Lajme
Mitsotakis e “izolon” Ramën, Kurti sonte për darkë në Athinë me udhëheqës ballkanikë
Demokracia
16:25 | 21 Gusht 2023

Share:

Kryeministri Kurti, që nuk i takoi liderët rajonalë gjatë korrikut në Tiranë, do ta ketë rastin sonte mbrëma në Athinë. Ai merr pjesë në darkën joformale të shtruar nga Kryeministri grek. Kryeministri i Shqipërisë ndërkaq raportohet se nuk u ftua për shkak të konfliktit me Qeverinë greke. Ky nuk është rasti i parë që dy kryeministrat, Rama e Kurti, gjenden në drejtime të kundërta në rrjetin diplomatik. Ka zëra që, megjithatë, thonë se Kurti nuk është dashur t’i përgjigjet pozitivisht Kryeministrit grek.

Kryeministri Albin Kurti shkoi edhe njëherë këtë verë në Greqi. Kësaj radhe, me ftesë të homologut të tij grek, Kyriakos Mitsotakis, për një darkë joformale me liderë të Ballkanit Perëndimor, në 20 vjetorin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe i Deklaratës së Selanikut, dokumentit ligjor themelor të zotimit zyrtar të BE-së për ofrimin dhe sigurinë e perspektivës evropiane të vendeve të rajonit.

Kurti po merr pjesë në takimin në Athinë me liderët rajonalë, pas refuzimit të një ftese të ngjashme që ia kishte bërë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në korrik të këtij viti. Ai i mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, por Kurti nuk shkoi në këtë takim, pas disa hatërmbetjeve të theksuara që i kishin në qershor. Por, arsyetimi i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës për mospjesëmarrjen në Tiranë ishte se ai do të shkonte në Kretë të Greqisë, në Simpoziumin “Symi” dhe këtë e kishte planifikuar më herët.
Dramat në nivel kryeministrash ballkanikë vazhdojnë edhe në darkën e Athinës. Mediat në Shqipëri dhe në Greqi kanë raportuar se Edi Rama nuk u ftua në darkë, për shkak të konfliktit të tij me qeverinë greke, pas arrestimit të kryetarit të Himarës, Fredi Beleri, i etnisë greke, për vjedhje të votave në zgjedhjet e fundit lokale në Shqipëri. Greqia kërkon që Beleri të lirohet nga paraburgimi dhe të lejohet ta bëjë betimin si kryebashkiak.

Media greke “Kathimerini” shkroi se vendimi i kryeministrit grek është një mënyrë diplomatike për t’i treguar Ramës se Greqia nuk negocion për “çështje parimore”, pasi në rastin e Belerit për vjedhjen e votave, e konsideron si “cenim të të drejtave të minoritetit etnik”. Mitsotakis ka ftuar në darkë Presidentin Bajram Begaj, por ai nuk e pranoi ftesën.

Sipas historianit, Fitim Salihu, Rama nuk u ftua për ‘inate nacionaliste’ të udhëheqjes greke dhe as Kurti nuk do të duhej të shkonte në Athinë.

“Në darkën e sontme joformale në Athinë, ku nuk është ftuar Edi Rama, janë ftuar ndër të tjera edhe Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiqi. Kryeministri i Kosovës nuk do të duhej të shkonte në Athinë për sa kohë Micotakisi mban hatërmbetje shoviniste me Shqipërinë”, ka shkruar ai në një postim ku flet për konfliktin e fundit mes Ramës dhe Mitsotakis.

Publicisti Ben Andoni më 20 gusht, një ditë para darkës, ka shkruar se Kurti në këtë rast mund ta dëshmojë shqiptarizmin, duke e refuzuar Kryeministrin grek.

“Mbase, nëse Kurtit do të duhet t’i kujtohet diçka që të provojë për shqiptarizmin (ai ka qejf ta mbajë të ngritur si kumt) është që në këtë rast ta abandonojë Micotaqisin, për t’i treguar se Rruga në Evropë nuk mund të kushtëzohet”, thuhet në një shkrim të publikuar të Andonit.

Megjithëse, sipas publicistit Kurti do të tregonte respektin ndaj Shqipërisë, ai ngrit si pikëpyetje se po të ishte Rama në vendin e tij “mbase” nuk do ta bënte të njëjtën.

“Mbase, Kurti mund të tregojë një qëndrim të tillë, për të treguar respektin me Shqipërinë dhe nisjen e shkrirjes së akullit. Por, mbetet në dorën e tij. Mbase, Rama, në një rast të tillë nuk do ta bënte?!

Vizita e Kurtit në Athinë, megjithatë, do të jetë edhe më e zgjeruar se darka, kur “mysafir special”, pritet të jetë edhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Sipas Zyrës së Kryeministrit, gjatë qëndrimit në Greqi, ai do të zhvillojë edhe disa takime.

Mediat greke kanë zbuluar se Kurti qëndron atje edhe të martën, paraditen e së cilës ka një takim bilateral me Kryeministrin grek.

Ndonëse Greqia mbetet në pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e pranojnë pavarësimin e Kosovës, raportet e Qeverisë Kurti me këtë shtet janë të mira.

Kurti është komentuar për vizitat e tij të shpeshta në Greqi, që ndonjëherë kanë zgjatur më shumë se një javë. Gjatë korrikut, ai ka marrë pjesë për herë të pestë radhazi në Simpoziumin “Symi”, që e organizon ish-Kryeministri grek, George Papandreou në ishuj grekë. Viteve të fundit, ai shkon në Greqi edhe gjatë pranverës, në forumin vjetor ekonomik Delphi. Përveç pjesëmarrjeve në simpoziume e forume, gjatë mandatit të tij, Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në Greqi, ku është pritur nga udhëheqja greke. Sido që të jetë, Edi Rama dhe Albin Kurti kanë konfirmuar praninë e tyre si folës në panelet e forumit dyditor të Sllovenisë, që zhvillohet në qytezën turistike pranë liqenit të Bledit në fund të këtij muaji. /Express/

Të ngjashme