Lajme
Akuzat parazgjedhore – Opozita serbe: Vuçiq, si Klintoni (VIDEO)
Demokracia
20:33 | 04 Dhjetor 2023

Share:

Përfaqësues të një liste zgjedhore nga Serbia, e që i përkasin partive opozitare, të hënën bënë fushatë në Graçanicë në Republikën e Kosovës.

Njëri nga ta, Srgjan Millivojeviq, që mëton të bëhet deputet në zgjedhjet e 17 dhjetorit, akuzoi rëndë presidentin e shtetit të tyre Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq, sipas Millivojeviqit, ka dëmtuar shumë Serbinë e ka ndihmuar fort Kosovën, me politikën e tij.

Për më tepër tha se mund të ndodh që Vuçiq të bëhet me përmendore në qendër të Prishtinës, pranë perëmendorës që e ka tash e sa vjet, presidenti amerikan Bill Clinton, që është një nga koontribuesit më të mëdhenj për lirinë e Kosovës.

Pranë godinës komunale në Graçanicë, disa kandidat për deputetë për në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit në vendin fqinj veriorë, u deklaruan për media.

“Mirë që, Aleksandar Vuçiqit, i është zbardhur fotografi  këtu (në Graçanicë) sepse atij “bashkëluftëtari  i tij në luftën për Shqipërinë e Madhe”Albin Kurti, me gjasë do i’a ngrit një përmendore, pranë asaj të Bill Klintonit, në Prishtinë. Aleksandar Vuçiq më shumë ka bërë në jetësimin e Shqipërisë së Madhe dhe pranimin e pavarësisë së Kosovës, sesa gjithë komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Millivojeviq.

Sipas opozitarëve serbë, derisa Vuçiq e dorëzoi Kosovën, siç thanë në “pjatë”, themelimi i Asociacionit më nuk ka asnjë kuptim.

Ata u shprehën kundër ujdisë Kosovë-Serbi, bazuar në planin franko-gjerman për marrëveshje,, që dy shtetet e kanë pranuar por nuk e kanë nënshkruar, për shkak të refuzimit të Serbisë.

“Secila marrëveshje që nënkupton shkeljen e Kushtetutës së Serbisë, që nënkupton çfarëdo njohje të Kosovës apo ulësen e saj në OKB, është e pa pranueshme për listën tonë”,tha Mirosllav Alleksiq, nga Lista “Serbia kundër dhunës”.

Opozitarët nga Beogradi, ndryshe njoftuan se njërin prej tyre, derisa erdhën për të hyrë në Kosovë, në pikën kufitare Merdar, autoritetet serbe e mbajtën për tre orë. Pasditen e së hënës, ata kanë vizituar edhe Mitrovicën.

Të ngjashme