë që kishin ardhur të evidentonin këtë skenë komike.

Përçarja e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe mbështetja e subjekteve politike pa UÇK-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u mundua që të fusë përçarje edhe në mesin e subjekteve politike shqiptare të shqiptaëve të Maqedonisë së Veriut.

Gjatë vizitës së tij, Kurti takoi vetëm disa liderth të vegjël të disa subjekteve politike shqiptare, si Bilall Kasamin e Besës, Afrim Gashin e Alternativës dhe Izet Mexhitin që para disa ditësh u nda nga BDI-ja e Ahmetit dhe formoi Lëvizjen Demokratike.

Kryeministri Kurti, ndonëse në një vizitë jozyrtare, nuk takoi vetëm liderin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmetin, i cili dikur drejtonte edhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, që suksesshëm përmbylli rezistencën ushtarake me finalizimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Shmangia e qëllimshme e një takimi me liderin historik të BDI-së dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmetin, ishte më shumë një nxitje e kundërshtarëve të tij si Kasami, Gashi e Mexhiti dhe polarizimi i mëtejshëm i skenës politike të shqiptarëve në këtë shtet.

Ndarja “pikë e pesë” edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës

Politika jo-unifikuese e kryeministrit Kurti është shfaqur edhe në Luginën e Preshevës.

Sot, në pjesën më të madhe të debatit që zhvillohet në mes të politikanëve shqiptarë të Luginës së Preshevës vendin e zë diskursi kundër njëri – tjetrit dhe jo zëri i shqiptarëve që kërkon nga Serbia më shumë të drejta për popullatën e kësaj ane.

Lexo më shumë: https://demokracia.com/pike-e-pese-albin-kurti-erdhi-ne-pushtet-me-retoriken-e-bashkimit-kombetar-por-thelloi-percarjet-me-shqiperine-luginen-e-maqedonine/

Kurti për një darkë greke harroi çështjen çame

Edhe çështja e Çamërisë ka zënë vend të madh në diskursin publik të Albin Kurtit, gjatë opozitarizmit të tij të gjatë.

Kjo çështje më shumë duket se është përmendur nga Kurti si një presion mbi qeveritë në Prishtinë dhe sidomos asaj në Tiranë, për mungesë të hapave konkretë të avancimit të saj.

Tani që Kurti është bërë kryeministër, edhe këtë çështje e ka harruar, ngjashëm si shumë të tjera, përfshirë edhe atë për bashkimin kombëtar, shkruan Demokracia.com.

“Çamëria duhet të dalë së pari nga harresa dhe neglizhenca e shqiptarëve dhe pastaj, ajo e ndërkombëtarëve”.

Kështu thoshte ish-opozitari Albin Kurti, në 70-vjetorin e gjenocidit grek mbi Çamërinë. Në përkujtimin e 70-vjetorit të gjenocidit grek mbi popullsinë çame, kryeministri i tashëm i Kosovës, Albin Kurti, vlerësonte se Serbia dhe Greqia janë shtete ekspansioniste dhe kjo nuk ka ndryshuar e as do ndryshojë vetvetiu, por vetëm kur shqiptarët do të ngrihen dhe do të zmbrapsin orekset e tyre.

Lexo edhe:

VIDEO: “Çamëria duhet të dalë nga harresa shqiptare dhe ndërkombëtare” | Kurtit nuk i kujtohet më çështja çame në Athinë

Por, lëre se çështja çame nuk doli nga harresa e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, për çfarë ai kritikonte dikur, por ajo duket se u fut në skutat më të thella të harresës edhe të Albin Kurtit, i cili, ndonëse ishte në një darkë me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, çështjen çame nuk e zuri me gojë për asnjë moment. /Demokracia.com/

Të ngjashme