Lajme
Akuzoi Kushtetuesen, Kica-Xhelili udhëzon Haxhiun: Herën tjetër kandido në ndonjë shtet anarkik
Demokracia
16:11 | 10 Janar 2024

Share:

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pasi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformave të Qeverisë së Kosovës.

“Ministrja Haxhiu paska përsëritur se Gjykata Kushtetuese po pengon jetësimin e reformave. Na vjen keq ministre. Herën tjetër kandido në ndonjë shtet anarkik që nuk përfill kushtetutshmërinë, e ndoshta s’po të pengon më kushtetutshmëria e Republika”, shkroi Kica-Xhelili në Facebook.

Ndërsa drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se partia në pushtet – Lëviza Vetëvendosje e ka politikë dhe mision të identifikojë dhe targetojë armiq.

“Për vitin 2024, për LVV armiku numër 1 i saj është Gjykata Kushtetuese. Target i lehtë për ta sulmuar, etiketuar dhe faturuar dështimet e keq qeverisjes së LVV në mbi tre vite në pushtet”, ka shkruar Miftaraj.

Ai ka theksuar se reforma dështuar në drejtësi është kontestuar edhe nga Komisioni i Venecias.

Në konferencën e së mërkurës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se opozita në Kosovë, Kushtetuesen po e konsideron “si shpëtim” në mënyrë që të mos jetësohen reformat qoftë në drejtësi qoftë në ekonomi të ekzekutivit.

“Ligji për Këshillin Prokurorial dy herë radhazi ka marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias, por është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese”.

“Vettingu në sistemin e drejtësisë, Kushtetuesja në këtë fazë ka pasur të trajtojë vetëm kapitullin 2 të Kushtetutës së Kosovës që ndërlidhet me të drejtat e njeriut, ka marrë më shumë se nëntë muaj kohë”, ka potencuar Haxhiu, ndërsa ka theksuar se ende s’ka një aktgjykim të plotë për Vettingun në sistemin e drejtësisë.

Të ngjashme