Lajme
VIDEO: “Çamëria duhet të dalë nga harresa shqiptare dhe ndërkombëtare” | Kurtit nuk i kujtohet më çështja çame në Athinë
Demokracia
12:08 | 23 Gusht 2023

Share:

Çamëria duhet të dalë së pari nga harresa dhe neglizhenca e shqiptarëve dhe pastaj, ajo e ndërkombëtarëve” , kështu thoshte opozitari Albin Kurti në 70-vjetorin e gjenocidit grek mbi Çamërinë. Në përkujtimin e 70-vjetorit të gjenocidit grek mbi popullsinë çame, kryeministri i tashëm i Kosovës, Albin Kurti, vlerësonte se Serbia dhe Greqia janë shtete ekspansioniste dhe kjo nuk ka ndryshuar e as do ndryshojë vetvetiu, por vetëm kur shqiptarët do të ngrihen dhe do të zmbrapsin orekset e tyre.

“Gjenocidi nuk bëhet ndaj pakicës. Prandaj neve na takon që Çamërinë ta trajtojmë ashtu si është dhe duhet të jetë gjithmonë, pjesë e çështjes kombëtare shqiptare. Çështja çame është pjesë e së tërës dhe ka nevojë për vëmendjen e të gjithëve”, deklaronte ai.

Kurti madje atëherë thoshte se Serbia e Greqia janë shtete ekspansioniste dhe se kjo nuk do të ndryshojë.

“Shqiptarët janë për gjuhën shqipe, ndërsa serbët e grekët janë shtete ekspansioniste dhe kjo nuk ka ndryshuar e as do ndryshojë vetvetiu, por vetëm kur shqiptarët do të ngrihen dhe do të zmbrapsin orekset e tyre”, kishte deklaruar Kurti.

Por, tash ai kryeministër, Kurti e ka kthyer Greqinë në një prej vendeve më të preferuara të tij për vizita. Pikërisht në vendin ku do të mund ta shtronte këtë çështje, në Athinë në prezencë të kryeministrit grek e figurave të rëndësishme evropiane, si presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ai nuk u kujtua më ta përmendte çështjen çame.

Pra, lëre se çështja çame nuk doli nga harresa e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, por ajo duket se u fut në skutat më të thella të harresës edhe të Albin Kurtit, shkruan Demokracia.com.

Në fillim të kësaj jave, ai ishte pjesë e darkës joformale me liderët e Ballkanit Perëndimor të thirrur nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Këtu mund ta shikoni një kronikë të vitit 2014, kohë kur Kurti “angazhohej” për Çamërinë:

Kurti është kritikuar për ndryshim qëndrimesh, sidomos vitin e fundit. Mes këtyre qëndrimeve i është përmendur vazhdimisht edhe ai për bashkimin me Shqipërinë. /Demokracia.com/

Të ngjashme